Letra e Ismailit per kreun e BERZH ne ‘91 Pranoni Shqiperine

'Letra e Ismailit per kreun e BERZH ne ‘91: Pranoni Shqiperine'
Ishte fillimi i vitit 1991. Shqipëria ende përpëlitej mes dy sistemesh. Ismail dhe Helena Kadare ishin vendosur në Paris, kur në krye të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) u vendos Jacques Attali. Attali, i cili njihej me çiftin Kadare, i ftoi ata në ceremoninë e rastit, që do të zhvillohej në Londër. I kujdesshëm deri në detaje për të nderuar miqtë e tij, Attali nuk ishte kujdesur ama të ftonte në këtë ceremoni Shqipërinë. Ndërsa të gjithë ishin të pranishëm, veç Shqipërisë. Hidhërimin që ndjeu në atë moment dhe reagimin e mëpasshëm të shkrimtarit, Helena Kadare na e rrëfen në librin e saj me kujtime “Kohë e pamjaftueshme”. Ajo rrëfen “incidentin” në ceremoninë e BERZH-it, letrën e Ismailit drejtuar Jacques Attali-së dhe përgjigjen ndaj saj, e cila nuk ishte një letër e zakonshme justifikimi, por një ftesë për Shqipërinë, të cilën ia përcolli miku i tyre, Gramoz Pashko.

Të gjithë flisnin për BERZH-in, Bankën Europiane për Rindërtim e Zhvillim, që pritej të përurohej në Londër. Një mbrëmje mori në telefon Jacques Attali. Ishte i gëzuar dhe i dashur si përherë. Ai më pyeti për Is dhe për vajzat dhe pastaj më tha:

-Helena, besoj se e di që jam zgjedhur president i BERZH-it, Bankës së Europës, apo jo?

Më zuri ngushtë, ngaqë diçka kisha dëgjuar, por pa qenë shumë në dijeni të rëndësisë së saj. Jacques ishte gjithmonë ndihmës i afërt i presidentit Mitterrand dhe kjo më dukej më e rëndësishme se drejtimi i çfarëdolloj banke.

-Dëgjo, më tha, meqenëse Is s’është në shtëpi, po ta them ty.

Ajo që tha ishte shumë e këndshme dhe kurioze. Në përurimin e Bankës, ai, si drejtor i saj, do të donte që Is dhe unë të ishim të ftuarit e tij personalë. Për gjithçka do të kujdesej ai. Do të udhëtonim së bashku me avionin e tij.

Kur ia thashë Is, ai u gëzua, por nuk u habit. Siç më shpjegoi, dy javët e fundit Jacques Attali, si drejtor i porsazgjedhur, ishte në qendër të vëmendjes evropiane. Meqenëse qëllimi kryesor i Bankës ishte rimëkëmbja e vendeve të porsadala nga katastrofa ekonomike komuniste, politikanë të këtyre vendeve do të përpiqeshin të kishin sa më shumë kontakte me drejtorin e kësaj Banke.

Kështu që udhëtimin tonë tepër të privilegjuar me avionin e tij në Londër, Is e mori jo vetëm si një shenjë miqësie me ne, por edhe si sajdisje e vëmendje për Shqipërinë.

Katër ditë më pas, në orën 9 të mbrëmjes, ashtu siç na kishte lajmëruar, Jacques dërgoi një makinë për të na marrë…

Avioni u nis rreth orës njëmbëdhjetë. Qielli sipër La Manche-s ishte i errët, por dritat e Londrës nuk vonuan të shfaqeshin në largësi..

Ceremonia zyrtare e përurimit u bë të nesërmen. Emrat e shteteve anëtare të Bankës shqiptoheshin me solemnitet, njëri pas tjetrit në sallën madhështore të mbledhjes. Diku, aty nga fundi, Is afroi kokën dhe më pyeti me zë të ulët e i shqetësuar nëse e kisha dëgjuar emrin e Shqipërisë. Ngrita supet, ngaqë e tërhequr siç isha, nga mendime të tjera, ndoshta më kishte shpëtuar. Ai më tha se gjithashtu nuk ia kishte zënë veshi. Pritëm gjersa emrat mbaruan, me shpresë se nuk do të kishin qenë sipas rendit alfabetik. Por shpresa jonë kishte qenë e kotë. Në një ekran të madh, emrat ishin renditur njëri pas tjetrit pikërisht sipas alfabetit. Shqipëria mungonte. Ishin të gjitha shtete europiane, madje dy-tri vende mesdhetare joeuropiane, por Shqipëria, ashtu si gjithmonë, mungonte.

Nuk po u besonim syve. Mund të kishim pritur çdo gjë, por këtë jo. Sidomos pas atij trajtimi aq të veçantë që na ishte bërë.

Pas shteteve jepeshin personalitete politike që merrnin pjesë. Ministra të jashtëm, shefa të ekonomisë, zëvendësministra, zëvendëspresidentë, nuk ishte harruar asnjë vend, madje edhe të tillë që ishin në shënjestër të kritikave për arsye të ndryshme.

Sapo mbaroi pjesa e ceremonisë, fjalimet, urimet, përshëndetjet, në pushimin përpara drekës, Is u nis me shpresë të gjente Jacques Attali-në. Vonoi shumë gjersa erdhi tek bari ku po e prisja. Ishte i prerë në fytyrë. Me vështirësi të madhe, pak me arrogancë kishte arritur të çante deri në vendin ku ishte Jacques Attali, i buzëqeshur, disi i dehur nga lavdia. Iu afrua dhe i tha atë që mezi i durohej t’ia thoshte: mungesën e vendit të tij. Në çastin e parë Jacques s’dinte ç’përgjigje të jepte. Më në fund, ashtu u përgjigj, thjesht: “S’di ç’ka ndodhur, me sa duket është një harresë”. Pyetjes së Is “Si është e mundur?!”, që pak a shumë donte të thoshte si është e mundur që t’i kujdesesh për të më marrë mua me time shoqe me avionin tënd, që ke telefonuar nja pesë herë për të dërguar shoqëruesit, makinën etj., etj., dhe harron vendin të cilit i përkas?

Siç ma përshkroi Is, Jacques-u prapë s’dinte ç’përgjigje t’i jepte, vetëm s përsëriti fjalët: është harruar, s’ka gjë tjetër!

Pas drekës u kthyem në hotel me një gjendje shpirtërore krejt të prishur. Mësuam se parku i famshëm “Hyde park” ishte aty pranë dhe shkuam më këmbë deri atje. Ishte aq i bukur, sa për disa çaste na e zhvendosi vëmendjen. Por shumë shpejt mendja na kthehej tek e njëjta pyetje: ç’kishte ndodhur?

Kujtuam bisedat që kishim bërë në avion. Lidhur me rolin emancipues të kësaj Banke, jo vetëm për ekonominë, por edhe për politikën e vendeve pjesëmarrëse. Ishte folur edhe për presionin për demokratizimin, për ato vende që ende mbeteshin komuniste ose gjysmë komuniste, si Shqipëria. Por përjashtimi prej saj vetëm i Shqipërisë nuk përligjej gjithsesi. Një pjesë e vendeve të tjera ishin ende me regjime edhe më të ashpra.

Kontrasti i trajtimit tonë privat dhe harresa e Shqipërisë na kujtoi njëfarësoj atë trysni të tërthortë që herë pas here i bëhej Is, për të mos e lidhur ai veten domosdoshmërisht me vendin e vet. Nuk mund të thuhej se kjo gjë bëhej me qëllim të keq. Shpesh ishin dashamirësit që mendonin se distancimi i shkrimtarit nga problemet e vendit të vet e ndihmonin atë dhe veprën e tij. Kishte kohë që Milan Kundera ishte vendosur në Francë dhe pothuajse i kishte prerë lidhjet me Çekosllovakinë, gjë që, sipas fansave të tij, nuk e pengonte, por e ndihmonte njohjen e tij si shkrimtar nëpër botë…
Pas asaj shëtitjeje në Hyde Park, u kthyem në hotel. Të gjitha po bëheshin gati për darkën që do të shtrohej atë natë në Buckingham Palace, për pjesëmarrësit e kësaj konference. Na lajmëruan se makina do vinte të na merrte në hotel, por Is më tha se nuk i shkohej. S’ishte puna se i dukej e pamoralshme të shkonte në një darkë ku vendi i tij nuk ishte ftuar. Në radhë të parë ishte një mosdëshirë për të qenë në atë darkë. Pavarësisht se e dija që ishte një rast i rrallë pjesëmarrja në këtë festë, ku ndoshta do të ishte dhe mbretëresha, siç flitej, edhe mua më iku dëshira të shkoja. I lamë mënjanë veshjet përkatëse që i kishim sjellë me vete enkas, Is smokingun e porsablerë, unë fustanin e zi, dhe po mendonim ku ta kalonim darkën. Në hollin e hotelit takuam bankierin De Wulf. Para se të hapte gojën e të pyeste ndonjë gjë lidhur me enigmën e udhëtimit të Kostandinit të vdekur, Is i tha arsyen përse nuk do të shkonim në darkë. De Wulf u habit gjithashtu për harresën e Shqipërisë. “Besoj se s’është faji i Jacques-ut”, tha.

Na pyeti se ku kishim ndër mend ta hanim darkën dhe ne iu përgjigjëm në mënyrë të papërcaktuar. Is tha se e mira e të mirave sot ishte që të ktheheshim në Paris, por kjo i dukej e pamundur. De Wulf tha që ta prisnim në holl se diçka i kishte kapur veshi për dikë që nisej po atë mbrëmje në Paris. Erdhi pas njëfarë kohe me një burrë tjetër, tepër i përzemërt, fytyrën e të cilit e kishim parë në TV. Ishte Antoine Riboud, “mbreti i bulmetrave Danone”, një nga miliarderët e Francës.

-Zoti Riboud kthehet sonte në Paris me avionin e tij, tha De Wulf.

-Po të dëshironi mund të vini me mua, tha “mbreti i kosit” me një çiltërsi të madhe…

Avioni kapërceu zonën e errët midis Anglisë dhe kontinentit përafërsisht në të njëjtën orë të një nate më parë dhe dritat e Parisit u dukën më në fund që larg.
Dy apo tri ditë më pas, Is i shkroi Jacques Attali-së një letër, tekstin e së cilës po e sjell këtu:

I dashur Jacques,

Së pari desha të të falënderoj për mikpritjen tënde në Londër, si dhe për kujdesin për ta bërë udhëtimin bashkë. Ishte një kënaqësi për mua dhe për time shoqe të merrnim pjesë në ceremonitë e hapjes së Bankës Europiane që do të drejtosh ti. Është thënë shpesh e me të drejtë se kjo Bankë është një institucion unikal në botën e sotme. Në vazhdim të kësaj, unë do të shtoja se asnjë bankë tjetër në botë nuk ka zgjuar kaq shumë shpresa në kaq shumë popuj.

Por unë nuk do të isha i sinqertë, në qoftë se nuk do të pohoja se gjatë këtyre ceremonive madhështore e kam ndier veten tepër të trishtuar. Arsyen ti e merr me mend: vendi im ishte i vetmi që nuk merrte pjesë në këtë festë.

Unë e kuptova mirë atë çka më shpjegove gjatë udhëtimit tonë të natës me avion për në Londër. I bindur për dobinë e presionit ndaj një vendi, kur ky presion bëhet në emër të demokratizimit dhe për të mirën e njerëzve, unë bëra atë që duhej bërë dhe mendoj se rezultatet kanë qenë qysh tani të mira. Mendimet e mia për të ardhmen e vendit tim, për domosdoshmërinë e shkatërrimit të plotë të diktaturës, të çrrënjosjes për jetë të doktrinës marksiste-leniniste, të vendosjes së demokracisë së vërtetë e të kthimit të Shqipërisë në një vend europiano-perëndimor, i kam shpallur qartë kudo. Por unë asnjëherë s’kam ngatërruar diktaturën komuniste me kombin shqiptar dhe gjithmonë kam qenë kundër asaj që kombi shqiptar të paguajë për shkak të saj. Kam frikë, ndërkaq, se disa herë kjo ngatërresë është bërë, madje ndoshta ka qenë edhe komode për të justifikuar një farë shpërfilljeje ndaj këtij populli. Lidhur me këtë, desha të them se disa nga vendet, përfaqësuesit e të cilëve i pashë të vërtiten tërë ngazëllim në tryezat e asaj feste, nuk ishin aspak modele të demokracisë. Megjithatë, e për çudi, mëkatet u janë falur njëfarësoj. Ndoshta unë gjykoj në mënyrë subjektive, për shkak se jam nga ky vend e gjithashtu për shkak se jam shkrimtar. Unë nuk e njoh strategjinë globale, rrugët që të çojnë drejt Europës së nesërme, projektet, variantet, formulat e mundshme. Por, pavarësisht nga këto, jam i sigurt se si njeri dhe shkrimtar njoh diçka tjetër, diçka që është shumë më e thjeshtë e njëkohësisht më sipërane: logjikën e ekzistencës së një populli.

Besoj se edhe ti, Jacques, kur çohesh në orën pesë të mëngjesit, siç më ke treguar, për të shkruar letërsi, në atë orë të shenjtë kur je më afër se kurrë pranë vetes dhe Zotit, ke një vizion të ndryshëm nga ai i disa orëve më pas, kur bëhesh Jacques Attali, president i BERZH. Të gjithë ne, në një mënyrë ose një tjetër, e pësojmë këtë ndryshim gjatë ditëve tona. Por unë jam i sigurt se ti hyn te njerëzit të cilët vizioni mëngjesor është jo fort i largët nga ai tjetri, i përditshmi. Kështu pra, unë po i drejtohem bashkërisht Attali-së president, e Jacques-ut njeri: një popull ndër më të vjetrit e Europës, bashkëmoshatar me grekët e vjetër, martir, i varfër dhe i heshtur, ndodhet përballë rrezikut të shkatërrimit ekonomik e moral.

Për Londrën, ky komb ka një kujtim të hidhur (në fillim të shekullit, pikërisht atje, gjatë një konference, ai u nda më dysh). Shpresoj që në mbarim të shekullit, Londrës t’i jepet rasti t’i kthejë pakëz gëzim. Shpresoj se tij, Jacques, do bësh diçka për këtë. Unë e di se do ose s’do ti, emri yt përmendet tani në shumë kancelari, duke zgjuar mirënjohje të një pale e ndoshta, qejfmbetje te të tjerët. Meqenëse administrata e vendit tim ishte e vetmja që mungonte në Londër, kam të drejtë të them se në rastin e shqiptarëve, emri yt ka të bëjë jo me shtetin, por me popullin shqiptar. E kjo është gjë fare e veçantë, Jacques, kujtesa e një populli. Duke të uruar suksese në punën tënde të re.

Yti,
Ismail Kadare
Paris, 14 maj 1991

***
Epilogu i udhëtimit pa fat në Londër ndodhi në mënyrë të papritur. Një mëngjes, ndërsa po merresha me mësimin e përdorimit të një modeli të ri makine shkrimi, ra telefoni. Ishte Jacques Attali. Mendoj se ishte fat që e ngrita unë dorezën, sepse Is kishte për ta tradhtuar zëri. Ai ishte ende i pizmosur nga Jacques-u, sidomos ngaqë ai s’i ishte përgjigjur letrës së tij. Përkundrazi, zëri i Jacques-ut ishte aq i gëzuar, saqë padashur fillova unë të ndiej njëfarë pakënaqësie. Pasi këmbyem mirësjelljet e zakonshme, ai më pyeti nëse Is ndodhej në shtëpi. Me siguri është i zemëruar me mua, tha. Po unë kam një surprizë për të.

Is e mori telefonin me një prishje buzësh. Por, një grimë më pas, kur e dëgjoj që lëshon një britmë në shqip. “Moji, mor horr, ti qenke?”. Në telefon po fliste Gramoz Pashko drejt e nga zyra e Jacques Attali-së në Londër. Ja kush na paskësh qenë surpriza dhe, ç’është e vërteta, ishte vërtet e jashtëzakonshme. Siç e shpjegoi një minutë më pas në telefon, Jacques-u ishte betuar me vete të mos thoshte e të mos shkruante asgjë, gjersa ta ndreqte atë punën e Londrës. Për të kishte qenë më se e habitshme kur, pas ftesës që i qe bërë qeverisë shqiptare, zëvendëskryeministri i saj, i ardhur në Londër për punën e pjesëmarrjes së Shqipërisë në BERZH, na qenkësh mik yni. Ishte Moji i bodrumit në Tiranë, Moji i darkave, i intervistës së famshme te “Zëri i Amerikës”. Telefoni kaloi disa herë nga dora e Is tek imja, pastaj prapë tek Is. Kishim aq mall dhe aq shumë gjëra për të thënë me mikun tonë të ardhur nga Tirana. Midis bisedës Jacques-u tha se letra e Is ishte shumë e bukur dhe ishte e para letër që u vendos në arkivin e porsathemeluar të bankës, si tepër e veçantë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama