Angelus është Çmimi i Letërsisë së Evropës Qendrore që jepet në Wroclaw, qendra e jugut polak. Çmimi mban emrin e të ashtuquajturit Angelus Silesius poet religjioz vendas i shtatëqindës. Qysh në mesjetë qyteti është njohur me dy emra Breslau për gjermanët dhe Wroclaw për polakët që pasqyron fytyrën bilinguale të tokës kufitare polako-gjermane. Në rrjedhë të historisë i ka përkitur sa Polonisë e Bohemisë, aq edhe Austrisë e Prusisë, duke marrë diçka nga Praga e Krakovi, nga Berlini e Vjena, me fetë katolike e protestante, me një komunitet influent hebre. I shpëtoi shkatërrimeve të luftës së dytë botërore deri në tre muajt e rrethimit kur luftonin ushtritë gjermane e sovjetike që e kthyen një nga qytetet më të shkatërruara të Evropës.
Fasadat baroke në pjesën e Qytetit të Vjetër janë të ruajtura mirë, me katedralen gotike në qendër. Këto ditë dhjetori janë instaluar kabina druri ku ekspozohen e shiten produkte të bëra me dorë, nga porcelani vendas te pema e Krishtlindjes.
Ky është qyteti evropian i kulturës i vitit 2016 që për ta fituar këtë drejtë ka konkurruar me vlerat e Varshavës, Gdanskut, Katovicës. Në vitin 2000 këtë mundësi për promocion, turizëm dhe zhvillim e kishte Krakovi.
Shumë të rinj ka në rrugë dhe çifte të reja që shtyjnë karroca fëmijësh, megjithëse ajri është i ftohtë dhe djegës për sytë si pluhur rëre. Qyteti rrëshqet në një film pa zë.
Veprat publike të artit janë kudo, shtatore dhe miniatura skulpturale që tregon për tolerancë ndaj artit bashkëkohor shpesh i vështirë për t’u pranuar edhe nga polakët. Guri ka qenë një element integral i peizazhit të këtij qyteti ku ndodhet një nga Akademitë më të rëndësishme të Artit dhe Dizajnit. Studentët përbëjnë 10 për qind të komunitetit të Wroclaw-s gjashtëqind mijë banorësh.
Në Opera po shfaqet Falstaff me kostume. Në Teatr Polski jepet Çmimi Angelus. Është viti i gjashtë dhe rëndësia e Angelus-it shihet si e një matësi për prozën që vjen në gjuhën polake nga 21 vende të Evropës. Kur u themelua më 2005, Shqipëria nuk përfshihej në hartën e çmimit vjetor ku shënohen: Austria, Bjellorusia, Bosnje-Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Çekia, Estonia, Lituania, Letonia, Maqedonia, Moldavia, Gjermania, Polonia, Rusia, Rumania, Serbia, Sllovakia, Sllovenia, Ukraina dhe Hungaria.
Qëllimi i Angelus-it ishte vlerësimi i shkrimtarëve nga Evropa Qendrore veprat e të cilëve trajtojnë tema që lidhen me të tashmen, që thellojnë njohjen e botës së kulturave të ndryshme dhe nxisin reflektimin për përvojat diktatoriale. Nisur nga kjo e fundit u justifikua përfshirja e Shqipërisë me këmbënguljen e një grupi shqiptaro-polak ku rol ka veçanërisht përkthyesja e letërsisë shqipe në gjuhën polake Dorota Horodyska e cila drejton shoqatën e miqve të të dy vendeve.
Angelus mbështetet financiarisht edhe nga Ministria polake e Kulturës dhe Trashëgimisë Kombëtare. Vlera financiare është rreth 37 mijë euro për autorin fitues dhe 5 mijë euro për përkthyesin.
Pink Maria dhe letërsia konceptuale
Finalja e Angelus 2011 u mbajt më 3 dhjetor në skenën kryesore të Teatr Polski. Është teatër 100 vjet i vjetër, i rikonstruktuar me kushte moderne. Salla kryesore ka rreth 500 vende, dy galeri. Skena është e lartë dhe e thellë. Banda muzikore qëndron pas kolonave të larta që imitojnë serinë e shtatë librave finalistë ku evidenton titulli, emri i autorit, i vendit nga vjen dhe emri i përkthyesit. Janë shtëpitë botuese polake ato që sugjerojnë veprat për Angelus-in. Juria me 10 anëtarë e kryesuar nga disidentja ruse Natalia Gorbaniewska (1930), gjykon mesatarisht çdo vit 50 vepra. Nga botimet e vitit 2010 mbërritën në fund: Swietlana Aleksijewicz nga Bjellorusia, Natalka Babina edhe kjo nga Bjellorusia, Jenny Erpenbeck nga Gjermania, Maria Matios nga Ukraina, gazetari polak Wojciech Tochman me reportazhet nga Ruanda, Drago Jančar nga Sllovenia i botuar nga Pogranicze. Kjo shtëpi boton dhe Ismail Kadarenë konkurrent në Angelus me “Ślepy ferman” (Qorrfermani). Pogranicze dhe Czarne janë dy shtëpitë botuese dominuese në këto finale. E para ka botuar edhe Fatos Lubonjën, Ylljet Aliçkën, përkthime të Horodyska-s. Më 2006 hyri në finale me “Pallatin e ëndrrave” të Kadaresë. Ndërsa Czarne është shtëpia botuese e shkrimtarit Andrzej Stasiuk që ka udhëtuar dhe përshkruar Shqipërinë (Rrugës për në Babadag). Ka botuar “Lëkura e qenit” e Fatos Kongolit dhe dy libra të Ornela Vorpsit “Vendi nuk vdiset kurrë” dhe “Dorën që s’e kafshon…”
Czarne i jep rëndësi reportazhit. Dy libra të tillë merrnin pjesë në finalen Angelus. Njëri u shpall fitues: “Fytyra jofemërore e luftës” Swietlana Aleksijewicz-it. Dukej se dilema për të zgjedhur midis reportazhit dhe fiction-it e kishte ndarë jurinë e Angelus-it. U pa në fjalët e profesor Andrzej Zawada-s, anëtar i jurisë që dha në skenë argumentet.
Mbrëmja para çmimit ishte një seri performancash me pjesë të zgjedhura nga veprat finaliste. Pavarësisht tendencës së regjisorit për ta mallëngjyer publikun duke zgjedhur nga të shtatë veprat rrëfime për dhunën ndaj femrës apo botën femërore, aktoret nga 20-70 vjeç, ishin të shkëlqyera. Sapo kishim lënë në Teatrin Kombëtar në Tiranë një surrogato banale të filmit të Formanit mbi jetën e Moxartit.
Nga Kadare ilustrohej “Qorrfermani” me monologun e Marisë ose Mejremes, nusja e re e Qyprillinjve tek eksploron sepeten me të linjta dhe shijon bukurinë e trupit ndërsa imagjinon kthimin nga qorroficja e mashkullit të saj. Aktorja lëviz nën një kolonë zanore jazz-i live dhe zhvesh të linjtat ngjyrë trëndafili. Kadare është sa brenda jashtë kontekstit të prozës së tij politike mbi frikën.
“Qorrfermani” është botuar në gjuhën polake si triptik ku bëjnë pjesë “Breznitë e Hankonatëve” dhe “Komisioni i festës”. Kështu që, ndërsa Maria digjet nga dëshira, mendon se ç’lidhje ka ky kuadër me ato tablotë e Shano Hankonit që jep me qira një krah shtëpie këtu, një pullaz atje, apo atmosferën e kabunive dhe bakllavave për festën e rikthimit të Shqipërisë si vend i bekuar në gji të perandorisë otomane.
Andrzej Zawada (1948), historian i letërsisë, kritik, eseist profesor i shkencave të komunikimit në Universitetin e Wraclaw-it e shprehu hapur se ai është për letërsinë autentike, origjinale dhe jo për reportazhin sado që ky zhanër e ka hedhur dukshëm një këmbë në letërsi. Vendimi ishte marrë pro autores bjelloruse Aleksijewicz-it kështu që prof. Zawada nuk e fshehu më që vota e tij dhe e disa anëtarëve të jurisë kishte shkuar për shkrimtarin shqiptar. “E vlerësoj Kadarenë për gjithçka, për tematikën e cila për ne është sa ekzotike aq dhe universale. E kuptoj “Qorrfermanin” falë mënyrës si është shkruar. Kadare është një shkrimtar i cili për çdo temë kërkon një kuptim të ri. Për mua kjo është letërsia konceptuale, e futur në traditën e rrethit kulturor të letërsisë ballkanike, mesdhetare. Gjuha, metafora, alegoria, dhe njëkohësisht klima psikologjike, emocionale dhe shumë dramatike, bën që librat e tij të jenë të pakrahasueshëm me asgjë. Për të gjitha këto arsye që ju thashë, kemi luftuar me anëtarët e tjerë të jurisë. Kadare ka qenë shumë afër çmimit. Ishte vendimi i kryetares së jurisë që e shpalli fituese autoren bjelloruse. Pra, vendosi aritmetika.”
Në thelb, Angelus zgjedh librin artistik, por është e dyta herë që fiton reportazhi, një zhanër me traditë të fortë në letrat polake këto 50 vjet. Çmimi Ndërkombëtar për reportazhin mban emrin e gazetarit polak Riçard Kapushinski.
Duke qenë në kontakt të përditshëm me të rinjtë prof. Zawada del në një përfundim. Sot në Poloni të rinjtë mendojnë që po dominon historia dhe ata janë ngopur nga martirologjia, librat mbi Evropën Komuniste. Që rinia nuk lexon, është normale. Sa për nivelin e letërsisë evropiane, profesori mendon që është mjaft i mirë, “përndryshe Angelus nuk do të ishte ky që është”.
Intervistë me përkthyesen Dorota Horodyska
Një libër për spastrimet politike
Përkthyesja e letërsisë shqipe në gjuhën polake ka pasur dy ngjarje këtë vit: “Qorrfermani” i Ismail Kadaresë hyri në finalen e Angelus, konkursi ndërkombëtar për prozën evropiane; dhe “Fëmijët e natyrës”, vëllimi poetik dygjuhësh i Luljeta Lleshanakut konkurron finalen e Çmimit Poeti Evropian i Lirisë që zhvillohet në Gdnask në mars 2012.
Horodyska ka përkthyer disa autorë shqiptarë. Me Kadarenë që para saj përkthehej në polonisht nga gjuhë të dyta, Horodyska ka ndjekur një praktikë pune të veçantë. Ka përkthyer e botuar diptikun “Pasardhësi” dhe “Vajza e Agamemnonit”, romanin “Pallati i ëndrrave” nga më të rëndësishmit e krijimtarisë së autorit shqiptar, dhe së fundi, ka konceptuar nën titullin “Qorrfermani” një triptik romanesh otomanë.
Veprat e Kadaresë botohen me tirazh 1500 kopje. E me gjithë problemet për të gjetur botuesin e duhur, Horodyska planifikon ta zgjerojë figurën e shkrimtarit me botime të tjera. Me zhvillimin që pëson skena polake e librit, ndryshon dhe interesi për letërsinë që vjen nga Shqipëria apo Ballkani.
Fundviti është një stinë e mirë për librin, si një nga dhuratat që sugjerohet për ta zbuluar nën pemën e krishtlindjes. Promocioni është i larmishëm nga metrotë në shtojcat kushtuar librit. Reklamohet “Makbethi” i Shekspirit, biografi të këngëtarëve vendas, esetë e një prifti të guximshëm, publicistika gjysmëshekullore e Vaclav Havel-it.
Por kryelibri është “Ëndrra dhe sekrete” i Danuta Walesa-s. Ish zonja e parë e Polonisë, tregon në dritë të diellit dyzet vjet martesë me Lech Walesa-n liderin e lëvizjeve antikomuniste në Poloni. Nëna e tetë fëmijëve flet për izolimin e saj me barrën e familjes ndërsa i shoqi ngrihej në karrierë politike. E tani që ai burrë është i sëmurë pas internetit, ajo nuk mund ta divorcojë dot. “Polakët nuk mund të thonë që Danuta gënjen” shton Dorota Horodyska komentin e saj mbi këtë libër, duke skicuar me këto fjalë një paralele të ngjashme në tregun e vjeshtës shqiptare të librit.
Dorota, si u krijua ky triptik romanesh otomanë nga Kadare, një libër që nuk ekziston në shqip.
Ideja nuk erdhi menjëherë. Unë vendosa të punoja me “Breznitë e Hankonatëve” që në fillim të viteve dymijë, duke menduar që ky do të ishte fillimi im si përkthyese. Kur mbarova versionin e parë isha e pakënaqur nga cilësia e përkthimit. Së dyti, ky libër ishte shumë i hollë për ta botuar më vete. Mendova për të bërë plotësimin me novela të tjera të këtij stili nga periudha otomane. Gjeta atëherë dy romane të vegjël që mund të ndërtonin një libër të veçantë. Duke ndjekur hierarkinë e viteve, nga më të fundit te më të hershmet, dhe duke pasur parasysh forcën tërheqëse, mendova që më e tmerrshmja duhej vendosur në krye. Ky ishte “Qorrfermani” 1984, i paparashikueshëm, “Breznitë…” i vitit 1977 që rri në mes si një tregim i cili zhvillohet ngadalë, pa asnjë dialog, dhe “Komisioni i festës” i vitit 1976, me një fund gjithaq të prekshëm sa dy të parët, kur ka rënë qetësia mbi Shqipërinë e cila nuk ekzistonte më.
Nga pikëpamja e stilit, zgjodha këto tri romane të shkurtër për të dhënë një prezantim sa më të gjerë të autorit.
Zhvendosjen 200 vjet pas, Kadare e sjell edhe nëpërmjet arkitekturës, vendeve që shqiptarët banojnë, objekteve që përdorin, hierarkisë familjare, sistemit juridik. Duhet të ketë qenë jo e lehtë për ju të transportoni në gjuhën polake jo fjalën por këtë kulturë.
Vizitat në muze, albumet e veshjeve, udhëtimet në Gjirokastër, bujtja në shtëpitë e Hankonatëve e Zekatëve, të gjitha këto më kanë ndihmuar. E kam nisur përkthimin e tri romaneve dhe iu jam rikthyer pas disa vjetësh për ta mbushur këtë libër me përvojë tjetër shpirtërore. Kam punuar ndërmjet me libra të tjerë.
Si ia keni dalë me fjalët e urta e shprehjet frazeologjike, për shembull: “Pikë e strehës, mortje e derës”, “ta vidhte hundën midis syve”, “gjumë e brumë”; me emrat e atij arsenali enësh të kuzhinës te “Komisioni i festës”; fjalë të krijuara si qorrofic e qorrjatak, apo me emra të personazheve e të vendeve?
Emrat janë lënë dhe janë dhënë shpjegimet përkatëse aty ku është e nevojshme, për shembull për burgun e shtëpisë, apo për fjalën sternë e cila është lënë ashtu siç është shkruar.
Te “Komisioni i festës” e kam pasur të vështirë, fjala vjen, të gjejë emrin e bashtepsisë që përdoret për kryebakllavanë. Por shkallë më të lartë vështirësie paraqiste ligjërimi i sulltanit. Duhej që formula e tij gjuhësore të shkonte rrjedhshëm e të mos tingëllonte false në gjuhën polake. Jam munduar ta transportoj me saktësi stilin e kohës së vjetër. Unë nuk jam historiane, as etnologe, por ky triptik është punë e përbashkët e përkthyesit me gjithë të tjerët që kanë dhënë këshillat e tyre, historianë si Tadeusz Czekalski, antropologë si Rigels Halili. Kërkoj ndihmë për të gjitha këto.
Ndërmjet tri romaneve, qëndron “Pallati i ëndrrave” si kohë shkrimi dhe si tekst ku përurohen ide e personazhe të këtij romani që do të merrte meritat e gjithë të tjerëve. Ju “Pallatin…” e keni përkthyer ndërmjet tyre.
Pas përkthimit të “Pallatit…” kisha më shumë përvojë me këtë lloj letërsie. Them se përkthimi i triptikut më ka angazhuar më tepër. Në krye, për nga vështirësia, mbetet “Breznitë e Hankonatëve” sepse ishte përkthimi im i parë.
Erosi te “Qorrfermani”: ekziston aty ku frika është më e fortë. Pikërisht kjo pjesë ishte zgjedhur për performancën skenike në Angelus…
Kur në një libër politik futet dimensioni njerëzor si marrëdhënia e çiftit të ri te “Qorrfermani”, atëherë ky është shembull i gjallë i një sistemi që shkatërron njeriun. Ky libër tregon për spastrime të tipit stalinist në Shqipëri, për tmerrin e paparashikueshëm.
U përmend disa herë si ekzotike për lexuesin polak bota që sjell shkrimtari shqiptar.
Kjo është një stemë, një klishe në relacionet për Shqipërinë. Ndoshta dikur ka qenë ekzotike, kur Shqipëria nuk kishte asnjë lidhje me botën. Nëse dikush kërkon vërtet t’i njohë e kuptojë shqiptarët, atëherë ajo që në fillim i duket ekzotike, zhbëhet.
Personalisht është diçka që më tërheq e që më shqetëson. Kjo më shtyn të kërkoj drejt asaj që duket e pakuptueshme, në lidhje me letërsinë dhe botën shqiptare.
Si e gjykon vendimin e jurisë së Angelus-it?
U zhgënjeva jo që Kadareja nuk fitoi, por që në një konkurs letrar hyjnë zhanre jo të pastër letrar, si reportazhi i cili ka çmimin e vet në Poloni. Dhe një libër që ka fituar çmimin e reportazhit, fiton edhe në këtë konkurs.
Në pranverë 2012 një tjetër autor shqiptar, Luljeta Lleshanaku e përkthyer nga ju, konkurron në Poloni për Çmimin e Poetit Evropian të Lirisë.
Libri “Fëmijët e natyrës” është hedhur në qarkullim prej dy muajsh. Për mua ishte hera e parë që merresha me poezi. Autorja ishte e hapur për konsultime dhe më ka shpjeguar botën e vet. Në poezinë e Luljetës kam gjetur botën femërore në kohën e komunizmit. Të përshkruash përvojën e persekutimit në poezi është e vështirë. Ka një cikël aty, “E hëna në shtatë ditë” ku zbulohet me një stil nervoz dhe me mjeshtëri kjo botë. Libri i Luljetës dallohet nga gjashtë librat e tjerë në konkurrim, poetë nga Turqia, Gjermania, Ukraina, Polonia, sepse është një libër konkret që jep përgjigje për temën e konkursit “poeti evropian i lirisë”. Për një norvegjeze liria është të jesh lesbiane. Edhe kjo liri është, por për mua janë të pakrahasueshme, janë dy dimensione krejt të ndryshme të lirisë njerëzore.
Jam e lumtur që një poete shqiptare u botua, që do të vërehet, do të lexohet. Sa për vendimet e jurisë, ato janë të paparashikueshme. Në këtë kuptim nuk mund të them që me Kadarenë ne dështuam.