Letrat qe su lexuan kurre

Letrat qe s'u lexuan kurre

Sot, 101-vjetori i krijimit të Postës Shqiptare. Historitë e letrave dërguar ushtarëve italianë në Shqipëri në vitet 1944-1945, të cilat nuk mbërritën asnjëherë në adresën që ishte mbi zarf. Për më shumë se gjysmëshekulli këto letra kanë mbetur të pahapura në arkivin e Postës Shqiptare. Përmes tyre shohim një anë tjetër të luftës, atë njerëzore…

Më 1 janar të vitit 1944, Luciana i shkruante të shoqit, Klementinit, i cili ndodhej në luftë në Shqipëri, të kthehej sa më shpejt. Teksa i tregonte për vdekjen e së ëmës dhe paralizën e të atit, ajo i lutej që kjo heshtje kaq e gjatë mes tyre të mos zgjaste më. Asgjë nuk e lumturonte më shumë gruan e mbetur me shtratin bosh sesa një letër nga ai. Lucia është një tjetër grua italiane që ka kthyer sytë nga Tirana, duke pritur disa fjali të shkruara nga i shoqi, Avellino.

 

“Të shkruaj këtë letër, për të thënë që unë jam mirë bashkë me Gerardin e vogël dhe familjen. I dashuri im nuk e beson dot çfarë lumturie kam marrë kur mora letrën tënde. Tani jam më e qetë… Kam shumë gjëra për të treguar, por në një letër çfarë mund të them. Të them që kthimi yt të jetë sa më i shpejtë, të jemi afër e të flasim përballë. Të afërmit e tu duan të na blejnë gjithmonë ndonjë gjë. Ata e dinë situatën ekonomike dhe këtu ushqimet kushtojnë shumë dhe unë s’mund të jetoj dot me 13 lira në ditë. Kam bërë çdo lloj pune deri zdrukthëtare, pasi të rritësh një fëmijë duhen shumë pare. Veç të blesh një palë këpucë kushton 600-700 lira…”, i shkruan ajo më 28 maj 1944. Umberto, një djalë i vogël, i shkruan të atit në Shqipëri, në vetëm dy rreshta për t’i thënë që është mirë dhe që e pret me mall. Ndërsa Ema është tronditur nga një letër që i fejuari i saj i ka dërguar një tjetër vajze italiane, Laurës, ku i shpreh dashurinë.

 

Në letrën nisur ushtarit Franko Malizia në Shkodër, ajo i lutet t’i shpjegojë se çfarë ndien vërtet për të… “Argumenti meriton përgjigje e çfarëdo lloji të jetë ajo”, shkruan ajo. Franko nuk e lexoi kurrë letrën e Emës. Ashtu si bashkëshortët e Lucianës dhe Lucies nuk i lexuan letrat e grave të tyre. As i ati i Umbertos nuk i lexoi fjalitë e mbushura me mall të të birit. Për më shumë se gjysmëshekulli, gati 68 vjet, këto letra drejtuar ushtarëve italianë në Shqipëri, kanë mbetur në arkivat e Postës Shqiptare, pa mundur të arrijnë në destinacion. Në një kohë luftërash, letrat ishin ato që bashkonin njerëzit dhe pse mijëra kilometra larg njëri-tjetrit. “Duke mos pasur gjë për të thënë, të dërgoj gjithë përshëndetjet familjare, dhe po munde më shkruaj, e më dërgo një letër, më plotëso këtë dëshirë.

 

Mamaja jote nuk ndalon së mbajturi foton tënde në gjoks”, i shkruante një mik profesor Oskar Iginos, i cili punonte në Radio Tirana në Shqipëri. Letrat ishin ato që afronin distancat dhe i bënin njerëzit të besonin se e nesërmja do të ishte ndryshe. Një burrë e kishte më të lehtë t’i shkruante një gruaje çfarë kishte në zemër përmes një letre, ashtu si një grua atij. Letrat e ushtarëve italianë, të cilat janë hapur gjatë kohës së komunizmit dhe botohen sot për herë të parë, janë një tablo e gjallë e asaj çfarë sillte lufta te njerëzit që ishin përfshirë në të. Janë të dhembshme letrat e nënave dërguar bijve, po ashtu edhe ankthi i të dashuruarve për ta parë sa më shpejt njëri-tjetrin dhe gjallë. Njerëzit nuk duan luftë, nuk e kanë dashur asnjëherë atë. Kjo ndihet në çdo rresht që vjen përtej detit. Në 101-vjetorin e krijimit të Postës Shqiptare këto letra vijnë dhe një reflektim për kohët kur njerëzit u besonin më shumë letrave, dhe pse përmbajtja e tyre është e trishtë. Një letër mund të ndryshojë çdokënd, ndaj shkruani letra…

Nevi Margherita

Rruga: Del Cantinone, 3

Capodimonte (Viterbo)

 

Capodimonte 31.5.1945

I dashur Giovanni

Është hera e dytë që po të dërgoj shkrimet e mia, duke të thënë që ne jemi shumë mirë me shëndet dhe kështu shpresojmë që të jetë dhe për ty siç më thoshe në letrën tënde të 04.04.1945, ku me shkruaje se nuk dije gjë për ne. Ndërsa unë të kam dërguar shumë e shumë letra e me sa duket nuk ke marrë asnjë. Po rri i qetë, ne jemi shumë mirë dhe Marisa është rritur e bërë e madhe e mezi po pret babanë e vet. Së bashku ne i lutemi Zotit të madh, që të të shpëtojë e të shoqërojë në rrugën e kthimit, se u bëmë shumë kohë që jemi larg.

Giovanni, të lutem kiji kujdes rrezikut, fatkeqësive që mund të ndodhin në jetë. Unë lutem që ti të kesh fatin të kthehesh sa më shpejt, se ne s’durojmë dot më.
Unë kam marrë lajmet nga një njeri që quhet Leonard, që nga një ditë në tjetër ti do të jesh në shtëpi.

Përshëndetje nga familja jote dhe nga familja ime. Nga unë dhe nga Marisa.

Një përqafim e njëmijë puthje.

 

E merr: Ushtari Nevi Giovanni

Pika e qëndrimit Ushtarak Italian në Durrës

Nga Komisioni Ushtarak Giuseppe Garibaldi

Rruga “Dante Aligeri”
146.

E dërgon: Orzi Primo

Adresa: Villa Menci Belle

Dicomano (Provincia Di Firenze)

30.05.1945

 

I dashur baba

Po të shkruaj këtë letrën time të vogël, për të thënë se unë jam mirë dhe mami po ashtu. Pas një kohe të gjatë, unë mora letrën tënde. O çfarë gëzimi që patëm kur morëm letrën. Shpresojmë që ti të kthehesh në shtëpi sa më shpejt me shëndet të mirë dhe Zoti do të ndihmojë deri në ditën e fundit. I dashur baba, dua të them se ne nuk jemi më në Dicomano, por jemi në Belle, për shkak të bombardimit të 27 majit 1944, por për këtë gjë të lutem mos rri në mendime se unë dhe mamaja jemi mirë dhe fatkeqësira nuk na kanë ndodhur se unë ndodhesha jashtë në S. Lucia te xhaxhallarët kur ndodhi bombardimi, ndërsa mami kishte shkuar në pyll… Shtëpia jonë ishte djegur dhe shkatërruar nga bombardimi, por ti rri i gëzuar se ne jemi mirë si unë dhe mami. Mezi presim që ti të kthehesh. Oh çfarë gëzimi do të jetë. Mbrëmë kur mora letrën tënde mamaja nuk ishte, ndodhej tek Bortolozzi, se edhe ai jeton afër nesh. Unë menjëherë shkova te mami për ta lexuar letrën, nuk mund ta imagjinosh çfarë gëzimi ndjeu ajo.

Të puth fort, mami dhe djali yt Pari

Të puth fortdjali yt Pari

Përshëndetje së shpejti

E merr: Orzi Renato

Nga Komisioni Ushtarak Giuseppse Garibaldi

Tiranë (Shqipëri)
 

Dërgon: Emma Caselunghe

Rruga: Palestro 7 Foligno

(Perugia)
 

29.05.1945

Franco i dashur

Unë mendoja se asgjë nuk mund të më helmonte, por sot ka ardhur një letër nga ty 08.04.1945.

Në fakt, mendoja se ti ishe në Gjermani, dhe e dija se shumë të tjerë kishin mbetur aty ku ishin, e kjo më bënte të mendoja. Ne pas ardhjes së aleatëve jemi kthyer në qytet dhe bëjmë një jetë boshe. Kemi vuajtur rreziqet e luftës, por tani duhet t’i harrojmë. Ti mua më bën shumë pyetje dhe unë do të përgjigjem ashtu siç ma do zemra në këtë moment.

Franco, shpeshherë të kam shkruar me adresa të ndryshme, por vetëm heshtja ishte nga ti. Përgjigjja shumë e pritur për mua, e me këtë letër që po ju shkruaj, shpresoj të ketë kuptimin e duhur. Ka kaluar vetëm një vit nga ngjarja, po për mua mbetet një plagë që shërohet pak e nga pak. Një ditë të bukur, erdhi në duart e mia një letër e famshme dhe të tjera më pas të njëpasnjëshme të shkruara me dorën tuaj për zonjën Laura, ku ishin shkruar fjalë përbuzjeje dhe urrejtjeje për mua. Unë nuk mund të mbetem indiferente ndaj atyre fjalëve që tani jam duke iu referuar, sepse ishte një letër për të kënaqur tërë botën, tregoje për dashurinë e vërtetë dhe të sinqertë, po përse me kaq ironi?

Duhet të dish se kjo ka bërë të lumtur dhe shumë persona të tjerë, sepse shkrimi yt rrëmben me besnikërinë e tij. “I fejuari im”, ti ke shkruar vetëm për shkak se dëshiroja unë të dëgjoja këto fjalë të bukura dhe ti i ke dhënë kënaqësinë të tjerëve që të luajnë me shkrimin tënd. Kam pranuar në ato momente fjalë të dashura të familjes tënde, në një vizitë të bërë rreth motivit se donin të dinin lajme mbi adresën tënde. Mendoj se motrat e tua do më kenë kuptuar, se edhe ato dashurojnë dikë.

Dua të shkruaj shumë gjëra, por nuk po e zgjas shumë, sepse kuptoj se do më duheshin metra kub letër dhe jam lodhur duke shkruar për një gjë që e kam në zemër. Por po të them diçka, frikë mos ki, nuk kam frikë nëse të tjerët tallen me mua, unë bëj detyrën time. Siç të kam qenë gjithnjë e sinqertë, kam me fakte që të jem akoma më shumë e sinqertë. Për fjalë të tjera ashtu siç më shkruaje nuk ta mohoj, por unë vetëm për ty i kam ndenjur indiferente të tjerëve gjer më sot. Shumë herë ke shkruar për tërheqjen tënde të çmendur për mua, por për një gjë ose për diçka tjetër unë kam pasur më shumë se një dhimbje, dhe nuk dua që ti të shkruash fjalë të bukura për të më bërë që të kuptoj që ti je akoma i imi…Unë dua tek ti dashurinë e vërtetë, e të sigurt në qoftë se ti e do akoma, dua të më japësh shpjegime për atë që më sipër me shpirt të kam shkruar, e të dish një gjë se argumenti, meriton një përgjigje cilado të jetë ajo…

E merr: ushtar Franco Malizia

Botari Shkodra (Shqipëri)

Romë 27.1.1945

Giusto i dashur

U bë shumë kohë që nuk kam marrë lajme nga ty. I dashur Giusto, a s’të vjen keq tani që të kthehesh? Fëmija ka nevojë për babain e tij, përse babai i tij nuk kthehet? Babai i tij ka harruar çdo gjë, nuk i kujtohet më që ka një grua 22-vjeçare dhe një vogëlush 2 vjeç, është e vërtetë Giusto?? Unë të pres gjithmonë dhe të dua shumë i dashuri im. Mund të kem ndërruar fytyrë si e sëmurë, por zemra është gjithmonë ajo e katër viteve më parë. Të dua shumë ta them haptazi që të dua, të mendoj gjithmonë, por tani filloj të ndihem pak e lodhur dhe e vetmuar. Dua që në qiell të ndriçojë pak dritë për mua, nuk e mendon ndonjëherë?

Vitet tona të lumtura i ka marrë era e kthehet vetëm forma që unë të dua shumë. Mbas disa ditësh do të shkoj te shtëpia e një shoqes sime, dhe do kem tension kur të dëgjoj të gjithë emrat deri sa të vijë emri yt. Bëj që kjo të jetë sa më e shpejtë. Unë dua burrin tim, në qoftë se ai nuk do një grua tjetër.

Giusto kthehu shpejt. Dua të them që Franko është mirë e të dërgon shumë puthje dhe shumë të tjera t’i dërgoj unë.

Anna.

E merr: Z. Giusto Mamer

Misioni ushtarak në Shqipëri

Rruga “Dante Aligeri, 145”

E dërgon: Egidio Mancini

Qendër formale Cinelli

Vetralla

Viterbo (Itali)

 

Vetralla në 05.01.1945
 
Djali im i dashur

Kam marrë letrën tënde ditën e enjte të Krishtlindjeve dhe ç’kënaqësi të madhe që patëm të gjithë, se kishte më shumë se një vit që s’kishim marrë lajme prej teje. Kështu që të gjithë mbetëm të kënaqur që ti je mirë me shëndet dhe tani presim me padurim të përqafojmë sa më shpejt i dashur bir. Po i varfëri Carlino, s’dihet gjë? Le të bëjmë kurajë e të lutemi gjithmonë për të. Ne nuk jemi të gjithë të lirë. Lufta na ka dhënë dëshpërime dhe tani shpresojmë që lufta të mbarojë sa më shpejt. Sante është në shtëpi, por vëllezërit e tu janë në luftë akoma. Tani ai punon shofer, dhe ka marrë një kamion 509. Gianni së bashku me burrin e Roses në bombardimin e Vetrallës kanë mbetur të vdekur. Ka mbetur i vdekur dhe xhaxhai Antonio dhe e bija e tezes Eminias Fiorina. Letrën tënde e ka sjellë njëri i aviacionit të Vetrallës dhe na tha se ti ishe mirë. Ti e di ku përqendrohet e gjithë posta në Shqipëri. Këtë radhë ndoshta mund të ndodhesh atje, dhe mund të përfitosh të vish këtej. Do ishte një gjë shumë e madhe ajo që ne dëshirojmë. Ditë-natë mendimi i vetëm që kemi është që ti të kthehesh në shtëpi. Përshëndetje të dashur nga vëllezërit dhe nga motrat tuaja, veçanërisht më të shtrenjtit prindërit tuaj.

Përgjithmonë ati juaj…

Egidio Mancini

E merr: Paiolo Mancini

Misioni Ushtarak Shqiptar

Rruga: Dante Aligeri 145

Elbasan (Shqipëri) 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama