Gjermania e Lëvit edhe në turneun e pestë nuk arrin dot të fitojë duelin e dytë gjatë fazës në grupe.
Trajneri Joakim Lëv është shprehur i kënaqur me rezultatin dhe lojën e mbrojtjes, si dhe premton fitoren në ndeshjen e fundit ndaj Irlandës së Veriut.
Lëv, cili është vlerësimi juaj për barazimin ndaj Polonisë?
Luajtëm shumë mirë në mbrojtje, duke mos lënë asnjë shans për gol. U duk sikur na rrezikuan, por në fakt Manuel Nojer nuk kapi asnjë top prej tyre në kuadrat. Kjo tregon se ky repart ka funksionuar. Por të mos harrojmë që Polonia qëndroi shumë e tërhequr.
Jeni i kënaqur me barazimin?
Nuk jam i kënaqur me një pikë, pasi më pëlqen vetëm të fitoj. Në vija të përgjithshme barazimi ishte rezultati më i drejtë.
Ku çaloi loja e Gjermanisë?
Ne nuk ishim mirë në 1/ 3-at e fushës. Nuk arritëm dot të gjenim zgjidhje. Pasimi i fundit dhe aksioni i fundit para portës nuk ishte në nivelet që duam ne. Kjo bëri që të mos rrezikonim shumë seriozisht Poloninë. Por në shumë momente luajtëm me topa të gjatë në zonën e rreptësisë, çka nuk ishte ide e mirë, pasi Polonia ka dy qendërmbrojtës të fortë dhe shtatlartë.
U pa qartë që loja juaj është fokusuar nga e majta. Pse?
Është përqendruar nga e majta, sepse Hëvedes është lojtar defensiv. Për të luajtur në sulm duhet t'i japësh hapësira krahut më të shpejtë dhe më ofensiv. Nga krahu i majtë Hektor, Ozil dhe Draksler kanë më shumë shkathtësi me topin.
Pritej më shumë nga Ozili dhe Myleri. Në këto dy ndeshje s'kanë qenë në nivelet e pritshme.
Nuk duhet të shqetësoheni aspak për formën e Ozilit dhe Mylerit. Të dy janë lojtarë me kualitet të lartë. Ndaj Polonisë nuk kishin fat.
Çfarë synoni në ndeshjen e fundit ndaj Irlandës së Veriut?
Ne do të kualifikohemi. Kundër Irlandës së Veriut do të marrim atë që duam. Skuadrat që luajnë këtu për herë të parë duan të luftojnë për gjithçka. Pres një rival tepër mbrojtës, por për ne nuk do të ketë asnjë mur të na ndalë. Ndërsa në finalet e mëdha mendoj se loja do të jetë disi më e hapur, sepse të dyja skuadrat duan të fitojnë.
Përgatiti: ENIAR IBRO