Trajneri gjerman Joakim Lëv vlerëson fitoren e Francës si të merituar, ndërsa rrëfen se fati i ndeshjes u vendos nga një penallti e dhënë nga gjyqtari italian në fundin e pjesës së parë.
Deklarata e tij vjen pasi Gjermania humbi mbrëmjen e së enjtes ndaj Francës mundësinë për të shkuar në finale me Portugalinë, pas dy golave të shënuara nga Antuan Grizman.
"Ky është futbolli dhe në një ndeshje ka gjëra që ndodhin... Franca arriti deri në fund me 2 gola në avantazh dhe kur fiton 0-2 e meriton. Besoj se do të fitojë Europianin, sepse Portugalia nuk ka bindur deri më tani.
Ne ishim skuadra më e mirë sonte, por penalltia vendosi ndeshjen. Në fillim ishte një ndeshje e kontrolluar, më pas jo shumë. Në këto kushte disa raste mund të vendosin lojën. Po të kishim shënuar, do të dominonim ndeshjen. Një gol në 44´ është një shok. Luajtëm me krenari dhe me meritë. Grizman është një lojtar i madh",-tha Lëv.
Duke folur për golin e dytë, ai evidentoi rolin e Shkodran Musfativ në gabimin e mbrojtjes gjermane.
"Ishim tre kundër tre, luajtëm topin te Mustafi që duhet ta kishte larguar nga zona e rrezikut. Dominuam kryesisht në mesfushë, në atë situatë duhet të luanim. Nojer pothuajse e arriti topin, por më pas i ra pranë sulmuesit francez. Presioni në pjesën e dytë ishte i madh dhe ne patëm rastet tona",-ka thënë Joakim Lëv.
Për sa i përket penalltisë, Lëv është përpjekur të evitojë polemikat. "Nuk duhet kometuar puna e gjyqtarëve. Nëse shihni se si Shvajnshtajger mundohet të arrijë topin dhe se si i rrëshqet mbi dorë... është vetëm mungesë fati. Nuk ka asgjë për të cilën të ankohesh. Ka një lëvizje të rrjedhshme kur kërcen dhe nuk mund ta kontrollosh", ishin fjalët e tij duke justifikuar kapitenin.