Robert Levandovski i ka vënë qëllim vetes të arrijë finalen e dytë të Champions-it në karrierë. Pas dështimit në 2013- ën me Dortmundin, sulmuesi polak ëndërron të jetë kampion Europe këtë vit. Gjatë një interviste për "uefa.com", bomberi i Bajernit flet për duelin me Atletikon, humbjen e finales 2013 dhe Pep Guardiolën.
Levandovski, çfarë dini për Atletiko Madridin?
Ata kanë mbrojtjen më të mirë të kampionatit spanjoll. Janë një ekip që u pëlqen të luajnë në kundërsulm. Duhet të jemi të kujdesshëm. Ata kanë lojtarë të shkëlqyer dhe ka për të qenë një duel nervash. Në Madrid shpresoj të tregojmë fytyrën e vërtetë dhe të kthehemi me një rezultat pozitiv në Mynih. Të qenit sulmues është një sfidë të përballesh me të tilla ekipe që pësojnë pak gola. Ka për të qenë një duel i luftuar, por ne jemi Bajerni. Do të përgatitemi shumë mirë dhe nuk duhet të bëjmë gabime për të shkuar në finale. Ambicia dhe kualiteti do tregojë kush e meriton finalen.
Çfarë keni dëgjuar mbi atmosferën në stadiumin "Visente Kalderon"?
Kemi dëgjuar se kjo arenë renditet në tre stadiumet me atmosferë "ferri" në Europë, por ne do ta kthejmë në një tempull parajse. Më pëlqen të luaj në atmosfera kaq të nxehta, qoftë në ndeshje brenda dhe jashtë. Kur tifozët gumëzhijnë kundër teje, të motivon dhe të jep adrenalinë më shumë. Me Dortmundin e humbët finalen ndaj Bajernit në 2013-ën.
A duhet konsideruar si motivim për ta fituar sivjet Champions-in?
Ishim e vetmja skuadër që mund ta ndëshkonim Bajernin, por nuk ia dolëm. Nuk më erdhi mirë, sepse ishim një gol larg triumfit në "Uembli". Goli në fund dhemb. Unë besoj gjithnjë që një ditë do ta fitojë këtë trofe. Do të japë më të mirën dhe shpresoj ta realizoj këtë vit.
Shumë thonë se po shohim Levandovskin më të mirë në karrierë. Është e vërtetë?
Po zhvilloj një sezon shumë të mirë. Dua të shënoj akoma dhe shumë gola të rëndësishëm për të fituar tituj. Si me Bajernin dhe kombëtaren po kaloj një sezon të shkëlqyer.
Pep Guardiola luan sezonin e fundit në krye të Bajernit. Ndieni njëfarë detyrimi apo presioni për ta fituar Champions-in edhe për të?
Do ishte një dhuratë e bukur për Guardiolën, ta përcillnim si kampion Europe. Do ishte qershia mbi tortë e këtyre tre viteve të tij. Çdokush ka rrugën e vet dhe e di shumë mirë që, nëse i mbyllet njëra portë, i hapet tjetra. Nën drejtimin e Guardiolës duam të fitojmë çdo ndeshje që ka mbetur dhe festojmë së bashku titujt e mundshëm. Personalisht ndihem i nderuar që jam stërvitur nga një trajner i madh si ai. Do të mbetet një eksperiencë e bukur dhe patjetër që i jam mirënjohës. Jam përmirësuar shumë si lojtar falë leksioneve dhe aftësive të tij për futbollin. Ky është viti i së vërtetës kur kemi të gjitha shanset për të mësuar nga gabimet e së kaluarës.
Përgatiti: ENIAR IBRO