TIRANË, 21 Nëntor /ATSH/ -Lëvizja Rinore për Integrim organizoi një takim me studentët e Tiranës me temën "Sfidat e Studentëve".
Në takim morën pjesë Kryetari i LRI-së, Endrit Braimllari, deputetja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj, Kryetarja e KDK të LSI-së, Erisa Xhixho, Sekretari i Përgjithshëm i LRI-së, Bruno Liço, Zv.Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Nora Malaj dhe NënKryetarja e Bashkisë së Tiranës, Brunilda Paskali.
Deputetja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj tha se arsimi duhet të zërë një vend më të madh në buxhetin e shtetit, ndërsa theksoi përfaqësimin e të rinjve në vendimmarrje.
"Për të realizuar të gjitha ato gjëra që ne kërkojmë për arsimin, kushte më të mira, standarde më të mira, cilësi për të vazhduar pastaj tek infrastruktura, kurrikula më e mirë, lëndët e me radhë padiskutim që do të duhen financat për ta realizuar këtë. Jo më larg se disa muaj më parë ka kaluar edhe ligji i ri për arsimin e lartë, që gjithashtu kërkon një fond më vete për t'u implementuar. Ndaj në këtë çështje, unë mendoj dhe jam e bindur, arsimi duhet të zërë një vend më të madh në buxhetin e shtetit. Krahasuar me vitin që shkoi, ngelemi në të njëjta nivele, për të mos thënë që diku mund të shikojmë edhe ulje", - tha Mehmetaj
Kryetari i LRI-së, Endrit Braimllari tha se "Përpara zgjedhjeve lokale ne premtuam që ne të gjitha këshillat bashkiake në nivel kombëtar, përfaqësimi i të rinjve do të jetë mbi 30 %. Në këshillin bashkiak të Tiranës jemi 70 % të rinj. Kemi ardhur në qeverisjen lokale me një ide shumë të qartë, arsimim dhe punësim. Nëse ne nuk krijojmë mundësinë e arsimimit të të rinjve, atëherë nuk kemi as kushte për t'i krijuar punësim në të ardhmen, pasi arsimimi dhe punësimi janë të lidhur ngushtë me njëra-tjetrën. Sfidat europiane të zhvillimit të vendit tonë, kërkojnë një rini aktive, një rini që të përballet me tregun e punës europian"
Zv.Minstrja e Arsimit dhe Sportit, Nora Malaj u shpreh se zëri i studentëve është shumë i rëndësishëm për vendimmarrjet e buxheteve dhe për orientimin në kuadër të gjithë nevojave që kanë studentët si edhe për nivelet e kërkimit shkencor. "Nuk kemi një nivel të pëlqyeshëm në drejtim të kërkimit shkencor. Qeveria në këtë pikë të marrë një nga nismat dhe reformat më të rëndësishme në arsimin e lartë për të nxitur kërkimin shkencor si një domosdoshmëri dhe për të futur në dy nga projektet më të rëndësishme. Ne do të krijojmë një qendër pranë LSI-së për të orientuar të rinjtë se si mund të bëjnë 1-6 muaj studime në universitetet simotra pa ndërprerë studimet e tyre, duke marrë përfitime e kredite", - tha Malaj.
Ndërsa, Kryetarja e KDK-së së LSI-s, Erisa Xhixho tha se "Fokusimi drejt edukimit dhe fokusimi drejt arsimimit është çelësi i suksesit. Edhe mesatarja është shumë e rëndësishme, jo vetëm për përfaqësimin tuaj te punëdhënësi, por edhe tek studimet jashtë që mund të vazhdoni".
/f.n/