Levizjet e kembesoreve
- Botuar: 13 vite më parë
- Shkruar nga:
Në Britaninë e Madhe, makinat mbajnë kahun e majtë, ndërsa në trotuar, këmbësorët mbajnë kahun e djathtë
Ecja ndikohet edhe nga kultura: indianët ecin më shpejt se gjermanët
Duke ecur në grup, vendosemi padashur në formë “U”-je për të folur, por ngadalësojmë të ecurën
Më të ngadalshmit? Ata që bëjnë pazar. Më të shpejtët? Studentët. Shkenca ka marrë përsipër të studiojë mënyrën se si ecim, duke u ndihmuar nga kompjuterët
Ka nga ata që përdorin algoritme të vështira, duke përpunuar të dhënat që vijnë nga sinjalet Gps të celularëve të mijëra personave. Të tjerë, që ekzaminojnë filmimet e regjistruara nëpër sheshe, duke klasifikuar çdo kalimtar dhe duke përpunuar sinjalet. Të tjerë akoma që studiojnë mënyrën sesi lëviz një pulë afrikane mbi një sipërfaqe të rrëshqitshme, për të kuptuar shmangien e rënies në akull…
Gjatë 20 viteve të fundit, falë informatikës, është një fushë shkencore që ka bërë hapa të mëdha përpara: studimin e sjelljeve të këmbësorëve për të projektuar ndërtesa dhe qytete në bazë të lëvizjes së njerëzve. Një disiplinë e vështirë, duke qenë se kur ecim, rruga jonë diktohet më tepër nga rasti (si lëvizja kaotike e një molekule në një gaz) dhe ka ligje të paparashikueshme. Përveç të tjerash, problemi i së ecurës është një çështje e vjetër: zakonisht kur dy persona që ecnin në këmbë takoheshin me njëri-tjetrin, kjo do të thoshte se do të sfidoheshin në duel.
Si një tufë
Teknikat më të zhvilluara të lëvizjeve të këmbësorëve bazohen te programet e fuqishme, që janë në gjendje të rindërtojnë rrugët e personave në situata të ndryshme dhe ecjet e tyre në shkallë të lëvizshme, korridore të ndryshëm sidomos në raste rreziku (zjarresh, tërmetesh) dhe evakuimi. Për të qenë të kuptueshëm, këto modele duhet të paraqesin pamjet tipike të mënyrës sonë të të lëvizurit. Kjo i ka çuar studiuesit të arrijnë në përfundime të paimagjinueshme. Për shembull, një studim i bërë nga Universiteti “Leeds” (Mbretëria e Bashkuar) zbuloi se pjesa më e madhe e jona kur ecën mbi një trotuar, edhe pse ka një qëllim të qartë në kokë, përpiqet të ndjekë të tjerët. Vetëm 5% e njerëzve e vendos rrugën se ku do të kalojë, ndërsa 95% ndjek pararendësin. Kështu shkruhet në raportin e studimit. Pra në thelb jemi të prirur të lëvizim si një tufë. “Njerëzit janë të prirur të lëvizin në mënyrë irracionale, duke vrapuar me shpejtësi drejt daljes më të afërt e duke injoruar korridoret e tjerë të disponueshëm. Në këtë mënyrë mund të krijojnë pengesa të rrezikshme”, thotë një studiues.
Çdo njeri ka hapin e tij
Secili prej nesh ecën në mënyrën e tij sipas aktivitetit që kryen. Banorët e periferisë ecin më shpejt, për të arritur në kohë në destinacionin e duhur, në këtë rast në shtëpi ose në zyrë. Personat që dalin shëtitje, ecin më ngadalë sepse pëlqejnë më shumë të flasin e të shohin, sesa të shpejtojnë. Studiuesit e Universitetit të Zyrihut (Zvicër) dhe Tolosas (Francë) thanë se grupet me 3-4 persona vendosen gjithnjë në formë “U”-je, në mënyrë që të gjithë të shohin njëri-tjetrin dhe të dëgjojnë çfarë thuhet. Në fakt forma e “U”-së nuk është shumë efikase. Kështu mendon edhe koordinatori i studimit, Guy Theraulaz. Nëse do të donim të lëviznim lirshëm dhe më shpejt, duhet të vendosemi në formë “V”-je të përmbysur, siç bëjnë patat në fluturim që kanë një lider në krye dhe të tjerët e ndjekin pas, por për këtë nuk mund të flasim. Veç të tjerash, hapi është një karakteristikë te njerëzit dhe kjo na ndihmon të krijojmë modele të besueshme: të gjithë kalimtarët e një lloj tipi lëvizin në të njëjtën mënyrë. Mesa duket, filozofi gjerman Immanuel Kant (1724-1804) ishte aq i përpiktë në shëtitjen e tij të përditshme, saqë fqinjët rregullonin orët e shtëpisë me ecjen e tij.
Dridhje
Kur gjendemi mes një grumbulli njerëzish, të gjithë lëvizim me të njëjtën shpejtësi dhe hap, duke e lëshuar të gjithë peshën e trupit mbi dy gjymtyrët e poshtme. Në fakt, lëvizja e tepërt mund të shkaktojë të dridhura deri në atë pikë sa të dëmtojë një strukturë të qëndrueshme. Në vitin 2000, në Londër, kur u përurua “Millenium Bridge” (Ura e Mijëvjeçarit), një urë këmbësorësh mbi Tamiz, u vu re se pikërisht për shkak të këtij fenomeni lëkundjeje në mënyrë të frikshme, rrezikohej që të hidhte në lumë të gjithë kalimtarët. Për këtë arsye ura iu nënshtrua një ristrukturimi urgjent.
Të shkujdesur
Ka edhe veprime që ndikojnë në mënyrën e të ecurit. Një studim i Universitetit të Illinoisit në Urbana-Çempeinj (SHBA) mori në ekzaminim një grup këmbësorësh të moshave të ndryshme, të cilëve iu kërkua të kalonin rrugën pranë një kryqëzimi teksa përdornin celularin ose “iPod”-in. Të gjithë ata që kishin në dorë mjete që ua tërhiqnin vëmendjen e ulnin shpejtësinë kur i afroheshin kryqëzimit. Kjo situatë ishte më e rrezikshme për personat nga 59-81 vjeç, të cilët zakonisht qëndrojnë gjatë në kryqëzim. Megjithatë kjo nuk është vetëm çështje moshe. Studiuesit që merren me studimin e këmbësorëve duhet të marrin parasysh edhe dallimet kulturore. “Në projektet e evakuimit të njerëzve nëpër stacionet britanike përdorim një model lëvizjeje të këmbësorëve, të ngjashëm me atë të situatave normale. Për sa i përket sigurisë në Britaninë e Madhe, gjithçka është shumë e organizuar dhe në çdo dalje ka roje që në rast alarmi, ndërhyjnë menjëherë për të shpërndarë flukset e njerëzve drejt daljeve të sigurta. Në një studim të ngjashëm, por të kryer në Arabinë Saudite, gjysma e pelegrinazhit të besimtarëve myslimanë, na u desh të përdornim një skemë lëvizjeje kaotike të këmbësorëve, tipike e situatave të panikut. Në krahasim me anglezët, arabët nuk e kanë ndjenjën e rendit dhe të sigurisë”, shpjegon studiuesi.
Heq dorë nga…
Trashëgimia jonë kulturore pasqyrohet edhe në aspekte të tjera. Mehdi Moussaid, studiues i institutit të Berlinit “Max Planck”, ka analizuar mënyrën se si lëvizin kur diku tutje shohim një person të cilin e njohim dhe që po vjen drejt nesh. Moussaid zbuloi se fakti që lëvizin nga e majta në të djathtë nuk është rastësor, por një karakteristikë tipike e qenieve njerëzore. Në këtë rast nuk ka fare lidhje drejtimi i trafikut: për shembull në Britaninë e Madhe ku makinat mbajnë kahun e majtë, kalimtarët janë të prirur të zënë kahun e djathtë të trotuarit.
Një studim tjetër i kryer në Gjermani nga qendra e superllogaritjeve “Julich”, që realizon simulime për qëllime shkencore, tregoi sesi kur ecin me shpejtësi indianët janë më të zotë se gjermanët. Indianët janë mësuar më shumë me kontaktin fizik, madje edhe në hapësira të ngushta, ata ndihen mirë. Gjermanët përpiqen ta shmangin me sa munden mosprekjen me kalimtarët e tjerë. Kjo është edhe arsyeja që lëvizjet e tyre janë më të ngadalta dhe më të vonuara.
Djathtas dhe majtas
Mënyra e të ecurit ka ndikuar gjithashtu edhe në menaxhimin e trafikut të automjeteve: zakoni britanik që makinat mbajnë kahun e majtë e ka origjinën nga një porosi mesjetare, sipas së cilës kush mbante shpatë duhet të qëndronte në të majtë për të shmangur faktin që arma të binte në këmbët e kalimtarëve të tjerë dhe për ta përdorur më lehtë në rast nevoje.
Vazhdimi
Por çfarë na duhet të dimë kaq shumë gjëra për mënyrën e të ecurit? Për të projektuar hapësira të përshtatshme për ecjen e kalimtarëve. “Për të bërë projekte me programe simulimi. Kemi nevojë të dimë disa të dhëna të rëndësishme si për shembull prurjet, ose më saktë numrin e personave që kalon në një vend të caktuar për një periudhë të caktuar kohe; shpejtësinë e kalimtarëve dhe dendësinë e tyre: pra sa këmbësorë mund të qëndrojnë mbi një sipërfaqe”, thotë një docent i teorisë dhe teknikës së qarkullimit.
Labirintet
Qarkullimi i këmbësorëve është studiuar me kujdes edhe nga projektuesit e qendrave tregtare. Alan Penn, nga universiteti “College” i Londrës, ka bërë disa simulime kompjuterike dhe arriti në përfundimin se rruga kryesore që drejton vizituesit nëpër dyqane do të sjellë më shumë përfitime nga sa ishte parashikuar. Sipas Penn, në këtë rast, përparësia është e labirintit ku janë vendosur dyqanet, sepse kjo i detyron klientët të humbasin orientimin. Kështu duke vizituar të gjitha pikat e shitjes, blejnë më shumë.
Detaje
95% – Përqindja e këmbësorëve, të cilët edhe pse kanë një drejtim të vetin, ndjekin personin që kanë para
20% – Diferenca e shpejtësisë në hyrjet dhe daljet nga stacionet e metrove. Njerëzit janë të prirur të ecin më shpejt në dalje, për të kapur mjetin e dëshiruar
Zebra, pulëbardha…
Në Britaninë e Madhe ekzistojnë 4 lloje ecjesh në trotuar. Ja cilat janë:
1) Zebra: rripa të vijëzuar me bojë të bardhë dhe të zezë, ku njerëzit kanë gjithmonë të drejtë përparësie
2) Pelikan: kalim me semafor dyngjyrësh, të kuq dhe jeshil
3) Pulëbardha e detit: ka një semafor në të njëjtën anë të trotuarit me një buton që kur shtypet nga këmbësorët ndizet drita jeshile
4) Papagall: është një rrugë e gjerë me semafor me tri ngjyra, edhe për çiklistët