Lexim pa anesi i arkivit Migjeni

Lexim pa anesi i arkivit 'Migjeni'
Brikena Smajli foli më 13 tetor në Akademinë e Arteve për Arkivin Migjeni në Muzeun Historik të Shkodrës. Ajo pati aftësinë të paraqesë lëndën e këtij arkivi me kthjelltësi e pa bezdi sikurse nuk ndodh shpesh me leximin e dokumenteve për një publik. Për shkak të një problemi teknik autorja e kumtesës, e ftuar nga Universiteti i Tiranës dhe Qendra e Studimeve Albanologjike me disa studiues të tjerë për një lexim të ri të jetës dhe veprës së poetit shqiptar, Smajli nuk mundi t’i paraqesë kopjet e dokumenteve origjinale të cilat ajo i këqyr përmes rreshtash.

Arkivi i Migjenit në Muzeun e qytetit të Shkodrës i krijuar më 13 tetor 1961 ruan pak material prej. Megjithatë pedagogia e Letërsisë në Universitetin Kristal, Smajli ngre disa pyetje “të reja”, të cilat ajo i shtron në këtë intervistë për “Shekullin”.

Për këto nuk është e interesuar familja Luarasi dhe këshilltarët politikë kameleonë pranë saj që e kërkojnë monopol privat veprën e Migjenit, në të gjitha format: nga amendamentet “Ceka” (2008) në një qorrparlament, te fyerjet e rrugës, brenda studiove televizive ku pretendojnë që për Millosh Gjergj Nikollën, t’i thuhet e t’i jepet publikut gjithë ç’është dhe nuk është e drejtë sipas tyre.

Fondi “Migjeni” në Muzeun Historik të Shkodrës si është krijuar, pasuruar apo edhe varfëruar në vite.

Fondi “Migjeni” është “themeluar”, pikërisht 50 vjet më parë, më 13 tetor 1961, me rastin e 50-vjetorit të lindjes së autorit. Burimet nga janë marrë materialet janë kryesisht fondi i Arkivit të Shtetit, familjarët, miqtë e dashamirët, si edhe institucionet shtetërore. Kuptohet ai është pasuruar e plotësuar ndër vite, me materiale e dokumente, ashtu siç mund të pasurohet ende sot që po flasim, me të dhëna të tjera.

Dokumentet dhe certifikatat e familjes Nikolla, a ka mes tyre të dhëna që lënë vend për diskutimin e përkatësisë etnike të Nikollave?

Në dosjen nr.1 të fondit janë dhënë një mori të dhënash identitare të Migjenit, çertifikata e lindjes, dëftesa shkollore, pasaportat. Jo në të gjitha shënohet kombësia a etnia. Vendlindja është e qartë, Shkodër, Shqipëri. I vetmi dokument ku shënohet kombësia është ai i pasaportës dhe lejeqëndrimit për në Itali (kombësia shqiptare – nazionalita: albanese) si edhe në letrën bashkëshoqëruese të eshtrave të tij 6 tetor 1955, shënohet: “La presente cassetta contiene i resti della salma dello scrittore Albanese Millosh Gjergj Nikolla, fu Giorgio, nato a Scutari li 13 ottobre 1911”.

Dokumentet shkollore, dëftesat shënojnë vendlindjen Shkodër (Shqipëri) pa përcaktuar nacionalitetin, as etninë. Ndërsa dëftesa e maturës së Migjenit ka të shkruar: “Millosh Gj. Nikolla, i biri i të ndjerit Gjorgj, tregtar – i lindun në Shkodër (Shqipni) me 30 shtatuer 1911 – i besimit orthodoks – linduer – ka krye në vjetin 1931-32 klasën e pestë të seminarit në Bitolj…”. Teksti që po citojmë në shqip është përkthyer nga vetë Migjeni, me shkrim dore.

Ju folët për disa dokumente që kanë të bëjnë me motrën Ollga e që në mënyrë indirekte të çojnë te arsimimi i Migjenit. Si qëndron puna?

Ollga Nikolla është motra më e vogël e Migjenit. Ajo ka kryer gjithë hallkat e arsimit, edhe atë universitar. Këtë të fundit e ka vazhduar, përfunduar me bursë të Shtetit shqiptar në Itali. Në kohën kur Millosh Nikolla pranoi nëpunësinë e tij shqiptare si mësues në Vrakë, motrës Ollga që studionte me bursë të shtetit jugosllav për letërsi në Bosnje, i ndërpritet kjo bursë në vitin e fundit të studimeve, prandaj ajo kthehet në Shqipëri. Informacionin e mësipërm e marrim vesh nga një letër e saj si edhe Inspektorisë së Drejtorisë Arsimore, Shkodër drejtuar Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë për një bursë studimi për jashtë. Letra mban datën 17.08.1933. Kërkesa nuk plotësohet po atë vit, pasi “atë vit ministria nuk dha asnjë bursë studimi për jashtë” (shkresë e dt. 08.01.1934) Ollga emërohet mësuese në shkollën e Garucit, pastaj në atë “28 nanduer”, por vitin shkollor pasardhës ajo do të marrë bursën e kërkuar (shkresat e dt. 21-22.11.1934) dhe do të përfundojë studimet në Torino.

Pyetja është: Pse Millosh Nikolla (Migjeni) nuk arriti asnjëherë të regjistrohet për studime universitare (për letërsi, siç kërkonte) jashtë? Të ketë qenë shkak mungesa e predispozitës së shtetit të atëhershëm shqiptar, ndaj nëpunësit të vet, që kishte treguar jo pak përkushtim dhe, marrëdhënia zyrtare me të cilin është më se korrekte?

Si do ta lexonit ju dokumentacionin e arsimimit të tij?

Atëherë shtrojmë pyetjen tjetër: Cili është shkollimi i Migjenit, diploma e maturës e së cilës do mundësonte këtë regjistrim? Migjeni është dekretuar (jo emëruar) nga Kryeministri i atëhershëm Pandeli Evangjeli (dekreti nr. 395, dt. 18.05.1933) dhe Ministri i Arsimit dr. Mirash Ivanaj. Detyra që po ndërmerrte nëpunësi i ri (mësues) ishte shumë delikate dhe e vështirë. Reforma arsimore e nisur nga ministri i atëhershëm i arsimit dr. Mirash Ivanaj, po synonte të forconte shkollën kombëtare, duke shkëputur, ndër të tjera, shkollën nga feja si edhe duke forcuar arsimin shqiptar përkundrejt shkollave të huaja. Millosh Nikolla nuk ndeshi vështirësi vetëm rrugës shkuarje e ardhje me biçikletë për në Vrakë, vështirësi që do t’i kapërcejë me sukses. Arsimi i detyruar ishte 5 klasë të shkollës shqiptare, arsimit shqip. Në këtë kuptim Millosh Nikolla, i emëruar mësues, madje zv/kryemësues në këtë shkollë, qoftë kjo edhe shkolla e Vrakës, me një problematikë të veçantë, a e kishte shkollimin e nevojshëm, si për shembull atë të mësuesit të Normales së Elbasanit? Përgjigjja është: Jo.

Lëndët e studiuara në vitet e shkollës së Tivarit dhe asaj të Bitoljes në Manastir, janë tipike për shkollimin ortodoks fetar, aq më tepër, jo në shqip dhe nuk përkojnë me lëndët e studimit të gjimnazit (klasik apo shkencor), as Normales së Elbasanit. Që Migjeni është emëruar për arsye të veçanta dhe specifika të të qenit i veçantë edhe si formim teologjik, në një shkollë si ajo e Vrakës, kjo as që vihet në dyshim. Gjithsesi duhet t’i jetë kërkuar dhënia e disa provimeve plotësuese, qoftë për një barazim diplome me sistemin arsimor të shkollës së përgjithshme a Normales në punën si mësues, qoftë për njohjen e diplomës të përshtatshme për universitetet italiane, ku synonte të regjistrohej.

Në dosje kemi një shkrese të Inspektorisë së Drejtorisë Arsimore, Shkodër më 13.09.1936, me nr. prot. 50/32 ku Migjeni kërkon të japë disa provime të caktuara, sipas nenit 436, pika 6b. Migjenit “i është njohur e drejta e këtyre provimeve si edhe i janë përcaktuar lëndët për provim”, – shkruhet më tej në këtë shkresë. Gjykojmë se këto provime nuk duhet t’i ketë përfunduar, përderisa, kur shkon në Itali, (edhe për qëllime studimi) nuk arriti të regjistrohej. Dokumentet e tij u kthyen të palegalizuara.

Megjithatë, nëse shkollimi i tij teologjik në kolegjin e Bitoljes, qe i pamjaftueshëm për të vijuar studimet universitare për letërsi, qe po ky shkollim që na ka dhënë në mënyrë kaq befasuese Migjenin që njohim sot në shkrime. Është ky formim prej të cilit Migjeni do të na mbetet gjithmonë i ri dhe gjithmonë me një lexim të ri, prandaj edhe koha e formimi i tij në Manastir duhet parë e studiuar me kujdes.

Çfarë përmban fondi nga dorëshkrimet letrare dhe çfarë rezulton nga krahasimi me veprën e botuar?

Dorëshkrimet letrare të dosjes së dytë të fondit “Migjeni” përmbledhin 9 dokumente me rreth 111 fletë dhe përmbajnë një dokument të shkruar në serbisht me shënime për librat e lexuar dhe të tjerët në shqip me prozat dhe krijimet origjinale të tij. Në to përfshihen: I fundmi Skënderbe (shënim), Husarët n’Adriatik, Kanga e qytetit t’huej, Në zezonën e mizave, Sanatorium ‘San Luigi’, Novelat e qytetit të veriut, fragment nga Kanga e trumcakut. Krahasimi i teksteve të botuara dhe origjinalit, si edhe puna me shënimet, të rralla megjithatë, të dorëshkrimeve ka rëndësi për studimet filologjike dhe botimet e ardhshme.

Ju përmendët gjatë takimit një tip vule “të çuditshme” në një dokument të familjes Nikolla, një vulë me gjurmë trefishe. Mund t’i rimerrni edhe njëherë argumentet mbi të?

Nuk është një argument që mund të ngjallë çudi a habi, por vërteton një seriozitet me të cilin duhet parë ajo letër, e cila, duke mos qenë as letër drejtuar një miku a mikeje nënshkruar nga Migjeni, as edhe dokument zyrtar me firmë e me vulë të një institucioni, bart megjithatë të dhënat gjenealogjike të familjes Nikolla: ditëlindjet, vdekjet, martesat. Kjo letër, një fletë fletoreje ka në mes një vulë, të dukshme vetëm kundrejt dritës. Në të shfaqen tre rrathë të ndërlidhur, të cilët, sipas tipologjisë dhe domethënies simbolike përfaqësojnë Trininë e shenjtë. Teksti është i shkruar me lapës dhe në serbisht. Aty dallojmë të dhënat e pjesëtarëve të familjes në vijim: Sofija Kokoshi 15 tetor 1881-16 gusht 1916; Gjoko Nikoliq 1872-21 mars 1924; martesa tyre më 17 shtator 1900; lindja e fëmijëve: Nikolla 30.10.1901 (vdekur 29.04.1925); Lenka 19.1.1904; Jovanka 27.06.1907; Cvetka 24.03.1909; Mirko 30.9.1911; Voini 23.03.1915 (vdekur më 05.06.1916).

A ekziston certifikim vdekjeje i Migjenit në këtë fond?

Në këtë fond nuk ndodhet kartela mjekësore apo kopje e saj. Për muajt e fundit a ditët e fundit të poetit mund të kuptojmë gjithçka indirekt ose nëpërmjet vetë Migjenit. Kemi letrat e tij, dërguar miqve dhe motrave mbi gjendjen dhe qëndrimin e tij në spital (dosja nr. 3, letërkëmbimi)… si edhe dokumentacionin zyrtar që nga dita kur Migjeni kërkon leje nga Ministria e Arsimit për të shkuar për kurim (dt. 9.3.1938) deri tek shkresa e fundit e Ministrisë së Arsimit drejtuar Inspektorisë së Arsimit, Shkodër për ta njoftuar se Millosh Nikolla ka vdekur (shkresa me nr. prot. 934/9; dt. 12.10.1938, dosja nr.9)

Objekte personale?

Nuk mund të them me saktësi se çfarë objektesh personale ruhen në këtë fond, sepse tjetër është grupi i dosjeve që përmbledh dokumentacionin dhe tjetër është specifika e objekteve personale të ruajtura, të cilat nuk është se janë të ekspozuara diku. Ka në arkiv objekte personale të Migjenit, librat e tij për shembull. Në shumë pikëpamje vëmendja mbi çfarë ka lexuar dhe çfarë ka nënvizuar në to Migjeni, merr një rëndësi.

Dhe së fundi, një opinion personal: A mund të ekzistonte një muze më vete? Mendoni që ky përvjetor i institucioneve ishte ashtu siç e meriton Migjeni?

Përvjetorët gjithmonë do të sjellin një kujtesë simbolike të autorit (jo vetëm të Migjenit). Nga përvoja botërore them se 100-vjetori shoqërohet me një botim për 100 vjetor, gjë që për Migjenin as për autorë të tjerë nuk ka ardhur. Një njëqindvjeçar për një autor të historishkrimit shqiptar është i rëndësishëm në këtë drejtim edhe për një rilexim (të ri) të veprës pa pasionet e anësitë, rilexim që u bë më së miri në sallën e Akademisë së Arteve. Para se të jap përgjigje a duhet të ekzistojë një muze më vete për Migjenin, përgjigja e së cilës sigurisht do të ishte “Po!”, mendoj se do të duhet ende të përpiqemi të mbledhim dhe të plotësojmë dosjen e tij. Ka ende arkiva të pahetuara a të panjohura. Migjeni vdiq herët: ndoshta të mësuar me rininë e tij të përhershme, 100 vjetori i lindjes na ka ardhur shpejt.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama