“Stina e ujkut” flet për gjakimin e individit drejt një qëllimi, ndonëse përplot peripeci, edhe në këtë rrugë të gjatë, si e patjetërsueshme ku trajtohet ndeshja me botën e “jonjeriut”. Një dyluftim ky, sa fizik, po aq edhe shpirtëror, në të cilin njeriu, bie pre e kapërthimeve të jetës. Por sa natyrshëm vjen ky mesazh dhe kjo ide në gjuhën malaziase? Për këtë përkthyesi Nikollë Berishaj tregon për “Shekullin”, rreth përzgjedhjes së librit. “Në rastin e “Stinës së Ujkut” vet materia e plotëson një kriter të tretë të përkthimit të suksesshëm, njohjen e kulturës shpirtërore të të dy gjuhëve, gjuhës së origjinalit dhe asaj të përkthimit. ‘Stina e Ujkut’ është shkruar në një gjuhë universale të kombeve të Ballkanit dhe jo vetëm, andaj nuk ka vështirësi të ‘kapet’ në ambientin tjetër. Besoj se lexuesi malazias edhe serb, kroat, boshnjak... meqenëse këto gjuhë janë shumë të afërta, do të kënaqet gjatë leximit të ‘Stinës së Ujkut’ “të vet”, do të ballafaqohet me bipolaritetin ujk-njeri, apo njeri-ujk brenda vetes, në masën që kënaqet edhe lexuesi shqiptar. Besoj se është ruajtur edhe shumështresëmëria e kuptimit të vet dialogut”, shprehet Berishaj gjatë intervistës.
Një kuriozitet të parë në lidhje librin, përse zgjodhët që të përkthenit “Stina e Ujkut”, nga shkrimtari Ridvan Dibra?
Fenomenologjia e njeriut dhe ujkut, por edhe dikotomia njeri-ujk, gjegjësisht ujk-njeri nuk është e panjohur për shoqërinë malaziase dhe në përgjithësi për lexuesin e ish-Jugosllavisë, të cilës i destinohet përkthimi. Pavarësisht se na duket se ky është specialitet vendor “yni”, në fakt edhe të gjitha shoqëritë ish-socialiste kanë përjetuar bashkekzistencën njeri-ujk në shpellën e realitetit, por edhe kacafytjet dhe ballafaqimin skizofrenik, bipolar të njeriut, se a do të ngadhënjejë njeriu apo ujku brenda natyrës sonë.
Vetëm të përkujtojmë Atë Zef Pllumin me dëshmitë e veta në “Rrno vetëm për me tregue” dhe meshtarin e tij që fshihej në shpellë, por, kjo histori është po aq e vjetër sa historia e njerëzimit.
A nuk thoshin edhe latinët: “Homohomini lupus”?
Në fakt, përzgjedhja pikërisht e këtij romani për përkthim, duhet ta pranoj, nuk ishte imja. Vite më parë një shtëpi botuese malaziase e kishte marrë përsipër botimin e një romani të Ridvanit. Unë që atëherë e përktheva romanin që e zgjodhëm bashkë me autorin por, pavarësisht nga premtimet libri nuk doli në dritë, për shkaqe, për mua krejtësisht të panjohura. Vetëm sivjet konkurrova me të në Ministrinë e Kulturës së Malit të Zi dhe ata e mbështetën. Mirëpo, dëgjova se një fat të tillë ka edhe përkthimi në frëngjisht i të njëjtit autor. Sidoqoftë, përzgjedhja qe plotësisht e qëlluar.
“Stina e ujkut”, sipas dr. Zejnepe Alilit flet për gjakimin e individit drejt një qëllimi, ndonëse përplot peripeci, edhe në këtë rrugë të gjatë, si e patjetërsueshme trajtohet ndeshja me botën e “jonjeriut”. Një dyluftim ky, sa fizik, po aq edhe shpirtëror, në të cilin njeriu, bie pre e kapërthimeve të jetës. Por sa natyrshëm vjen ky mesazh kjo ide në gjuhën malaziase?
Ndeshja me botën e “jonjeriut” dhe lufta për mbijetesë, kuptohet jo çfarëdo mbijetese, është temë e shtjelluar jo rrallë në letrat botërore në përgjithësi. Në një vepër me të cilën u takova në vitet tetëdhjetë në përkthimin kroat me një titull aq domethënës “Pse nuk jeni vetëvrarë?”, psikiatri Viktor Frankl këtë pyetje ia shtron vetes si pjesëtar i Ossa Humiliata (Eshtrave të poshtëruar), pra si njërit nga vuajtësit e torturave të kampeve naziste të përqendrimit. Edhe autori ynë, Ridvan Dibra në ambivalencën njeri-ujk, edhe pse jo drejtpërdrejt e shtron tërë kohën pyetjen e gjetjes së “logosit” (kuptimit) të jetës. Romani sikur luan me nënvetëdijen shqiptare që ka një kujtesë aq të shkurtër dhe harresë shumë të shpejtë. Ndërkohë që njerëzit janë viktimë e harresës, bishat mbijetojnë duke iu falënderuar kujtesës së vet, shprehet diku autori. Është shumë interesant se si, gjatë leximit, edhe ne si lexues ndërrojmë anën tonë. Herë jemi në anën e njeriut, herë të ujkut. Dhe ky është edhe një sukses i romanit.
Njeriu sipas Dibrës, çfarë varësie krijon ndaj atyre që e udhëheqin?
Ridvan Dibra është autor që nuk mund të futet në kallëpin e tipit, “Çka ka dashtë autori të thotë?”. Në lojën e tij me tekstin (nganjëherë edhe me lexuesin) ai e udhëheq lexuesin drejt një “qartësie” të qëndrimeve, për të parë jo shumë më vonë se kjo “qartësi” në fakt është një mjegull e padepërtueshme dhe se ajo që pak përpara dukej e vetëkuptueshme, në moment bëhet “antagonizëm” i vetvetes. Diqysh kështu vepron edhe me njeriun në shpellë në “Stinën e Ujkut”. Kur je i bindur se ai do t’i fshikullojë ata që e sollën këtu, padashje të duket se gjen njëfarë mirëkuptimi për ta.
Dialogu dhe monologu i shkurtër e konciz vjen natyrshëm në shqip, sa besnik i ke qëndruar kësaj gjuhe?
Një president amerikan, ndërsa po përgjigjej ftesës së një televizioni për bisedë në studio tha: “Nëse dëshironi t’ju flas dy orë, mund të vij sonte, e nëse dëshironi t’u flas dhjetë minuta, më nevojiten së paku dy javë të përgatitem”. Ndërsa një fjalë e urtë thotë: “Ai që di të shkruajë aforizma nuk ka nevojë të shkruajë romane. Këto dy të vërteta më përkujtojnë shumë Ridvanin dhe stilin e tij në “Stinën e Ujkut”. Stili i shkurtër dhe konciz, sado që të duket i lehtë për lexuesin është mjaft sfidues për përkthyesin. Që të jetë një përkthim i suksesshëm duhet t’i plotësojë disa kritere. Besnikëria e përkthimit në njërën anë e ruan origjinalitetin e veprës dhe stilit, autorit, ndërsa në anën tjetër duhet respektuar edhe parimi i dytë i “mosnjohshmërisë”. Gjatë leximit në gjuhën e përkthimit nuk duhet ta ndjejmë vrazhdësinë e rrjedhës së tekstit. Ai duhet të rrjedhë sa më natyrshëm. Nuk duhet ta njohim se është përkthim, të tingëllojë sa më shumë “yni”. Kjo është luftë e gjithmonshme e përkthyesit. Në rastin e “Stinës së Ujkut” vet materia e plotëson një kriter të tretë të përkthimit të suksesshëm, njohjen e kulturës shpirtërore të të dy gjuhëve, gjuhës së origjinalit dhe asaj të përkthimit. “Stina e Ujkut” është shkruar në një gjuhë universale të kombeve të Ballkanit (dhe jo vetëm), prandaj nuk ka vështirësi të “kapet” në ambientin tjetër. Besoj se lexuesi malazias edhe serb, kroat, boshnjak... ngase këto gjuhë janë shumë të afërta, do të kënaqet gjatë leximit të “Stinës së Ujkut” “të vet”, do të ballafaqohet me bipolaritetin ujk-njeri, apo njeri-ujk brenda vetes, në masën që kënaqet edhe lexuesi shqiptar. Besoj se është ruajtur edhe shumështresëmëria e kuptimit të vet dialogut. Kuptohet, fjalën e fundit do ta japë lexuesi.
Çfarë vlerësoni në stilin e këtij shkrimtari, si qëndron vepra e tij në gjuhën malaziase?
Pavarësisht universalitetit të tematikës së tij, Ridvani është pjesë e ambientit shqiptar në kuptimin më të mirë të fjalës. Ndoshta mungesa e kritikës së mirëfilltë letrare te ne çdo vepër e botuar lavdërohet deri në qiell, ndërsa nuk “kritikohet” aspak, krijon një amulli, e cila u kushton shumë edhe autorëve të mëdhenj, siç është padyshim Ridvan Dibra! Kur lavdërohen të gjithë, si ta zbulojmë kush është vërtetë i mirë?
Rruga që ka zgjedhur Ridvani është rruga më e drejtë, por edhe më e vështirë për të shpërthyer në kulm, ku meriton të jetë. Ai nuk është “shkrimtar i pushtetit”, ai nuk e ledhaton përditshmërinë, ai duke krijuar botën e vet di të jetë i mprehtë, cinik, spirituoz, ironik (shprehje të studiuesit Anton Gojçaj).
Egoboka e personazheve të tij është “Ego-Bota”e krijuar me aq mjeshtri, në të cilën e fut lexuesin për të mos e lejuar të dalë nga ajo, duke i ofruar gjithnjë ushqim të ri shpirtëror. Si autor që është, jam i bindur se Ridvani do të funksionojë po aq mirë edhe në botën malaziase e pse jo edhe shumë më gjerë.
Bio
Nikollë Berishaj (1958), shkrimtar, poet dhe përkthyes është vlerësuar me Çmimin “Pretnar” (dr. Tone Pretnar 1945–1992 studiues, përkthyes, verzolog dhe profesor i Universitetit të Lublanës dhe Katovices / Poloni ), me titullin e nderit “Ambasador i letërsisë dhe gjuhës sllovene dhe i kulturave sllave”. Ky vlerësim është çmimi më i lartë që jep Sllovenia në lëmin përkthimit të letërsisë sllovene në gjuhët tjera dhe anasjelltas, si dhe vendosjes së marrëdhënieve dhe urave kulturore ndërmjet popullit slloven dhe popujve tjerë. Nikollë Berishaj prej vitit 1980 është anëtar i Shoqatës së Përkthyesve Shkencorë e Teknikë të Sllovenisë. Gjithashtu është anëtar i Shoqatës së Përkthyesve të Shqipërisë dhe Malit të Zi.