Kosova duket e pafat në pretendimet e saj për t’u përfshirë në zonën evropiane të lëvizjes së lirë pa viza. Bashkimi Evropian vendosi t’i bënte më rigoroze kriteret, pikërisht kur Kosova e konsideronte veten të gatshme për këtë proces.
Një masë të tillë Brukseli e kishte parë si të domosdoshme pas problemeve që i lindën me azilkërkuesit në rritje nga Serbia e Maqedonia, pas vendimit për liberalizimin e vizave për këto dy vende. Nisur nga masat shtrënguese për vendet e Ballkanit, edhe Parlamenti Evropian kishte nxjerrë më pas një rekomandim, sipas të cilit Komisioni Evropian mund të kthente regjimin e vizave për këto vende, në rast se nuk i përfillin kriteret e marrëveshjeve. Kjo atmosferë në Bruksel i shtyu eurodeputetet Tanja Fajon dhe Ulrike Lunacek që t’i paralajmërojnë edhe institucionet e Kosovës se nuk dihet data, madje as viti i saktë se kur Kosova mund të përfshihet në zonën e liberalizuar nga vizat.
Përveç anës teknike, që parasheh kritere dhe kushte, në BE ka rezerva në rritje sa i përket pranimit të shtetasve tjerë nga rajoni i Ballkanit në zonën Shengen. Institucionet e BE-së i kanë dhënë Kosovës mesazhe të qarta se mund të ketë zvarritje, qoftë për shkak të mospërmbushjes së kritereve nga ana e institucioneve, apo edhe për shkak të kritereve dhe rezervave në rritje të Brukselit që të pranojnë më tutje shtrirjen e liberalizimit për vendet ballkanike.
Meqë ky është një vit zgjedhor për institucionet e Bashkimit Evropian, ky zhvillim vlerësohet se do të ndikojë në zvarritjet shtesë për me vendet që synojnë zonën Shengen në një afat sa më të shpejtë.