Uji është tërhequr, shumë banorët janë kthyer në shtëpi, të tjerë kanë mbetur ende në evakuim, rrugët, jo të gjitha, janë bërë të kalueshme, procesi mësimor ka filluar dhe vazhdon "normalisht" në të gjitha zonat e prekura nga përmbytja.
Fëmijëve dhe të rinjve të shkollave që këto kohë fatkeqësia nuk i ka dalluar nga të rriturit, ka njerëz që mendojnë t'u çojnë pranë libra. Biblioteka Kombëtare ka marrë përsipër të dhurojë 1000 tituj për bibliotekat e shkollave në zonat e përmbytura.
Drejtori i Bibliotekës Kombëtare Aurel Plasari tha dje se për zonën në fjalë në historinë e së cilës "ka spikatur elementi bibliotekë, ndjejmë detyra disafishe. Këtë lloj ndihme Biblioteka e jep nga koleksionet e saj rezervë, me libra të përdorur dhe të rinj, dhuratë botuesish dhe autorësh".
Plasari pohoi se ky kontribut është miratuar nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, përfaqësuese të së cilës kishte dje zv/ministren Suzana Turku.
Dhurata janë libra letrarë, historikë, botime tradicionale. "Kontigjenti i dytë do të jetë sipas nevojës së bibliotekave", shtoi Plasari.
Drejtori i Bibliotekës së qytetit të Shkodrës Gjovalin Çuni i ardhur për këtë punë në Tiranë tha se kontingjenti i 1000 titujve do të shpërndahet në bashkëpunim me shtabin e emergjencave civile në Shkodër, në bibliotekat shkollore të komunave Dajç, Ana e Malit, Velipojë, Bushat etj. 20 shkolla gjithsej që i takojnë qarkut dhe qytetit, 4 janë shkolla të qytetit.
"Ndoshta ju do të thoni e kush e ka mendjen për libra tani në Shkodër. Por unë them se ngushëllimi më i mirë mund të ishte libri", tha Çuni i cili është koordinator për këtë rast.
"Dëshiroj t'ju bëj një apel të gjithë botuesve shqiptarë që t'i bashkohen kësaj shenje solidariteti të Bibliotekës Kombëtare për fëmijët." Çuni shtoi se kësaj ndihme i shtohet edhe ndihma e Bibliotekës së Shkodrës. Priten, ndërkaq, të dhëna për dëmin që është shkaktuar në shkolla dhe bibliotekat e tyre.
Elsa Demo : Gazeta Shekulli