Librat e Budes

Librat e Budës

Mbas koleksionit të Mit’hat Frashërit, ndoshta ky është i dyti fond i rrallë personal që gjen vend në BK. Shkon në vend një amanet i albanologut, ndërsa me dhjetëra vëllime të tjera Tatjana i ruan në shtëpi.

Ky është fondi i librave që si “kriter” ka dedikimin. “Leksit, me dashuri, këto duaj lulesh djali”. Mitrush Kuteli i shkruan Aleks Budës këtë kushtim në faqen e parë të “Këngë dhe britma nga qyteti i djegur”, botim i vitit 1944. Pra, ka shumë që janë donum auctoris. Gruaja që njeh pothuajse historinë e çdo libri, tregon se në ato raste ku nuk gjen shënim nga autorët, dedikimet janë përcjellë me kartvizitë. Ja dhe një tjetër, nga Eqrem Çabej tek një botim polak i studimit të tij “Vendi i shumësit të singularizuar në shqipe”, i vitit 1958. Veprat e Franc Banbingerit. Ai hyn tek autorët miq të rrallë të akademikut shqiptar. Historiani i perandorisë otomane pati lidhje të çuditshme me Shqipërinë, vendi ku gjeti vdekjen. Mbylli sytë në krahët e Aleks Budës. Këto histori Tatjana ka për t’i shkruar një ditë. Ajo ka aftësinë të rrëfejë pa e mërzitur lexuesin gjëra që i ka jetuar dhe të jetë e besueshme kur shkruan për gjëra që vetëm i ka dëgjuar. Ajo është dora që ka humanizuar kujtimet e shkruara në emër të profesor Budës.

Literatura dhe titujt në gjuhën gjermane dominojnë raftet. Ëshë gjuha bazë e formimit të tij. Tatjana që nuk rri gjatë tek kujtimet, tërheq nga rafti me dritë që i zbret e përmbajtur në fytyrë, përrallat e Grimëve në gjuhën gjermane, një libër i dashur që Buda baba ua lexonte në fëmini, në shqipe, duke i përkthyer aty për aty. Ka tituj të vjetër 250-vjeçarë. Aty është letërsia shqipe që nga fillimet, gjen libra këndimi të shtypur në alfabetin e Sofjes më 1902. Është e kuptueshme, sepse kjo bibliotekë i ka fillimet në shekullin e nëntëmbëdhjetë, nga gjyshi i Budës, Anastas Buda, intelektual që kishte studiuar në Padova.

Fondin bazë të kësaj pasurie, akademiku i ardhshëm e krijoi në kohën e studimeve në Salzburg dhe më pas në Vjenë prej nga do të kthehej në Shqipëri me afro 10 mijë vëllime “fryt i një gjahu sistematik nëpër antikuariate”, të blerë me shumë sakrifica, “disa herë duke hequr nga goja edhe kafshatën ose duke hequr dorë nga dëfrimet e moshës së rinisë.”

Në kujtimet e Tatjanës të cilat janë shkruar në vetë të parë sikur ky të jetë zëri i Aleks Budës (jo e zakontë në memuaristikën shqipe) thuhet: “Isha një dashurues maniak librash. Blija vepra të mira, por me lidhje të dobët, sepse kisha leverdi. Parimi im i pandryshuar gjithmonë ka qenë: sa më shumë libra me më pak para. Nuk mund të mburrem se në bibliotekën time kam edicione të rralla për nga paraqitja, siç mund të mburret një bibliofil i vërtetë, por them se kam libra vërtet me vlerë për nga përmbajtja.” Leximi i çdo libri e nxiste për të lexuar të tjerë.

Në themel janë filozofët, autorët grekë dhe latinë, të cilët i ka lexuar në gjuhët origjinale, dhe më tej “gjermanët e mëdhenj” Kant, Hegel, Gëte, deri tek Frojdi apo Kafka. Kultura gjermane dhe austriake ishte një ishull dhe më i madhi i bibliotekës që deri në fund të jetës ishte rritur deri në 20 mijë vëllime. Tek “Librat e mi”, një kapitull tek kujtimet e Tatjanës flitet për tituj të tillë si “Bota si vullnet dhe si përfytyrim” i Shopenhauerit, “Das Kapital i Marksit”, “Mein Kampf” i Hitlerit, “Dottrina Fascista” e Mussolinit apo “Manifesti i Partisë Komuniste” të Marksit dhe “Origjina e pronës private dhe e shtetit” e Engelsit. Po edhe për dobësinë që Buda kishte për të quajturit intelligenzen-roman, libra të Tomas Manit, të cilat i kishte lexuar dhe rilexuar. Në fakt, një pjesë të mirë të “gjermanëve të mëdhenj” ajo i ka shpënë tek koleksioni dhuratë për Bibliotekën Kombëtare.

Tek ata që nuk kanë ndërmend ta lënë shëpinë e Tatjanës është vepra e Gëtes me disa seri e vitit 1845; “më e mira histori e Evropës” , siç e quan ajo serinë e Teodor Momsenit, si dritë që vinte nga një kulturë perëndimore ndërsa historia e kontinentit vinte e parë nga Lindja sovjetike; një botim i vitit 1970 i “Në kërkim të kohës së humbur” i Marsel Prustit, që ka hyrë në këto rafte atëherë kur frëngut dhe gjithçka e sërës së tij e klasifikuar e ndaluar, as i përmendej emri. Apo

Moria e revistave, katalogëve dhe librave të artit duken më “të keqpërdorurit”. “Van Gogh” për shembull është aq shumë i shfrytëzuar sa është bërë fije-fije. “Një libër kur vjetërohet nga përdorimi, tregon që ka shërbyer. Pikërisht për këtë babai ishte i kënaqur.” Sa njerëz që nuk mund të gjenin tjetër kund autorët e ndaluar i kanë shfrytëzuar këta libra.“Habent sua fata libelli” thotë gruaja duke e thyer i rënë në kokë gjithnjë në kohë, heshtjes që krijohet kur tregon episode që kanë për t’u rrëfyer në pjesën e dytë të kujtimeve.

Por në këtë pikë, gruaja duket sikur nuk ka qejf të bëjë plane për të qenë gjoja e sigurtë në ato që thotë dhe për atë pasuri shpirtërore që ruan. Nëse do të ndodhë, kanë për të qenë jeta e Aleks Budës pas luftës deri në vdekje, e bazuar në referenca të vërteta të cilat Tatjana Buda i vendos në një sfond njerëzor siç ka bërë edhe në vëllimin e parë të kujtimeve. Para se të bjerë një copë tjetër heshtjeje ajo përmend diçka të dashur që përligj sakrificat shpirtërore të njëriut: Dashuria më e pastër dhe më e qëndrueshme është për të bukurën”.

 

Gazeta: Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama