Megjithatë, nuk është e vështirë të kuptohej ku është përqëndruar vëmendja e lexuesve. Një bum shitjesh ka pasur romani “Kurban” i Edi Ramës i cili ka parë dritën e botimit këto ditë dhe për të parën herë ka pasur kontaktin me lexuesin aty, ku edhe janë firmosur mijëra kopje nga kreu i opozitës. Botuesja e tij Arlinda Dudaj preferon të mos ndalet te shifrat sepse sipas saj nuk është me rëndësi gara e numrave dhe se nuk është në garë me askënd, por deklaron se “ritëm shitjesh si ky nuk kam parë deri më tani, kjo më mjafton dhe dëshiroj që këtë libër ta lexojnë sa më shumë njerëz”.
Nga ana tjetër, botuesi Henri Çili i “UET Press” bën me dije se janë mëse 20 mijë kopjet e shitura të biografisë së Enver Hoxhës që mban firmën e Blendi Fevziut përgjatë 6 javëve prej kur ka parë dritën e botimit, numri më i madh i të cilave është shitur gjatë ditëve të Panairit të Librit. Ndërsa romani më i ri i Ben Blushit, në vetëm 2 javë ka mundur të shesë 10 mijë kopje. Në këtë panair, lexuesit e blerësit e këtyre librave, thuajse çdo ditë kanë qenë në stenda për të firmosur librat e tyre.
Kjo është cilësuar edhe si një garë shifrash madje flitet se në këto shifra ka edhe abuzime, e këtë e ka deklaruar kreu i Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeri i cili theksoi se një pjesë e mirë e shifrave të bëra publike nuk janë të sakta, madje ato janë tepër abuzive.
Megjithatë, përkundër këtij fakti organizatorët pranojnë se librat e politikanëve dhe gazetarëve kanë ndjellë tepër vëmendje.
Përkundër politikës që zaptoi këtë panair libri, një interes të madh ka pasur nga lexuesit edhe për librin “Kohë e pamjaftueshme” të Helena Kadaresë, aty ku gjenden të pathëna deri në këtë moment për jetën e shkrimtarit Ismail Kadare. E për këtë vepër, Helena Kadare u nderua edhe më çmimin ‘autorja e vitit’. Përkundër këtyre, si në çdo post-panair, edhe në përfundim të edicionit të 14-të, shifrat mungojnë! Mungon numri i saktë i vizitorëve sepse hyrja në panair është e lirë, mungon përherë informacioni se sa ekzemplarë librash janë shitur, mungon informacioni i saktë për librin më të shitur! Ajo që asnjëherë nuk mungon është gara mes botuesve për të deklaruar shifra shitjesh, të cilat në të shumtën e rasteve janë abuzive.