Libri i At Zef Pllumit botohet ne Amerike

Libri i At Zef Pllumit botohet në Amerikë

Kohët e fundit, shtëpia botuese amerikane iUniverse, Inc., nxori nga shtypi në anglisht vëllimin e parë të librit “Live to Tell” të At Zef Pllumit, ku përfshihen kujtimet e tij nga viti 1944-1955. Libri vjen në anglisht i përkthyer nga shqipja “Jeto për me tregue”, duke i mos ia mohuar kështu përparësinë e njohjes lexuesit shqiptar.
2500 vjet do të kalojnë dhe At Pllumi (1924-2007) ndoshta do të kujtohet nga shqiptarët si babai i historisë së përndjekjes komuniste, ashtu si bota kujton sot Herodotin si babain e historisë, sepse në mënyrë sistemtike mblodhi materialet, provoi vërtetësinë e tyre dhe i renditi ato në formën e një tregimi që nuk harrohet. Por ndërsa Herodoti njoftonte ato që i kishin thënë të tjerët, At Zef Pllumi tregon ato që përjetoi vetë. Ndryshe nga Herodoti që përshkruante luftën greko-persiane, At Pllumi, ironikisht, përshkruan luftën shqiptaro-shiptare, e shembullt në histori për nga mizoritë ndoshta vetëm me revolucionet komuniste në Rusi e Kamboxhia.

Dihet se gjatë një revolucioni dy palë të brendshme, qeveria dhe opozita, luftojnë për të kontrolluar ose ndryshuar me dhunë strukturën ekzistuese të shtetit. Megjithatë, përshkrimet e At Pllumit, shpesh herë tmerruese, sikur duan të vërtetojnë thënet e historianëve se mizoritë e vrasjet në masë ndodhin jo vetëm gjatë luftërave civile, por edhe pas tyre: në atë që paraqitet si revolucion nga poshtë, por që në fakt synon ndryshimin rrënjësor të strukturës ekonomike, shoqërore e kulturore, por edhe fisnore të një vendi. Historia botërore njeh mizori si në Kili, Salvador, Argjentinë e gjetkë, ku qeveri në kohë diktaturash janë përfshirë në vrasje në masë të kundërshtarëve politikë. Ndërsa për shfarosje në masë të një bashkësie a popullate, historia njeh Holokaustin nazist ndaj hebrenjve e ndonjë tjetër.

Libri i At Zef Pllumit lë të kuptohet se Shqipëria i provoi të dyja këto forma shfarosëse; politicidin, kur grupe të ndryshme sulmoheshin për bindjet apo veprimtaritë e tyre politike; dhe gjenocidin, kur ata sulmoheshin për përkatësinë e tyre fisnore a fetare. At Pllumi sjell fakte se si regjimi hoxhaist përndiqte, burgoste e vriste priftërinjtë katolikë, ndërsa persekutonte e internonte banorë të zonave veriore, nga frika se shtëpitë e tyre mund të përdoreshin si baza strehimi për të ikurit, të arratisurit dhe kundërshtarët e regjimit. Dhe kjo ishte një përvojë, me të cilën Shqiperia komuniste do të krenohej në tregjet ndërkombetare të terrorizmit. Pak vite më vonë, Kmerët e kuq në Kamboxhia do të përdornin të njëjtën strategji; pas vrasjes së priftërinjëve budistë, ata zbraznin vendbanimet përreth për të eleminuar çdo vatër të mundëshme kundërshtimi; në Ugandë, Idi Amini godiste kundërshtarët e tij politikë e, njëkohësisht, nxirrte para skuadrave të pushkatimit klerikët katolikë; ndërsa në Kongo, Loren Kabila, siç thuhet një ish-student i shkollës së partisë V.I. Lenin në Tiranë, kur erdhi në pushtet vendosi të zhdukte plotësisht palën kundërshtare, për të zgjidhur paraprakisht problemet që mund t’i lindnin nga një bashkëjetesë në të ardhmen.

Kështu, Shqipëria më 1944, e sapo dalë nga lufta dhe në nevojë për bashkim, rindërtim e përparim të brendshëm si asnjë vend tjetër në rajon, zgjodhi rrugën e verbër të internacionalizmit, duke eksportuar metodat më mizore të terrorizmit shtetëror.
“Jeto për me tregue” mund të thuhet se është një vepër arti, pasi njeriu tërhiqet jo vetëm ta lexojë, por edhe të ndalet e të mendojë për autorin, i cili shkruan për të përmbushur lutjen e nënzëshme të bashkëvuajtësve fatkeqë dhe zotimin e tij se do të përpiqej të heshtte që, një ditë, të mund të tregonte. Dhe njeriu që nuk kishte pranuar të tregonte (në hetuesi), jetoi për t’i treguar të gjitha në libër. Për At Pllumin, shpesh, natyra e vuajtjes ndryshon; nga përndjekje, torturë, burgim, internim, shndërrohet pastaj në forcë që paralajmëron ndryshimin e vetëvuajtjes. Në “Jeto për me tregue” forca e vuajtjes së At Pllumit shfaqet si art; dhimbja bëhet letërsi, e cila nuk shpreh vetëm dhimbje; ajo bëhet një dhimbje që zbukuron apo bukuri që vret.

Astrit LULUSHI : Gazeta Albania


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama