Libri i Papavramit kthimi ne pafajesi i femijes se bekuar

Libri i Papavramit, kthimi ne pafajesi i 'femijes se bekuar'

“Fugë për violinë” i Tedi Papavramit, botuar në Shqip nga UET Press, promovohet sot në orën 12:00 në hollin e Universitetit Europian të Tiranës. Papavrami, 2 net koncert në Teatrin e Operas dhe Baletit


Një arrati përfundimtare asnjëherë nuk është e mundur në jetë. Tedi Papavrami e dëshmon këtë kur në një sallë të mbushur me spektatorë që e duartrokasin, sepse sapo është shpallur fitues i konkursit Sarasate në Pamplona në Spanjë, ritmi i duarve që përplasen i kujton menjëherë të famshmen: “Par-ti-En-ver jemi-gati-kurdo-herë’!” . “Ah, po, prapë kjo…” shkruan Papavrami në librin ku rrëfen jetën e tij, që në një mënyrë apo një tjetër u vendos prej vullnetit të diktatorit.

“Fugë për violinë”, e botuar në shqip nga UET Press e që promovohet sot në orën 12:00 në hollin e Universitetit Europian të Tiranës, sjell jetën e violinistit dhe ngjarjet e njerëzit që ndikuan apo e transformuan atë.

“Fuga” në muzikë, siç e shpjegon Papavrami në kapakun përmbyllës të librit, është një “arratisje” që kërkon mund të jashtëzakonshëm, por ndërsa në muzikë dikush ia del të arratiset kësisoj të gjithë mbetemi pengje të kujtimeve.

Arratisja e Papavramit dhe dy prindërve të tij nga Shqipëria e mesit të viteve ‘80 është një ngjarje që vulos fatin e tij dhe po ashtu atë të dhjetëra njerëzve të afërt e të dashur për të. Një zinxhir jete i pashmangshëm, një vendim që nuk mund të kthehej pas e që ndëshkon pa faj të afërm të tij. “Makthet e mia vetëfajësuese u zhdukën përfundimisht ditën

kur munda t’i dëgjoj në telefon dhe me sa duket, asnjëra prej palëve nuk

kishte dëshirë të fliste për ato ngjarje”, shkruan Papavrami e pak rreshta më poshtë ai sjell rrëfimin e dajës së vet që tregon ditët e tmerrit në internim apo diku më tutje porosinë e gjyshit më 1993: “Ç’marrëzi… Mos shkel më kurrë në këtë vend”.

Por ndryshe nga ajo që ndodh në muzikë, një arratisje e përsosur është e pamundur të realizohet në jetë. Papavrami e dëshmon këtë përmes rreshtave të një libri që lexohet lehtë edhe pse ka informacion të dendur e shpesh do hasësh me gjuhë teknike që për një mosnjohës të muzikës apo violinës mund të jetë po aq e huaj sa të përpiqet të lexojë mes rreshtave të një gjuhe të pakuptimtë.

Përtej kësaj rrëfimi është i sinqertë dhe çarmatosës. Më shumë se kaq edhe pse i shkruar në vetë të parë, rrëfyesi duket sikur ndodhet krejt jashtë asaj për të cilën shkruhet. Kështu do të ndjehesh ndërsa lexon “Sprovën” kapitullin që flet për konkursin e tij të parë në Paris. Duket gjithmonë sikur është një tjetër brenda mendjes së Papavramit.

Kjo sjell në njëfarë mënyre atë sinqeritet të rrallë ndër rreshta, ku t’i lexon për habinë e një fëmije që sheh pulpat e zhveshura dhe të kuruara të gruas së profesorit të tij të parë francez apo tronditjen pasi ka shkelur pa dashje kanarinën e tij.

Detaje të ngjashme që e mbushin librin të krijojnë njëkohësisht përfytyrime të qartë për atë që ka ndodhur dhe mënyrën se si Papavrami i ka jetuar të gjitha këto. Një talent i rrallë  dhe një sukses po aq i rrallë falë një vullneti të jashtëzakonshëm një pune të pafundme orësh të gjata e përgatitjesh të lodhshme. Për këtë përgatituni të lexoni faqe të gjata që i tregojnë këto ushtrime të pafundme drejt përsosjes. Detaje të harkut të lëvizjeve të dorës që prodhojnë muzikën dhe mrekullojnë salla të mbushura plot.

Libri i shkruar si dëshmi e një “të treti” që është njëkohësisht vetë autori e nxjerr atë shpesh herë në një dritë që vështirë do të jepej mundësia ta shihnim. Fëmija i adhuruar që të gjithë e njihnin në përballjen me rojën e Liceut Artistik të cilit kërkon t’ia fshehë identitetin i trembur se nuk mund të vizitojë si anonim korridoret e errëta (gjithmonë të tilla sa herë janë përmendur në libër) të shkollës pranë Rrugës së Elbasanit.

Arratia sidoqoftë është e pamundur. Nëse i arratisemi një vendi. I arratisemi një regjimi, e pamundura është tu arratisesh kujtimeve. Detajet fantastike të fëmijërisë, emri i “të dashurës” së parë, copëza bisedash dhe pamje të vizatuara fort në mendjen e fëmijës sillen me të njëjtat ngjyra që kanë pasur në atë kohë kur janë parë prej sysh që nuk mund t’i kuptonin dhe që mbeten në libër “të pakuptueshme” edhe pse me to mund të krijosh një pazëll të një Shqipërie të zymtë dhe të varfër me një “Olimp” që ndërsa e mallkonte pafundësisht Perëndimin ishte i blerë në Perëndim. Në fund edhe pse niset të tregojë një arratisje libri përfundon të jetë një kthim tek “fëmija i bekuar”.

Libri është botuar për herë të parë në frëngjisht dhe është një nga librat më të kërkuar nga lexuesi francez. Për botimin frëngjisht, Papavrami ka bashkëpunuar me një nga shtëpitë botuese më të mira, Robert Laffont. Me rastin e botimit në gjuhën shqipe, Tedi Papavrami do të jetë në Tiranë. Promovimi i librit do të bëhet më datë 12 maj, ora 12.00 në hollin e UET.

“Shija e një vepre, e një fjalie, e një modulacioni ose një metafore, e ndier plotësisht, e rrënjosur tek ne, mbijeton në qenien tonë dhe shfaqet më vonë, duke nxjerrë një ditë në sipërfaqe pjesë të vetes që as vetë nuk e njihnim. Ndoshta nuk jemi kurrë aq shumë vetvetja sa kur shijojmë ndjeshmërinë e tjetrit, kusht i nevojshëm për të dhënë pak nga vetja jonë në atë që do transmetojmë kur të na vijë radha“.

Tedi Papavrami ka fituar disa çmime të rëndësishme ndërkombëtare. Në fillimet e viteve ‘990 fillon karrierën si muzikant dhome dhe solist. Bashkëpunon me Kurt Sanderling, Antonio Pappano, Armin Jordan, Emmanuel Krivine, Manfred Honeck, François-Xavier Roth, Thierry Fischer, Gilbert Varga dhe M. Aeschenbacher. Ka qenë pjesë e Schumann Quartet (shoqëruar edhe në piano) për nëntë vjet. Nga viti 2011 prezantohet në shumë koncerte me serinë e plotë të sonatave të Bethoven luajtur trio: në violinë Tedi Papavrami, piano François Frédéric Guy dhe violinçel Xavier Phillips

Arratia sidoqoftë është e pamundur. Nëse i arratisemi një vendi…i arratisemi një regjimi, e pamundura është t’u arratisesh kujtimeve.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama