Suad Lici mendon se Vllaznia e tri ndeshjeve të fundit ka qenë pa grintë, prandaj dhe ka dështuar. Ish-kapiteni i shkodranëve e cilëson problematike situatën që po kalon skuadra kuqeblu në kampionat. Lici ka ndjekur nga afër në çdo takim ekipin e zemrës dhe e njeh mirë mentalitetin e grupit aktual të lojtarëve. Pas tri humbjeve radhazi, ish-lojtari shprehet ndër të tjera se Vllaznia e ka ndërlikuar situatën. "Mendoj se situata nuk është ajo e para startit të fazës së katërt. Tri humbjet me Skënderbeun, Teutën dhe së fundmi me Partizanin, kanë ndërlikuar jo pak pozitat e Vllaznisë.
Gjendja e ekipit duhet të ishte ndryshe, pasi nuk duhet të kishte gabuar në takimet në shtëpi. Të humbësh ndaj Skënderbeut dhe Partizanit nuk është ndonjë habi, për më tepër që me këto skuadra janë zhvilluar takimet në transfertë. Gjithsesi, skuadra duhet të shfrytëzonte faktorin fushë ndaj Teutës.
Më tepër se humbjet, më vjen keq se skuadra nuk ka treguar atë grintë dhe dëshirë të shfaqur në fazën e tretë. Kjo mendoj se po i mungon Vllaznisë në këto momente", ka thënë fillimisht Lici.
Mbijetesa Përtej situatës jo të mirë, ish-kapiteni vijon të ketë besimin e plotë se skuadra do të mbijetojë në Kategorinë Superiore. Sipas Licit, mbështetja që po i japin ekipit drejtuesit e klubit është mjaft domethënës në këtë moment.
"Mund të them se pavarësisht kësaj situate momentale, ekipi i Vllaznisë do të dijë që të mbijetojë në Superiore. Nuk mendoj se skuadra do të rrezikojë rënien, por shpresoj që edhe me mbështetjen që po japin drejtuesit e bashkisë, Vllaznia do të jetë sërish mes më të mirave.
Çdo takim tashmë është si finale dhe skuadra do të dijë që të reflektojë si në lojë ashtu edhe në rezultate. Nuk ka asnjë përballje të pamundur për Vllazninë, por skuadra duhet që të shprehë atë grintë dhe karakter që shfaqi me startin e fazës së tretë", shtoi ish-mesfushori i kuqebluve.
Flamurtari Të dielën, Vllaznia luan një takim shumë të rëndësishëm kundër Flamurtarit, që bashkë me Bylisin janë rivalët direktë në luftën për mbijetesë. Për Licin, pas tre rezultateve negative, një fitore ndaj vlonjatëve do të thoshte siguri më shumë për Vllazninë.
"Skuadra duhet të bëjë medoemos kthesën në rezultate. Fitorja është alternativa e vetme kundër Flamurtarit. Mendoj se çdo rezultat tjetër do të vështirësonte realisht situatën. Duke parë edhe kalendarin, Vllaznisë i duhet me çdo kusht kjo fitore.
Është një përballje mes rivalësh direkt dhe pikët vlejnë edhe më tepër", ka përfunduar ish-kapiteni, i cili me fanellën e Vllaznisë ka arritur të fitojë edhe titullin kampion. U bënë gati shtatë vite që Lici i ka dhënë lamtumirën futbollit, duke mbyllur karrierën pikërisht me ekipin e vendlindjes.