Ndonëse ka kaluar rreth një muaj e gjysmë nga hyrja në fuqi e ligjit antiduhan, duket se problemet për bizneset kanë nisur pikërisht këtë muaj. Me fillimin e shirave, situata nuk është aspak e favorshme për bizneset, të cilët theksojnë se u janë larguar klientët. “Klientët tanë janë duhanpirës dhe moslejimi i konsumimit të tij brenda ambienteve ka ndikuar që ata të largohen. Është bosh, siç e shikoni! Vijnë dhe ikin sapo i njoftojmë se nuk do të lejohet askush që të konsumojë duhan”, tregon menaxheri i një prej kafeneje në kryeqytet. Ndërkohë, një tjetër shprehet se gjatë këtyre dy ditëve xhirot kanë qenë minimale. “Nuk e dimë se çfarë do të bëjmë. Pa punë nuk mund ta mbash lokalin, por edhe të pinë duhan nuk i lëmë dot, pasi gjoba është mjaft e lartë. E vetmja gjë që na mbetet është të shpresojmë që të mos bjerë shi. Lutemi çdo ditë për këtë tashmë”, thotë një tjetër menaxher lokali në Tiranë.
Të gjithë pothuajse kanë të njëjtin shqetësim, zbatimi i ligjit antiduhan po largon klientët nga bizneset e tyre. Të gjendur në një situatë të tillë, administratorët apo pronarët e lokaleve nuk kanë se ç’bëjnë tjetër, përveç se të presin me dhembje falimentimin e bizneseve të tyre, por të shqetësuar për këtë fund të hidhur, ata kërkojnë medoemos që të ulen dhe të bisedojnë me përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë për të gjetur një rrugëdalje për problemin e tyre. Përpos kësaj, ata shprehen mjaft të gatshëm për të zbatuar ligjin dhe për të reduktuar numrin e duhanpirësve, por e gjitha kjo situata është në dëm të biznesit të tyre. Në një kohë kur 90 për qind e frekuentuesve të lokaleve janë konsumatorë të duhanit, rreziku drejt falimentimit është i madh. “Kërkojmë një zgjidhje nga ministria, klientët janë qëllimi i bizneseve tona. Largimi i tyre do të thotë dështim për ne. Jemi plotësisht të gatshëm për ta mbështetur atë, sepse kjo është në të mirën e përbashkët, por problemi mbetet se këto ditë me shi lokalet kanë qenë bosh”, thekson një pronar lokali. Mbarë vendi, e sidomos kryeqyteti, është nën një monitorim të rreptë të Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor. Kjo, sipas kreut të këtij institucioni, Eltar Deda, për disa arsye specifike: së pari, Tirana ka numrin më të madh të duhanpirësve; së dyti, lokalet janë të përqendruara në masë në kryeqytet dhe nëse luftohet fenomeni nga Tirana, gjërat mendohet se do të jenë më të lehta.
Deri më tani duket se ligji antiduhan ka gjetur zbatim, ndryshe nga përvojat e mëparshme, por, nga ana tjetër, ai po rrënon ekzistencën e kafeneve, restoranteve apo klubeve të natës. Pavarësisht shqetësimit të madh që ngrenë pronarët e këtyre aktiviteteve, Inspektorati Shtetëror Shëndetësor shprehet i vendosur për të vijuar zbatimin e ligjit më përpikëri. Edhe pse kanë hasur shpesh kundërshtime nga pronarët dhe klientët gjatë vënies së gjobave, kjo nuk ka ndikuar aspak që të sprapsen. Të gjithë personat që janë kapur në shkelje janë gjobitur në mënyrë të drejtë dhe jo selektive siç ka ndodhur më parë.
I pyetur nga gazeta “Shqip” pak kohë më parë, kryeinspektori Deda tha se nuk do të negociohet aspak me pronarët e lokaleve. Shkak për këtë, sipas tij, është se vendi ynë ka ratifikuar një konventë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, e cila e ndalon krijimin e hapësirave të veçanta për duhanpirësit. “Në asnjë mënyrë nuk do të negociohet me pronarët e lokaleve për krijimin e hapësirave të veçanta, pasi ne jemi pjesë e një konvente, që nuk i lejon këto hapësira”, sqaroi Deda. Ndërkohë, kryeinspektori bëri me dije se në zbatim të konventës, konsumimi i duhanit lejohet vetëm në burgje dhe në spitalet psikiatrike. Referuar të dhënave zyrtare të Institutit të Shëndetit Publik, numri i duhanpirësve në vendin tonë është aq i lartë, sa 1 në 4 vdekje në Shqipëri shkaktohen nga duhanpirja aktive dhe pasive. “Rreth 39 për qind e shqiptarëve janë përdorues të rregullt të duhanit, duke e renditur Shqipërinë ndër vendet e para në Europë”, sqarojnë burime zyrtare në ISHP.