Ligji i Arsimit të Lartë, i debatuar mjaft nga politika dhe akademikët do të jetë pjesë e diskutimeve që presidenti Bujar Nishani do të zhvillojë me pedagogë dhe akademikë.
Sipas burimeve zyrtare të Presidencës, takimi konsultues është parashikuar të zhvillohet në Presidencë ditën e hënë.
Tashmë, ligji i Arsimit të Lartë, pas miratimit në Kuvend i është dorëzuar kreut të shtetit për dekretim. Takimi vjen pikërisht në kuadër të kundërshtimeve që akademikët dhe pedagogët kanë kundër ligjit.
Seanca e posaçme maratonë e së martës u shoqërua me debate të forta mes mazhorancës dhe opozitës.
Qeveria mbron ligjin duke deklaruar se ai rrit cilësinë, përgjegjshmërinë dhe konkurrencën.
“Risia e ligjit është dija cilësore që ofron, konkurrenca e ndershme dhe përgjegjësia e re që vjen pas një mënyrë të matshme treguesish performancash dhe sigurisht edhe skema e re e financimit”, deklaronte të enjten në Top Story, ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla.
Por opozita thotë se ligji është klientelist, shkatërron autonominë e universiteteve dhe rrit tarifat për studentët duke u hequr të drejtën e arsimimit shtresave në nevojë.