TIRANË, 6 Nëntor/ATSH/.- Projektligji "për vetëqeverisjen vendore', i depozituar të enjten në parlament, sanksionon për herë të parë "kufizimin e mandatit" për kryetarët e bashkive në vetëm tri mandate radhazi.
Drafti i plotë i propozuar nga qeveria me rreth 96 nene, rregullon për herë të parë këtë mekanizëm, i cili në kushtet e një demokracie jofunksionale në Shqipëri garanton konkurrencë dhe hapje të garës për kandidatura të reja dhe alternative e përmirësim të qeverisjes demokratike në nivel lokal.
Ligji ndjek modelin italian, i cili kufizon mandatet e kryebashkiakëve në vetëm 2 mandate radhazi (mandati është 5-vjeçar). Projektligji forcon rolin e kryetarit të bashkisë si organ ekzekutiv duke i dhënë kompetenca të qarta në drejtim të administrimit dhe organizmit të strukturave të bashkisë, të njësive administrative dhe ndërmarrjeve në varësi, por gjithashtu edhe në drejtim të përfaqësimit juridik në raport me të tretët, veçanërisht në raport me shoqëritë tregtare me kapital të bashkisë, çështje që ka qenë problematike në vitet e kaluara. /a.s/f.n/