TIRANË, 4 Nëntor/ATSH/.- Projektligji "Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave" do të diskutohet me procedurë të përshpejtuar në parlament.
Seanca e ditës së enjte (5 nëntor) ka në rend dite miratimin e projektvendimit "Për miratimin me procedurë të përshpejtuar të projektligjit "Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave".
Ky pr/ligj, i depozituar për shqyrtim në Kuvend një javë më parë, synon t'i japë zgjidhje përfundimtare kësaj problematike e nisur prej gati 25 vjetësh.
Drafti i plotë me rreth 37 nene parashikon që deri në vitin 2025 kërkesat e rreth 26.000 pronarëve të vihen në zbatim përmes kompensimit ose kthimit të pronës. Fondi i parashikuar për shpërblim për dhjetë vitet në vazhdim arrin në 50 miliardë lekë dhe për këtë shumë është hartuar një ndarje skematike buxhetore për çdo vit, e cila nis me 3 miliardë lekë vitin e parë, ndërsa pëson rritje progresive deri në vitin e fundit (7.63 miliardë lekë). /a.s/ /m.m/