Ligji i ri ndryshon mosha per 9-vjecaret dhe gjimnazet

Ligji i ri, ndryshon mosha per 9-vjecaret dhe gjimnazet
Duke filluar nga viti shkollor 2015-2016 arsimi bazë në të gjitha shkollat e vendit do të fillojë në moshën 6-vjeçare dhe do të përfundoj në atë 16-vjeçare. Për herë të parë në vendin tonë, sikurse ndodh në rreth 2/3 e vendeve të OECD, arsimi bazë do të funksionojë sipas strukturës 6+3. Kjo do të thotë se arsimi i detyruar për t’u ndjekur nga të gjithë nxënësit do të jetë 6 vjet dhe mosha për ta përfunduar atë me kohë të plotë deri në 16 vjeç. Kush prej nxënësve që ka mbushur këtë moshë, nuk e ka përfunduar klasën e 9-të, ka të drejtë të regjistrohet në shkollat e mesme me kohë të pjesshme.

Duke marrë në konsideratë edhe mbetjen në klasë, nxënësi ka të drejtë ta ndjekë arsimin bazë me kohë të plotë deri në moshën 17 vjeç. Nxënësi, që ka arritur këtë moshë dhe nuk e ka përfunduar arsimin bazë, lejohet të përfundojë klasën që po ndjek. Qeveria ka miratuar dje ligjin e ri për arsimin parauniversitar, në të cilin është përcaktuar struktura e re e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme. Sipas ligjit të ri, arsimi parashkollor mund ndiqet nga fëmijët e moshës nga 3-6 vjeç. Fëmijëve të moshës 5 vjeç u mundësohet ndjekja e klasës përgatitore edhe pranë shkollave të arsimit bazë, me synim integrimin në arsimin e detyruar.

Më pas do të kalohet në arsimin fillor që përbëhet nga 6 klasa. Fëmijët do ta nisin klasën e parë nga mosha 6 vjeç, ndërkohë që i gjithë arsimi i mesëm i ulët, që përbëhet nga tri klasa, më konkretisht nga e shtata deri në të nëntën duhet të përfundojë deri në moshën 16 vjeç. Me përfundimin e arsimit 9-vjeçar, nxënësit kanë të drejtë të vijojnë arsimin e mesëm të lartë, ku përfshihen: gjimnazi, arsimi i mesëm profesional dhe arsimi i mesëm i orientuar. Në projektligjin e ri përcaktohet që në klasën e dhjetë të arsimit të mesëm të lartë me kohë të plotë pranohen nxënës të moshës jo më të madhe se 18 vjeç. Nxënësi deri në moshën 21 vjeç lejohet të ndjekë arsimin e mesëm të lartë 3-vjeçar, kurse deri në moshën 22 vjeç arsimin e mesëm të lartë 4-vjeçar. Nxënësi, që ka mbushur përkatësisht moshën 21 vjeç në arsimin e mesëm të lartë 3-vjeçar apo 22 vjeç në atë 4-vjeçar dhe nuk ka përfunduar arsimin e mesëm të lartë, lejohet të vazhdojë klasën që ndjek deri në fund të atij viti shkollor. Nxënësve, që kanë mbushur 21 vjeç dhe nuk e kanë përfunduar gjimnazin, do t’u mundësohet ndjekja e gjimnazit me kohë të pjesshme ose në distancë.

Një risi e rëndësishme në ligjin e ri për arsimin parauniversitar është edhe futja e dy gjuhëve të huaja në arsimin e mesëm. Projektligji përcakton që në arsimin e mesëm do të zhvillohen dy gjuhë, njëra si gjuhë e parë dhe tjetra si gjuhë e dytë. Grupi i gjuhëve që mund të zgjidhet si gjuhë e parë ose e dytë përcaktohet nga aktet nënligjore. Më pas, gjuha e huaj e parë që do të mësohet do të përcaktohet nga shkolla dhe e dyta nga vetë nxënësi. Maturantët e parë që do të testohen për gjuhën e huaj do të jenë ata të Maturës 2014, ndërsa në arsimin bazë ky provim do të futet një vit më vonë. “Struktura e re e arsimit bazë i shtrin efektet duke filluar nga viti shkollor 2015- 2016. Provimi i gjuhës së huaj i Maturës Shtetërore i shtrin efektet e zbatimit në Maturën Shtetërore 2014.

Provimi i gjuhës së huaj i arsimit bazë i shtrin efektet e zbatimit në vitin 2015”, – thuhet në ligjin e ri të arsimit parauniversitar. Sipas ligjit të ri, në provimet kombëtare të arsimit bazë, që janë ato të Lirimit, nxënësit vlerësohen në lëndët: Gjuhë shqipe, Matematikë dhe Gjuhë e huaj. Kurse në provimet e Maturës, me të cilat mbyllet edhe arsimi i mesëm, nxënësit japin një numër lëndësh të përbashkëta dhe një numër lëndësh me zgjedhje. Lëndët e përbashkëta për të gjithë nxënësit janë: Gjuhë shqipe dhe Letërsi, Matematikë dhe një Gjuhë e huaj. Ndër të tjera, në ligjin e ri është riformuluar edhe neni për ndalimin e simboleve fetare në shkolla.  Në nenin 7 të ligjit të ri thuhet se arsimi parauniversitar është laik, përveçse në shkollat private ku zhvillohen edhe lëndë fetare.

Arsimi parashkollor

Arsimi parashkollor ndiqet nga fëmijët e moshës nga tre deri në gjashtë vjeç. Fëmijëve të moshës pesë vjeç u mundësohet ndjekja e klasës përgatitore edhe pranë shkollave të arsimit bazë, me synim integrimin në arsimin e detyruar.

Arsimi bazë

Arsimi bazë përfshin arsimin fillor dhe arsimin e mesëm të ulët. Arsimi fillor përbëhet nga gjashtë klasa, nga klasa e parë deri në klasën e gjashtë. Arsimi i mesëm i ulët përbëhet nga tri klasa, nga klasa e shtatë deri në klasën e nëntë.

Arsimi bazë me kohë të plotë është i detyrueshëm për të gjithë fëmijët që janë shtetas shqiptarë me banim në Republikën e Shqipërisë nga mosha 6 vjeç deri në moshën 16 vjeç, me përjashtim të rasteve të parashikuara në këtë ligj. Nxënësi ka të drejtë ta ndjekë arsimin bazë me kohë të plotë deri në moshën 17 vjeç. Nxënësi që ka mbushur moshën 17 vjeç dhe nuk ka përfunduar arsimin bazë, lejohet të përfundojë klasën që po ndjek. Nxënësit, që kanë mbushur moshën 16 vjeç dhe nuk e kanë përfunduar arsimin bazë me kohë të plotë, regjistrohen në shkollat e arsimit bazë me kohë të pjesshme.

Nxënësi, që nuk ka ndjekur të paktën dy klasa të arsimit bazë me kohë të plotë, ka të drejtë ta ndjekë arsimin bazë me program mësimor individual, sipas procedurave të përcaktuara me udhëzim të ministrit.

Arsimi i mesëm i lartë

Llojet e arsimit të mesëm të lartë janë gjimnazi, arsimi i mesëm profesional dhe arsimi i mesëm i orientuar.

Në klasën e dhjetë të arsimit të mesëm të lartë me kohë të plotë pranohen nxënës të moshës jo më të madhe se 18 vjeç. Nxënësi deri në moshën 21 vjeç lejohet të ndjekë arsimin e mesëm të lartë 3-vjeçar, kurse deri në moshën 22 vjeç arsimin e mesëm të lartë 4-vjeçar. Nxënësi, që ka mbushur përkatësisht moshën 21 vjeç në arsimin e mesëm të lartë 3-vjeçar apo 22 vjeç në atë 4-vjeçar dhe nuk ka përfunduar arsimin e mesëm të lartë, lejohet të vazhdojë klasën që ndjek deri në fund të atij viti shkollor.

Llojet e arsimit të mesëm të lartë

1. Gjimnazi përbëhet nga tri klasa. Nxënësve, që kanë mbushur moshën 21 vjeç dhe nuk e kanë përfunduar gjimnazin, u mundësohet ndjekja e gjimnazit me kohë të pjesshme ose në distancë.

2. Arsimi i mesëm profesional është me kohëzgjatje 2 deri 4-vjeçare dhe është i strukturuar në tre nivele kualifikimi, në përputhje me nivelet e Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve.

3. Shkolla të arsimit të orientuar janë shkollat artistike, shkollat sportive, shkollat për gjuhët e huaja dhe shkolla për fusha të tjera të të nxënit. Pranimi në shkollat e arsimit të orientuar bëhet sipas kritereve dhe procedurave që përcaktohen me udhëzim të ministrit.

Diplomat që kërkohen për t’u punësuar

1. Mësuesi në institucionin arsimor duhet të ketë fituar diplomën e mëposhtme në fushën e edukimit ose diplomë të njëvlershme me të:

a) Mësuesi i arsimit parashkollor: diplomë universitare të ciklit të parë të studimeve universitare “Bachelor”;

b) Mësuesi i arsimit fillor, mësuesi i arsimit të mesëm të ulët dhe mësuesi  i gjimnazit: diplomë e ciklit të dytë të studimeve universitare.

2. Mësuesi i shkollave të arsimit profesional, që jep lëndë profesionale, ai i arsimit të orientuar dhe mësuesi që punon me nxënësit me aftësi të kufizuara, duhet të ketë fituar diplomë të ciklit të dytë në fushën e edukimit.

3. Diplomat e njëvlershme me diplomat e sipërpërmendura përcaktohen me udhëzim të ministrit.

4. Mësuesi i arsimit fillor dhe i arsimit të mesëm ka të drejtën e ushtrimit të profesionit të mësuesit pasi të ketë kryer me sukses praktikën profesionale dhe të ketë kaluar në provimin e shtetit, siç parashikohet në ligjin nr.10 171, datë 22.10.2009, “Për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe aktet nënligjore të nxjerra në zbatim të tij.

5. Institucionet arsimore, që shërbejnë për kryerjen e praktikave mësimore të studentëve të mësuesisë dhe të praktikave profesionale të atyre që janë të diplomuar për mësues, përzgjidhen në bazë të kritereve dhe procedurave të përcaktuara me udhëzim të ministrit.

6. Mësuesi që ka të drejtën e ushtrimit të profesionit, regjistrohet në ministri.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama