Rreth 200 pedagogë të Universiteteve publike, të mbështetur nga mijëra qytetarë dhe studentë pritet të hartojnë brenda disa orësh një memorandum kundër Projektligjit mbi Arsimin e Lartë për t’ia paraqitur Kuvendit të Shqipërisë.
Lajmi është bërë i ditur nga Artan Fuga, shef i Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit në Universitetin e Tiranës, përmes një postimi në Facebook.
Ky ligj i ri për Arsimin është shoqëruar me pakënaqësi nga studentët dhe protesta, përmes të cilave i kanë kërkuar Kuvendit mosmiratimin e ligjit. Abuzimi me autonominë është një nga arsyet përse ky ligj nuk është mbështetur nga pedagogët. Pedagogët argumentojnë se po vihet në rrezik autonomia e institucioneve të arsimit të lartë dhe liria akademike, e cila garantohet me ligj:
“Autonomia e këtyre institucioneve mbaron në çastin kur anëtarë të bordit administrativ të institucioneve të arsimit të lartë, si persona të deleguar në këto funksione nga Ministria e Arsimit, parashikohet të kontrollojnë të gjitha aspektet thelbësore të jetës universitare”.