Hasan Lika ka mbetur i zhgënjyer me rezultatin kundër Rudarit. Megjithatë, për trajnerin e Kukësit gjithçka mbetet e hapur në sfidën e kthimit, teksa, sipas tij, skuadra do të tentojë kualifikimin në Mal të Zi.
"Barazimi nuk është rezultat pozitiv për ne në këtë ndeshje të parë. Mendoj se kemi gabuar në pjesën e dytë, teksa kundërshtari shfrytëzoi mirë hapësirat që ne i krijuam.
Madje, ashtu si shkoi loja, Rudari mund të na ndëshkonte edhe me golin e dytë. Nuk kemi qenë në nivelin e duhur në këtë fraksion, ndërsa në pjesën e parë luajtëm më mirë.
Në tërësi ishte një ndeshje larg pritshmërisë sonë", ka thënë fillimisht Lika në prononcimin pas ndeshjes për "TVSH"-në. Sipas kreut të pankinës kuksiane, ekipi vuajti jo pak edhe formën jo të mirë që po kalojnë disa lojtarë.
"Në mesfushë çaluam, veçanërisht në aspektin e organizimit të lojës. Lojtarët kanë pasur vështirësi në qarkullimin e topit. Rudari fitoi besim me kalimin e minutave dhe pikërisht nga gabimet tona. U kthyem shpejt në mbrojtje të rezultatit, ndërsa kërkova nga skuadra që të shënojmë edhe golin e dytë, për të qenë më të qetë.
Forma jo e mirë e disa lojtarëve titullarë dhe atyre që kanë ardhur së fundmi, kushtëzuan lojën tonë", theksoi Lika.
Në fund, foli edhe për shanset e kualifikimit. "Ndeshja e kthimit do të jetë më e fortë. Do të shkojmë për fitore në Mal të Zi dhe shpresojmë të arrijmë kualifikimin aty.
Duhet të rregullojmë disa gjëra, duke punuar më tepër deri në ndeshjen e kthimit. Na duhet patjetër një gol në Mal të Zi, për të shpresuar kalimin e turit. Do të bëjmë gjithçka".