… Një nga arsyet e ardhjes në Sofje në muajin nëntor 2010 ishte edhe se pata kënduar në internet që, deri më 21 nëntor, do të qëndronte e hapur një ekspozitë e dy piktorëve, prej të cilëve njëra qe grua me origjinë shqiptare. Për Lika Jankon pata mësuar vetëm në vitin 2001, kur shtypi bullgar njoftoi për vdekjen e saj dhe shkroi për të. Më patën tërhequr vëmendjen disa hollësi: së pari, Lika ishte nga familje shqiptare e ardhur në Sofje në vitet ’20 të shek. XX nga Shqipëria; së dyti, mbas shkollës, jeta artistike e saj kishte kaluar nëpër kalvarin e dramës së antikonformizmit me kanonet ideoartistike realsocialiste të periudhës së totalitarizmit, kur edhe i qe ndaluar të ekspozonte në publik; së treti, Lika ishte mbyllur në studion e saj, kishte vijuar të krijonte dhe ishte bërë e njohur mjaft ndër të huajt, të cilët ia blinin me kënaqësi punimet. Para vitit 2001 nuk pata dëgjuar për të as në Shqipëri, edhe pse ishte me prindër shqiptarë. Në Shqipëri pati ardhur në vitet ’70 edhe Ibrahim Kodra, si piktor i shquar natyrisht, edhe pse i rrymave artistike që tek ne anatemoheshin me krismë të madhe.
Por Lika Jankos nuk ia kisha dëgjuar as emrin, e jo më të vinte në Shqipëri. Dhe psenë ma sqaroi një miku im, me të cilin kisha ardhur në Sofje atë nëntor, për punën e botimit të një libri, e që e njihte bukur mirë vendin. E lamë të dy që në ekspozitë të shkonim në mesditë, sepse ashtu na vinte për mbarë. Takimin e punës për librin në fjalë e kishim lënë për orën 12.00, në qendër të Sofjes, në rrugën “Dondúkov”, pak më poshtë ndërtesës impozante të Shtëpisë së Partisë të dikurshme, pra të KQ të PKB, e ku sot ndodhen zyrat e Kuvendit Popullor (bullgarët ende e quajnë “Popullor”). Shoku im hyri, kurse unë qëndrova jashtë, për një arsye thjesht emocionale: pikërisht në atë vend, ku tani ndodhej kjo godinë e lartë e gjysmës së dytë të shekullit të kaluar, 100 vjet më parë, më 1909-1910, ka qenë vendosur në katin e parë të godinës së atëhershme shtypshkronja “Mbrothësia” e veprimtarëve të Rilindjes Shqiptare Kristo Luarasi dhe Kostë Jani Trebicka. Këtu, në bulevardin e atëhershëm “Dondúkov”, Nr. 38, ajo vinte nga rruga “Vítosha”, ku ishte instaluar në fillim në një haur.
Më vonë, pas një farë kohe në Selanik, “Mbrothësia” do të kthehej në Sofje, në rrugën “Car Simeón” 60, ku vijoi punën në vitet 1911-1916. Godinës së “Mbrothësisë”, afërmendsh, nuk i kishte mbetur kurrfarë nishani, e po ashtu as numri nuk është më 38; por, megjithatë, falë një zakoni tim për të vizituar vendet e dikurshme, ku kanë jetuar e punuar ose janë mbledhur bashkë rilindas shqiptarë të Sofjes, m’u dha të ndalesha në trotuar e të përjetoja një emocion të thellë për disa çaste, edhe pse duke shijuar vetëm “atmosferën”. Si mbaruam punë në “Dondúkov”, në vend që të drejtoheshim për te Galeria e Arteve e qytetit të Sofjes, të cilën e dija fare mirë ku ndodhej, këmbët më çuan te ndërtesa e Galerisë Kombëtare të Arteve Figurative, e cila, dikur Pallat Mbretëror, qëndron impozante për së gjati në sheshin me plloça të verdha, në krah të Kuvendit Popullor. I drejtohem banakut në cepin e majtë të hollit, ku në kompjuter po punonte një grua e hijshme. E pyes në ç’sallë është ekspozita e Lika Jankos, por ajo ma kthen me buzëqeshje: – E keni ngatërruar, zotni.
Lika dhe Génko janë te Galeria e qytetit. Ja, përballë, pranë Grand Hotel Sofjes, matanë parkut. Dhe atbotë shton: – A mos je shqiptar? Po, – i them, dhe i kërkoj falje për hutesën time. Kalojmë te vijat e bardha në anën tjetër, i biem mes për mes lulishtes me emrin Parku i Qytetit (Grádska Gradína) dhe i afrohemi hyrjes së galerisë së duhur, e cila nga jashtë ka pamjen e një kapanoni të madh njëkatësh.
Më në fund hyj në sallën e ekspozitës: një sallë e madhe me dritë të ngrohtë – në të majtë janë pikturat e Likës, në të djathtë ato të Génkos, një piktori tjetër, bashkëkohës të saj. Sapo u hedh të dy krahëve një vështrim të përciptë, ndjej dallimin: Lika “zbardh”, Génkoja “skuq”; Lika është me peizazhe përsiatëse, Gènkoja – gjithë peizazhe me ngjyra të ndezura; Lika duket sikur buron nga një traditë popullore ikonografike e lashtë dhe moderne njëkohësisht; Génkoja “të bombardon” me ngjyra, pa u bërë merak për harmoninë e jashtme, por, me sa duket, për dis-harmoninë e brendshme. Vetëkuptohet, ndalem më gjatë në krahun e majtë të sallës, aty ku është Lika, për të cilën edhe kam ardhur në këtë ekspozitë. I hedh një vështrim tjetër dhe shoh se, në të vërtetë, brenda saj si piktore gjëllijnë pasione të ndryshme koloristike, jetësore, mendimi.
Nuk është vetëm bardhësia, edhe pse ajo mbizotëron; janë edhe nuanca të tjera, me sa duket simbas periudhave të krijimtarisë. Ndryshe, për shembull, janë një sërë pikturash, ku ndjehet pasioni për malet Rodope dhe fshatrat e asaj zone, ndryshe për ato ku ndjehet më fort simbolika se kontakti me natyrën e gjallë, e sidomos ndryshe një grup të tretë tabloshë, ku spikat meditimi për veten, zhytja në tallazet e nënvetëdijës, të vegimeve religjioze, largimi thuajse total nga perceptimi i natyrës si natyrë, dhe qëndrimi te pikëvështrime ikonografike.
Ndalem gjatë te peizazhet e Rodopeve e të skelave me peshkatarë. Një peizazh në vaj, i viteve 1950, më ngjan si rrugë fshati Shqipërie: me shtëpi me çardakë druri; me vargje duhani të varur në muret me faqe nga rruga, për t’u tharë; me gomerë, që zbresin tatëpjetë të ngarkuar; me fshatarë, që enden apo rrinë ndenjur në sofate e që mbajnë veshur kostume popullore; madje edhe me ndonjë grua me çarçaf, grua myslimane pomake e Rodopeve, natyrisht. Në një tjetër peizazh Rodopesh më bien në sy pullazet me ngjyra të ndryshme të shtëpive në shpinë të njëra-tjetrës. Në tablo të tjera, në vaj, me Rodopet gjëllin folklori, etnografia, sidomos në portrete fshataresh me shami kokë të qëndisur, me fustane me lule.
Bashkë me folklorin ndjehet një farë mistike, që është mistika e maleve, ku mbizotëron nuanca kobalt për qiejt dhe ultramarin për drurët. Këtu ngjyra, pa qenë naturaliste, është e gjallë. Me thënë të drejtën, këto më pëlqejnë më shumë, tek to qëndroj më gjatë. Më tej shoh se gama e ngjyrave të gjalla ua lëshon vendin nuancave kafé e maví, një gamë më të shqetësuar, kurse figurat bëhen më gjeometrike, hapësira rreth tyre bëhet më e dystë, dalëngadalë e bardha mbizotëron tek veprat që pasojnë. Emërues i përbashkët është largimi nga natyra, eksperimentimi me hapësira të mëdha të sheshta e të bardha, ku, për shembull, autoportreti përfundon në dy gjurmë pëllëmbësh mbi hapësirën. Janë disa autoportrete, tek të cilat ndalem më shumë, ashtu si tek tufa e pikturave për Rodopet. Këtu mbizotëron simbolika – gjysma e fytyrës së saj është në kafaz, dhe kafazi dihet që simbolizon ndalimin. Kafazi, telat, rrjetat këtu shfaqen si gjuhë lakonike e pikturës, deri në një primitivitet linjash vizatimi fëminor. Vijnë një radhë pikturash, ku motivet biblike, me peshqit, me madonën etj. përsëri ngjyhen me etnografi, me folklor, sado që stili është abstraksionist, me ikonën si mbështetje mendimi, me ndonjë motiv floreal, me mistikë, kësaj here të detit, të mendimit ikonografik…
Tek dal nga salla, i afrohem në hyrje stendës së botimeve për artet figurative. Kërkoj një monografi për Lika Jankon, e cila është botuar në vitin 2000, me autor studiuesin e njohur Prof. Dimítër Avrámov. Për fat të keq nuk ka asnjë kopje. Ejani nesër, – më thotë djaloshi mbas banakut, – do të kërkoj një kopje për ju si shqiptar. E falënderoj për gatishmërinë dhe bujarinë, por të nesërmen herët më duhet të nisem, kështu që mbase arrij ta siguroj një herë tjetër, për të mësuar më shumë. Jashtë, dielli i mesditës shndrit me bollëk dhe ajri i parkut të qytetit, me shatërvan të madh në mes, i kësaj vere të vogël në Sofje më shoqëron mendimet, që në mënyrë të natyrshme më vijnë nga bashkimi i soditjes së veprave të krijuara me dorën e piktores dhe dijes, ende të mangët, për fatin e saj jetësor e artistik. Ulem në një stol të parkut, mu përballë ndërtesës së hijshme të Teatrit Popullor “Ivan Vazov”, dhe shfletoj me kureshtje katalogun e ekspozitës, i cili hapet me një hyrje të kuratorit Krasimír Ilíev, si dhe dosjen me fotokopje shkrimesh të shtypit bullgar të kapërcyellit të shekullit kushtuar piktores Lika Janko, të cilat apostafat i pata siguruar në këtë udhëtim.
2.Lika Janko u lind në Sofje më 19 mars 1928. Ishte vajza e vogël e Llazar Jankos, nga fshati Grabovë, që sot në hartën e Shqipërisë duket fshat i thellë në rrethin e Gramshit. Llazari qe larguar nga fshati i vet “për të shpëtuar nderin e familjes”, sikundër shkruajnë biografët e së bijës. Në Sofje ai u mor me tregtinë e lëndës së drurit, por edhe me veprimtari të tjera. Bashkë me disa miq nisi të botojë një gazetë ilegale, që propagandonte luftën kundër bejlerëve. Si më e vogla e shtëpisë, Lika u rrit si çupë ëndërrimtare, me imagjinatë të pasur. Ja ç’rrëfen ajo për fëmininë: “Në oborr kishim një shelg; më pëlqente shumë t’i ngjitesha lart dhe, prej andej, të soditja qiellin. Nëpër ré soditja lloj-lloj qeniesh të habitshme, që vazhdimisht ndërronin trajtë”.
Pasion të madh kishte për kukullat. Fustanet e tyre i qepte vetë. “Mamaja më thoshte se kur mua më zë gjumi, ato shkojnë në ballo për të kërcyer. Ngrihesha në mes të natës për t’i parë a ishin aty. Me siguri në atë kohë kam filluar të vizatoj”, thotë ajo ndër të tjera. Shkollimin e kreu në një kolegj francez dhe në Akademinë e Arteve, ku paraqitet në provim pa i mbushur as 16 vjeçët. Aty qe nën kujdesin e personaliteteve të shquara të artit bullgar, prof. Deçko Uzúnov e prof. Ilia Petróv. Në vitet e studimeve deri më 1950 u shoqërua më shumë me artistët bohemë dhe u shmangej “të mëdhenjve” të kohës, duke iu kundërvënë akademizmit e duke kërkuar origjinalitetin. Rruga artistike e saj ka të përpjetat e të tatëpjetat e veta. Gjatë 55 vjetëve krijimtari, ajo hapi shtatë ekspozita vetjake. Të parën e hapi në Sofje në janar 1967. Mirëpo, mbasi qëndroi vetëm tetë ditë e hapur, më 24 janar 1967 autoritetet ia mbyllën duke e shpallur “formaliste” e “moderniste”, me sebepin se kishte ekspozuar tri punë të pamiratuara nga komisioni, i cili nga 100 vepra i pati pranuar 50.
Atbotë, në atë sallë vetëm njëri protestoi hapur, dhe ky qe piktori Génko Génkov (1923-2006): “Po mbyllni ekspozita! – thirri me të madhe. – Fashistë më fashistë!” Génko Génkovi vetë e kaloi një periudhë të jetës në kampin e përqendrimit në Beléne, buzë Danubit, kurse tani, edhe peizazhet e tij i sodita me emocion, ashtu sikundër ishin të ekspozuara në të njëjtën sallë bashkë me tablotë e Lika Jankos. Vetë Lika i thotë autorit të monografisë për të, shumë vjet më vonë: “Mbas mbylljes së ekspozitës zura të punoj më fort, tani më e lirë.
Thashë me vete: Meqë nuk më pëlqejnë, do të bëj vetëm atë që më pëlqen mua. Meqë nuk do të vras mendjen për të dalë në publik, atëherë le ta shfrytëzoj krejt lirinë time për të eksperimentuar, për ta shprehur veten edhe më plotërisht, edhe më fuqishëm” (D. Avrámov, Lika Janko, monografi, Sofje, 2000, f. 29; cituar simbas hyrjes së Katalogut “Lika dhe Génko”). Dhjetë vjet më vonë, më 1977, piktori i shquar Svétlin Rúseve e ftoi të merrte pjesë në një ekspozitë, por komisioni prapë nuk ia pranoi tablotë. Atëherë ajo u tërhoq krejtësisht nga jeta publike, u mbyll në studion e saj dhe punoi intensivisht, duke u nisur nga mendimi se “Njeriu duhet të jetë i durueshëm, të punojë dhe të mbrojë qëndrimet e veta, e jo t’u përshtatet të fortëve të kohës”.
“Më pëlqen gjithçka e guximshme, e çuditshme, e pazakontë, – mendonte ajo. – Meqë nuk më pëlqejnë, domethënë se i kam qëndruar besnik vetvetes. E tillë do të mbetem; kjo rrugë do përshkuar deri në fund”. Vetëm mbas 14 vjetësh, më 1981, Lika mundi të hapë një ekspozitë në sallën e njohur të Sofjes në rrugën “Shipka” 6 – në periudhën kur ministre e Kulturës ishte Ludmilla Zhívkova, e bija e Presidentit të vendit, e njohur për qëndrimet e saj liberale properëndimore. Ishte ajo që ia krijoi këtë mundësi. Më pas ajo hapi edhe ekspozitë retrospektive në Galerinë Kombëtare të Arteve në Sofje, si dhe një ekspozitë në galerinë “Drita”, të drejtuar nga mbesa e saj Marena Nikóllova.
Veç ekspozitave brenda vendit, ajo ka hapur ekspozita edhe jashtë, vetëkuptohet mbas vitit 1990: në Vjenë (1992), në Berlin (1993), në Francë (1994) etj., duke u vlerësuar mjaft prej galeristëve europianë nga vitet ’70 e këndej, e duke u quajtur si një nga përfaqësuesit më të shkëlqyer të pikturës bashkëkohore bullgare, madje si “Pikaso me fustan”. Veprat e saj gjenden në të gjitha galeritë kryesore të vendit, por një pjesë e mirë janë blerë nga përfaqësi diplomatike dhe ndodhen në duar koleksionistësh në mbi 30 vende të botës, në Europë, Amerikë, Azi. Lika Janko është nderuar me “Çmimin e Sofjes” (1989) dhe me çmimin “Sllavka dhe Boris Dénev”.
3….Jashtë, te stoli i parkut, ulur bashkë me shokun tim me të cilin vizituam ekspozitën, vijoj të shfletoj katalogun, ku kuratori thekson se të dy, Lika e Génko, kishin “rrugëtuar drejt lirisë”. Shfletoj dhe fotokopjet e shkrimeve të të përditshmeve të Sofjes të viteve 1999-2001, nga edhe janë marrë mjaft imtësi të këtyre shënimeve. Më bën përshtypje se në to, qysh në rreshtat e para, gjithmonë theksohet prejardhja nga familje shqiptare e ardhur në vitet ’20 të shekullit të kaluar në Sofje. “Lika Janko, bullgare, e lindur dhe e rritur në një familje emigrantësh nga Shqipëria, e ushqyer në shkollë me kulturë franceze, është vetë produkt i një sinkrezie të papërsëritshme”, shkruan ndër të tjera revista akademike “Izkustvo”, nr. 11-12/1993, duke theksuar gjithashtu se është e vështirë që Lika të renditet në ndonjë “-izëm” arti, madje duke përmendur një studiues, i cili artin e saj e quan “likizëm”. “Tablotë e Lika Jankos duket sikur janë të qëndisura, – shkruan një e përditshme, – dhe në to rreh zemra e një gruaje të madhe… Vizioni i saj është prej piktori primitiv. Jo vetëm pse nuk i vizaton në detaje figurat e veta.
Nganjëherë mjafton një vijë e vetme dhe në të ne shohim njeriun, zogun, një rreth si diell, një trajtë fantastike malesh”. Në shkrime të tjera të shtypit, që pohojnë se kanë shfrytëzuar monografinë për Lika Jankon të prof. Dimitër Avrámov, arti i saj quhet autobiografik, shpreh vrullet shpirtërore të saj, dhe të habit me mjeshtërinë për të ndërtuar një portret konkret mbi një tipar kryesor. Vend të gjerë në krijimtarinë e saj zenë vlerat tradicionale, ndër to, ato kristiane. Tablotë e saj ajo i quan “heshtje e bardhë”, pikturon kryesisht në të bardhë, sepse “kjo është ngjyra e Zotit”. Ndërkaq, miku im, ndenjur krah meje atë nëntor me diell në stolin e parkut përballë Teatrit Kombëtar, pak hapa larg galerisë ku qenë ekspozuar Lika dhe Genko, kujton vizitën, që i pati bërë asaj në shtëpi, pak kohë mbas mbylljes me dhunë të ekspozitës së parë të saj, më 1967. “Më priti bashkë me nënën dhe motrën më të madhe. Të dyja e flisnin shqipen për bukuri.
Më qerasën me gliko e me kafe. Erdhi një çast kur më ftoi në dhomën, që e kishte përshtatur për studio. Ç’të shoh, tablotë të gjitha nuk kishin të bënin aspak me atë që ishim mësuar, me realizmin socialist. U hutova. Në atë çast mendova ç’do të kishte pësuar ajo, vallë, po të ishte në Shqipëri. Si duket m’a “bleu” përshtypjen time dhe e pashë që u trondit…”. Ja pra edhe arsyeja përse për Lika Jankon, piktoren bullgare me gjak shqiptar, nuk kishim mësuar diçka me kohë, sa qe gjallë, para se të largohej nga jeta 11 vjet më parë, më 22 qershor 2001.