Në prag të sfidës së sotme që do të luhet në orën 17:30 ndaj malazezëve të Rudarit, trajneri Hasan Lika është i bindur se skuadra e tij do të arrijë kualifikimin. Në një intervistë për "Panorama Sport", Lika ka thënë se skuadra e tij duhet të eliminojë gabimet që u bënë në ndeshjen e parë, në mënyrë që të arrijë objektivin.
Si e parashikoni sfidën e kthimit ndaj Rudarit, ekip që rezultoi më i fortë nga sa parashikohej?
Kemi një ndeshje në të cilën ne shkojmë të japim maksimumin, ku do luajmë me forca të shumta për të bërë një rezultat të mirë dhe për të arritur objektivin që ne kemi. Luajmë ndaj një kundërshtari të vështirë, por kemi besim te forcat tona.
Në Elbasan, ekipi ka bërë disa gabime gjatë lojës. I keni marrë masat që ato të mos përsëriten më?
Në Elbasan luajtëm mirë, e kishim situatën nën kontroll dhe shënuam të parët. Në pjesën e dytë, në disa momente nuk u shfaqëm mirë dhe kundërshtari e shfrytëzoi këtë luhatje tonën. Për këtë ndeshje kemi marrë masa që mos të ketë më gabime individuale, të cilat janë njerëzore dhe u ndodhin edhe lojtarëve më të mirë në botë. Gjithashtu, u kam kërkuar lojtarëve që të jenë më të kujdesshëm si në organizimin e aksioneve, ashtu edhe në bllokimin e kundërshtarit.
Keni besim se mund ta kaloni ndeshjen që do të luhet në Nikshiq?
Patjetër që kam besim, si unë, ashtu dhe e gjithë skuadra është e bindur dhe besimplotë për ta kaluar këtë ndeshje dhe për të shkuar në turin tjetër.
Fakti që presidenti Gjici ka vendosur një premio të majme për kualifikimin, i motivon edhe më shumë lojtarët?
Kukësit nuk i ka munguar motivimi si në kampionat, ashtu dhe në Kupat e Europës, pasi ka pasur gjithmonë premio për kualifikime. Kështu që dhe këtë herë unë besoj se premio do të jetë dhe një shtysë më shumë, krahas dëshirës dhe motivimit të lojtarëve për të vijuar këtë garë sportive në nivele më të larta dhe në ture të tjerë. Skuadra ka treguar që di të marrë rezultate dhe shpresoj që një gjë të tillë ta bëjë edhe këtë herë.
Sezonin e kaluar keni humbur ndaj ekipit tjetër malazez Mlladostit në Tiranë, por përmbysët gjithçka në Podgoricë. Do përsëritet historia edhe këtë herë?
Ne dëshirojmë që ta përsërisim historinë, por mbi të gjitha shpresojmë dhe besojmë që secili nga ne të japë maksimumin në fushën e lojës, si individë dhe si skuadër dhe pastaj kualifikimi është gjëja që të gjithë ne duam më shumë.
Skerdilaid Sulozeqi