Hasan Lika e njeh më mirë se kush do Partizanin. Drejtori teknik i Kukësit ka drejtuar në periudha të ndryshme të kuqtë, madje është shpallur edhe nënkampion në sezonin 2007-2008 si trajner i "demave".
Si për ironi të fatit, humbjen e parë që Kukësi ka kundër Partizanit, që prej ngjitjes në Kategorinë Superiore, ia ka shkaktuar ekipi i kuq pikërisht kur ka pasur Likën në stol. Bëhet fjalë për ndeshjen e luajtur në fushën asnjanëse të Krujës, më 2 tetor të vitit 2013, ku një gol i Jozef Thanës u dha tri pikë të kuqve. Tashmë në prag të përballjes Kukësi-Partizani, Lika ka folur me bindje për një fitore të skuadrës ku punon që prej startit të këtij sezoni.
"Të hënën Kukësi do të marrë fitoren e parë ndaj Partizanit", ka thënë ndër të tjera Lika gjatë një interviste për "TVSH" në emisionin "Pasi i fundit".
Presidenti Gjici ka paralajmëruar stafin teknik dhe lojtarët se ndeshja ndaj Partizanit është kyçe për kampionatin dhe duhet fituar me çdo kusht për të siguruar Europën. Çfarë do të thotë kjo për ju?
Ky është një motivim shumë i mirë, sepse presidenti Gjici është bazuar edhe te puna që ka bërë skuadra, me rezultate pozitive, qoftë në kampionat, ashtu edhe në Kupë, ku tashmë jemi në finale. Natyrisht do të jetë "luftë" deri në fund për të ruajtur vendin e tretë. Në ndeshjen e parë historike në Superiore të Kukësit me Partizanin, më 2 tetor të vitit 2013, u keni shkaktuar humbjen e parë verilindorëve, duke qenë trajner i të kuqve.
Tashmë rolet kanë ndryshuar, cila është ndjesia?
Ishin kohë të tjera ato. Kukësi sapo ishte ngjitur në Superiore dhe ishte vetëm fillimi. Historia tashmë ka ndryshuar dhe gjithmonë në favor të Kukësit, aq më tepër me sukseset që ka arritur në Kupat e Europës. Kukësi e ka treguar veten në të gjitha kampionatet e katër viteve të fundit. Mendoj se të hënën do të jetë fitorja e parë e Kukësit për këtë kampionat kundër Partizanit.
Kalendari ka qenë shumë i ngjeshur këtë periudhë, sa është ndjerë në skuadër dhe mendoni se do të ndikojë lodhja të hënën?
Kjo ngjeshje nuk është ndjerë vetëm te ne, por edhe te kundërshtarët tanë. Gjithsesi, ne si ekip kemi kontingjentin e duhur për të përballuar këtë situatë. Jemi përgatitur mirë për të kaluar me sukses çdo ndeshje të kësaj periudhe. Dihej që kampionati do të ishte i ngjeshur derisa të shkojmë në finalen e Kupës, por i kemi marrë masat.
Partizani ju ka mundur tri herë këtë kampionat, këtë herë ju kënaq një barazim?
Na duhet patjetër për ta fituar ndeshjen me Partizanin, për vetë momentin që po kalojmë, por edhe objektivat që kemi në kampionat. Duke ruajtur ecurinë pozitive, kjo do të na shërbejë edhe për finalen e Kupës.