Lilite

Dromcat e territ shkoqen e bien –
Tespihe të zeza përtruall.
Ti rishmi ua shkon kokrrave fijen
Dhe terrin e mbledh përkundruall.

Ç’engjëll besëlashtë ta kallëzoi gjestin
Gjithë hir të më bësh reveransë?
Fisnik dro kam qenë që gjestet më prekin,
A ndoshta poet në Provansë?

Ndjej terrin tinzar të mbushë çdo enë,
Pa prekur mesdita, as mbrëmja.
E ngre dhe e kthej gurmazit si venë
Terrin me shtëmba të rënda.
Me bie në kokë kjo venë e trashë
Dhe shapin e shpirtit ma trand.
Në rrashtë pëlset me dijen e lashtë
Që ruajti kaq vjet kontrabandë.

Këputet e bie çikrik qetësia
Pusesh që plasin – shkundull.
Në rrathë shpërhapen ëndjet e mia –
Dyndet kujtesa e turbullt:
Dallëndysha që nisa ra e përgjaku
Një valë të terrtë e pluskon...
Dhe bef për një timtë sytë m’i përflaku
Profili yt si grifon.

Ja kopshtet... rimbushen rishmi statuja
Me shpurë e skllevër t’kalosh...
Kur shpata të bjerë, kur zjarri, rrëmuja
Tempujt t’i vënë përposh –
Tjetër perandori do kesh ti ndërruar
Në tjetër kohë e shkëlqim –
Dhe rishmi në sytë e tu t’yllësuar
Bie viktimë fati im.

S’do mundem ta shpreh me fjalë vdekëtarësh
Grimëkohën kur syri yt
Më kallet si ethe margaritarësh
Dhe shapin e shpirtit trondit.
Ti flegrat m’i mbush athtësira disfatash -
Pikëllime e pezme pa mort:
Jo dashurinë, - vrigëllima shpatash
Vjen e më shtie për short.

S’do mundem t’i shmangem misterit shtangues
Që më ngallmon kjo seancë:
Ti vjen dhe skenarin paracaktues
Shpalos me këtë reverancë.
Përvoja të lashta hidhërimi të ri
Rishmi na shtyjnë në rol:
Të shpik pra më duhet një histori
Vetveten ta kem nën kontroll.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama