Sot hapen dyert për blerësit. Pas përurimit, katër ditë muzikë dhe argëtim.
Ishte paralajmëruar që do të ishte qendra tregtare më e madhe dhe më e bukur në rajon dhe që nga dita e djeshme, Tirana East Gate është shpallur zyrtarisht si e tillë. Si për nga sipërfaqja e ndërtimit me 90 000 m2, llojshmëria e produkteve në 160 dyqane, cilësia e lartë e mallit dhe e shërbimit, por sigurisht, edhe sa u përket shifrave të investimit. Janë 104 milionë euro në total, që Balfin Group dhe Fondi Shqiptaro-Amerikan i Ndërmarrjeve kanë shpenzuar për hapur Tirana East Gate, nga ku rreth 50 milionë euro janë “hedhur” nga vetë bizneset dhe 54 milionë euro janë investim i qendrës.
E vendosur vetëm 4 km nga Tirana, në Lundër, mes ajrit të pastër dhe gjelbërimit, TEG duket qartë nga vitrinat që është e orientuar për familjarët, ku domosdoshmëria e blerjeve apo mania për shoping shndërrohet njësoj në argëtim. Me një koncept magjepsës ndriçimi shumëngjyrësh dhe një arkitekturë spektakolare, TEG është nga ato ndërtesa që nuk mund të rrish pa kthyer kokën drejt saj. Dhe po e ktheve, tundimi për ta vizituar nga brenda është më i fortë se sa rruga apo puna për ku je nisur. Sepse nga dje, Tirana East Gate është destinacioni tregtar më i ri i Tiranës. T’ia nisim që nga baret dhe restorantet, që aq shumë i kemi për zemër ne shqiptarët. Janë 10 ambiente të tilla në TEG dhe ne i vizituam me radhë: Mamma Lucia, Ottoman`s, Hippo& Friends, Rozafa fish food, Bluee Bar, Il gelato vero, Coffe shop company, Ama caffe, Segafredo, Scream Ice cream. Kuzhinat speciale ofronin shumëllojshmëri shijesh nga kultura të ndryshme të botës, ndërsa kafetë dhe pijet ishin nga më cilësoret.
Ndërsa ecim ambienteve të TEG, nuk ka se si të mos na e tërheqë vëmendjen një sipërfaqe gjigande për të cilën fillimisht nuk e kuptuam për çfarë bëhej fjalë. Me të drejtë, pasi e ashtuquajtura IXY World shfaqet për herë të parë në Ballkan, ndaj për këtë investim pyetëm specialisten e marketingut në TEG, Ilda Becin. “Ky është vendi më i madh i argëtimit në Ballkan, ose ndryshe mund të quhet Bota Magjike e Iluzionit. E rëndësishme është që të keni kurajën t’i shkoni deri në fund kësaj aventure! Është e para e këtij formati në Shqipëri dhe vjen ekskluzivisht në TEG nga Ixy World. Me një ambient prej 2500 m2, ofrohet argëtim për fëmijët e moshave të ndryshme, nëpërmjet lojërave të shumëllojshme, deri në 6D.
Ambienti për fëmijë është konceptuar me hapësira të veçanta lojërash, që përfshijnë argëtime për më të vegjlit e deri te kinemaja shumëdimensionale”, na informon Beci për gazetën “Panorama”. Sipas saj, përveç Ixy World, për herë të parë në Shqipëri vijnë nëpërmjet TEG edhe disa nga markat më të njohura botërore, si: “Carrefur”, “Jumbo”, “Cortefiel”, “Carpisa”, “Piazza Italia” etj., duke mos harruar edhe veshjet e tjera, si: “Mango”, “Esprit”, “Springfield”, “Prenatal”, “Geox”, “Okaidi”, “Terranova”, “Terranova Kids”, “Calliope”, “Golden Point”, “Etam”, “Lingerie” etj.
Ndërkaq duke filluar nga sot e deri më 29 nëntor, në TEG do të shfaqen animatorë me performancë fantastike, pantomime, numra shpejtësie, lojëra zjarri, numra magjikë, facepainting dhe do të zhvillohen lojëra për fëmijë. Në fund të çdo dite do të ketë koncert me Anjeza Shahinin, Redon Makashin dhe Aleksandër Gjokën, Alban Skënderajn dhe Saimir Çilin.
Çmimet e produkteve vendosen sot
Gjatë ditës së djeshme, asnjë prej produkteve të ekspozuara nuk ka qenë në shitje. Tirana East Gate vetëm sa është përuruar dje, ndërsa nga sot gjithkush mund ta vizitojë, të blejë dhe të argëtohet. Megjithatë, gjatë një vëzhgimi të djeshëm vumë re se çmimet e afishuara në dyqanet e TEG ishin mjaft konkurruese, ndërsa produktet të një cilësie të lartë. “Do të punohet deri vonë, mbase edhe gjatë natës, që nga nesër (sot) të jetë i ekspozuar malli dhe të jenë të gjitha çmimet”, thotë specialistja e marketingut, Ilda Beci, ndërsa na tregon të gjitha dyqanet me radhë.
104 milione euro
në total është investimi i Balfin Group dhe Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve, për ndërtimin e qendrës tregtare “Tirana East Gate”
50 milione euro
janë investim i vetë bizneseve, ndërsa 54 milionë euro janë investim i qendrës tregtare “Tirana East Gate”. Këto shifra janë më të mëdhatë në Ballkan
160 dyqane
do të hapen në TEG, ku për herë të parë vijnë markat e mëdha, si: “Carrefour”, “Jumbo” me 40 000 artikuj për fëmijë, “IXY WORLD”, “Cortefiel”, “Carpisa”,
“Piazza Italia”, “Parfois” etj
90 mije m2
është gjithsej sipërfaqja e TEG, ndërsa 42 000 m2 zënë sipërfaqet e dyqaneve. TEG ndodhet vetëm 4 km nga qendra e Tiranës, në juglindje të saj, në Lundër të komunës Farkë.
4 mije persona
do të punësohen nëpërmjet hapjes së qendrës tregtare “Tirana East Gate”. Nga këta, 2000 punonjës do të jenë të punësuar direkt, me kohë të plotë dhe 2000 të tjerë indirekt
Hipermarketi: Carrefour, për herë të parë në Shqipëri
Lideri europian i shitjes me pakicë dhe rrjeti i dytë në botë “Carrefour”, që menaxhon afërsisht 10 000 dyqane në 32 vende në Europë, në Amerikën Latine dhe Azi, hyn në Shqipëri me hipermarketin e parë të ndodhur në TEG – Tirana East Gate, që ndodhet në juglindje të kryeqytetit shqiptar. Dyqani është vendosur në një hapësirë tregtare prej 10 000 m2 dhe është organizuar në koherencë me konceptin e hipermarketeve “Carrefour” te “çdo gjë nën një çati”. Sipas informacioneve pranë hipermarketit, dyqani do të prezantojë një gamë të gjerë të asortimentit si ushqimor ashtu edhe joushqimor, markat e veta (“Carrefour”, “Carrefour Bio”, “Carrefour Discount”, “Tex” etj.) dhe artikuj promocionalë shumë tërheqës – të gjitha të ofruara me çmime shumë konkurruese dhe të përshtatura me shijet, preferencat dhe traditat e klientëve shqiptarë. “Punonjësit e “Carrefour” janë të devotshëm, të kujdesshëm dhe pozitivë dhe objektivi i tyre kryesor është të kënaqin klientët çdo ditë me cilësinë shumë të lartë e të garantuar të produkteve dhe shërbime perfekte. Hipermarketi “Carrefour” do t’u ofrojë klientëve “kënaqësinë e të blerit më lirë” duke synuar të bëhet shitësi me pakicë i preferuar i shqiptarëve”, na informojnë pranë hipermarketit.
TEG, Berisha: Dy mijë të punësuar
“Kjo është një ndër qendrat tregtare më të bukura në rajon”
Pritet shiriti për qendrën tregtare më të madhe në Shqipëri, por edhe në Ballkan, “Tirana East Gate”. Një përurim në nivel qeveritar dhe lokal, por edhe diplomatik. Në një ceremoni madhështore në hollin kryesor të TEG, investuesi i kësaj qendre, presidenti i Balfin Group, z. Samir Mane, ka ftuar edhe tre personalitete shumë të larta për të prerë shiritin; Kryeministrin e Shqipërisë, z. Sali Berisha, ambasadorin amerikan në Tiranë, z. Aleksandër Arvizu, si dhe përfaqësuesin e Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjes, z. Aleksandër Sarapuli, njëkohësisht investitor në këtë sipërmarrje. Po ashtu, në ceremoni merrte pjesë edhe përfaqësuesi tjetër i Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjes, z. Martin Mata, drejtori i zyrës së BERZH-it në Tiranë, Fabio Serri, kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha dhe rreth një mijë të ftuar të tjerë nga fusha e politikës, biznesit, medias, artit, diplomacisë etj.
Gjatë përurimit, secili prej tyre ka dhënë një panoramë të biznesit, ku presidenti i Balfin Group, z. Samir Mane, theksoi se “kjo qendër do të sjellë për të gjithë qytetarët e Tiranës dhe të të gjithë vendit një eksperiencë të re blerjesh me dyqane moderne dhe të shumëllojshme, me produkte shqiptare dhe të huaja, sipas normave dhe standardeve europiane. Dhe çka është më e rëndësishme, me çmime të lira dhe konkurruese”. Z. Mane falënderoi partnerët AAFE, BERZH, DEG dhe qiramarrësit që e zhvilluan më tej konceptin e qendrës, stafet Balfin, ACREM dhe Mane TCI, ndërsa informoi me detaje për sipërfaqen e TEG, produktet dhe markat. Ndërkaq, në përshëndetjen e tij, Kryeministri Berisha u shpreh se përurimi i kësaj qendre shënon ngjarjen më të madhe në historinë e tregut të Shqipërisë.
“TEG është qendra më e madhe, më e rëndësishme tregtare e vendit dhe, ndoshta, ndër më të bukurat në rajon dhe më gjerë. Samir, një ditë një miku im më thoshe se ‘e vizitova qendrën dhe se gjatë gjithë vizitës sime atje mendoja se mund të gjendesha në Paris, Nju Jork, Londër dhe çdo kryeqytet të botës’. Mikut tim, i sugjerova: ‘Vizitoje edhe njëherë dhe mendo se kjo është Shqipëria’. E vërteta është se kjo është Shqipëria. Ky është një investim shqiptar i Balfin Grup dhe mikut, ndër më të shquarit e kombit shqiptar, presidentit të Fondit Shqiptaro–Amerikan të Zhvillimit, z. Michael Granoff”, tha Berisha.
Duke shprehur mirënjohje për të gjitha firmat që kanë zgjedhur të jenë prezente me dyqanet e tyre në këtë qendër, ai garantoi se qeveria do të bëjë gjithçka, brenda ligjeve të vendit, që besimi i tyre të shndërrohet në një sukses të vërtetë për ata dhe për Shqipërinë. Duke vijuar fjalën, Berisha iu drejtua edhe kryebashkiakut të Tiranës, Lulzim Basha, lidhur me këtë investim gjigand, ku, sipas shefit të qeverisë tashmë do të punësohen rreth 4000 persona. “Zoti kryetar i Bashkisë, duhet të ndjehesh shumë i lumtur sot. Dy mijë qytetarë nisin punën në këtë qendër dhe dy mijë të tjerë indirekt marrin rrogat për veprimtari të kësaj qendre”, i tha Berisha Bashës. Më tej, shefi i qeverisë vlerësoi figurën e investitorit Mane, duke theksuar se “TEG është vazhdim i sukseseve të Samir Manes në fushën e tij. I ka themelet në QTU, në qendrën tregtare që u shndërrua më shpejtësi në historinë më të madhe të suksesit të tregut në Shqipëri”.
Një vëmendje e madhe ndaj këtij investimi është vënë re dje edhe nga BERZH, ku drejtori i saj në Tiranë, Fabio Serri, u shpreh se “e ndërtuar nga një kompani e rëndësishme e pasurive të patundshme, ‘Balfin Group’, TEG do të plotësojë kërkesën e lartë për qendra tregtare moderne, do të krijojë konkurrencë më të madhe dhe do të nxisë standardet e cilësisë së lartë në sektorin e shitjeve me pakicë në Shqipëri”. Sipas tij, BERZH financoi ndërtimin e TEG me një kredi parësore prej 10 milionë eurosh, ndërsa banka gjermane “DEG”, gjithashtu siguroi një kredi parësore prej 10 milionë eurosh.
Ekskluzivisht Jumbo, çmimet më të lira
Vjen më në fund Jumbo, biznesi me eksperiencë 25-vjeçare në tregun botëror. Aty ku mund të blini gjithçka keni dëshiruar për fëmijët. Hipermarketi pranë qendrës tregtare “TEG” ka një sipërfaqe rreth 5000 m2. Ky hipermarket do të tregtojë plot 45 000 artikuj të ndryshëm, si aksesorë, veshje për fëmijë, veshje për të rritur, një gamë të gjerë produktesh për bebe, dekore shtëpie, aksesorë kuzhine, kancelari, produkte sezonale dhe pet shop.
“Neptun” hap degën e tij në TEG
“Neptun”, rrjeti më i madh i elektroshtëpiakeve, tashmë ndodhet edhe në qendrën tregtare “TEG”, me një sipërfaqe prej 3500 m2, si dhe me një larmi produktesh elektroshtëpiake. “Neptun” në Tirana East Gate sjell për konsumatorët dyqanin më të madh në Shqipëri të produkteve elektroshtëpiake, me zgjedhjen e përshtatshme për çdo klient dhe me çmimet më të mira në treg. “Neptun” është distributor zyrtar i markave botërore: “Samsung”, “LG”, “Sony”, “Philips”, “Panasonic”, “Bosch”, “Beko” etj.
ELISABETA ILNICA