Lindita Si u dashurova me Edi Ramen

Lindita: Si u dashurova me Edi Ramen
Çifti i ri, Lindita dhe Edi Rama rrëfejnë historinë e jetës së tyre. Kontakti i parë i Lindita Bashës me emrin e Edi Ramës, bashkëjetesa në kryeqytet, bekimi i dy familjeve dhe aspiratat e bashkëshortes së kreut të PS-së: Me Edin ndaj mendime dhe opinione pothuajse të njëllojta dhe e shohim botën dhe e dëshirojmë botën njëlloj. Unë nuk do të hyj në asnjë rast në politikë.

Cili do të jetë ndikimi i Linda Bashës (që nga e diela Linda Rama) në jetën dhe aktivitetin politik të kryetarit të PS-së dhe kreut të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, dhe çfarë do të plotësojë ajo në krah të liderit të opozitës shqiptare? Këtyre pyetjeve iu përgjigj vetë kryetari socialist, Edi Rama në emisionin "Top Story" të gazetarit Sokol Balla, ku ndodhej i ftuar bashkë me bashkëshorten e tij të ardhshme. Zoti Rama tha se Linda është gjysma e tij më e mirë, me të cilën bisedon dhe e dëgjon me vëmendje gjithçka që thotë.

Zonja Basha ju shikoj me emocione...

Lindita Basha: Nuk është e lehtë të jesh në një studio televizive. Me të thënë të drejtën, sot kam pasur atë ndjesinë e një nxënësit përpara provimit që duhet të shkojë dhe të përgjigjet për disa pyetje. Më dukej sikur kisha atë ndjesinë që mbase nuk do të dija t'i përgjigjesha pyetjeve që do të bëni.

Edhe për ju zoti Rama duhet të jetë një moment i rëndësishëm personal zotit Rama... Shpeshherë politikanët perceptohen si njerëz të fortë, por besoj edhe ju keni emocione?

Edi Rama: Unë do të siguroj që megjithëse dalë për disatën herë në një studio televizive, është hera e parë që provoj emocione të tilla dhe kam emocione si për herë të parë.

Zonja Basha, çfarë ndodh me mbiemrin tuaj pas ditës së diel?

Lindita Basha: Do të ndjek traditën shqiptare. Unë jam tradicionale.

Zoti Rama, dashuria është e verbër apo një zgjidhje e goditur?

Edi Rama: Dashuria e verbër dhe sytë e hapur bëjnë zgjedhjen e goditur.

Do të dëshiroja të më thoshit si e keni njohur zotin Rama dhe si ka evoluar në një marrëdhënie që kaloi në martesë?

Lindita Basha: Kontakti i parë personal me emrin Edi Ramës, jo me Edi Ramën, ka qenë përpara viteve '90. Në atë kohë kam qenë e sapodiplomuar në universitetin e Tiranës, dëgjonim këto ngjarjet që ndodhin në Akademinë e Arteve. Pastaj, në ngjarjet e dhjetorit emri i Edit ishte shumë i artikuluar, si një personazh i cili ishte gjithnjë e me shumë e lëvizje që ndodhnin. Më tej, në atë kohë filluan shkëndijat e para të publicistikës së Edit, të cilën unë e kam pëlqyer gjithmonë. Për t'u takuar personalisht jemi takuar shumë vonë, atëherë kur Edi filloi të ndryshonte Tiranën. Pastaj marrëdhënia jonë ka evoluar si çdo marrëdhënie tjetër, ka pasur kohën e nevojshme që kanë nevojë dy njerëz për t'u kuptuar dhe për të marrë një vendim të rëndësishëm në jetën e tyre, për të kaluar pastaj në vendimin për të jetuar bashkë.


Ju bëtë një farë biografie. A mund të na thoni diçka më shumë për Linda Bashën?

Lindita Basha: Unë kam lindur në një familje të thjeshtë tiranase. Shtëpia jonë ka qenë e vogël, një shtëpi pjesërisht me qerpiç, me avlli dhe oborr. Oborri ka qenë diku pranë liceut artistik, ka mbetur një oborr i dashur për mendjen time, kishte hurma, kajsi, kumbulla. Sigurisht kam pasur një gjysh shumë të mirë dhe e gjithë fëmijëria jonë ka kaluar në kujdesin e një gjysheje që ka qenë si një përrallë në jetën tonë. Unë kam një vëlla, kam edhe një motër. Jam vajza e një babai muzikant, babai im ka luajtur korno, instrumentist, ndërsa mamaja ka qenë punëtore në kombinatin e autotraktorëve. Në fakt, të dy prindërit gjatë gjithë kohës na thoshin që të bëheshin zot të vetes, të punonim shumë. Në fakt, unë të gjithë mënyrën se si e perceptoja në atë kohë të qenit të zot ishte puna. Gjithmonë kam dashur të punoj. Puna më e mirë e mirë që unë kam bërë është të mësoja.

 Në mënyrën se si e konceptoja unë në atë kohë në fakt punën ose të ishe i zot, do të thoshte të kishte një vullnet dhe durim. Vullnetin dhe durimin e kam parë të mishëruar tek dy prindërit e mi. Babai përveçse bënte instrumentistin, në atë kohë bënte edhe pjesën që bënte partiturën, partiturën për orkestër. Pastaj i ndante në parte në çdo instrument. Punonte tërë natën, hidhte mijëra nota në pentagrame. Në fakt, unë ende e kam si një nga kujtimet më të mira të fëmijërisë sime, babai duke e gdhirë, duke shkruar notat nëpër pentagrame, për t'ia ndarë orkestrës, jo vetëm orkestrës që ai luante, por orkestrave në të gjithë Shqipërinë. Ka qenë i talentuar në këtë pjesë dhe e ka bërë mrekullisht mirë. Në atë kohë nuk kishte fotokopje. Në atë kohë nuk kishte kompjuter. Sot jam e bindur që kjo punë nuk bëhet në këtë mënyrë. Në atë kohë bëhej kështu dhe ishte ai që e bënte këtë. Ndërsa nëna ime ka qenë një nënë ashtu siç nëna shqiptare dhe unë për nënat kam një debulesë të veçantë. Nëna është nënë. Kurdoherë që është fjala nënë është një fjalë e bekuar. Nëna ime ka qenë modeli perfekt i dedikimit ndaj fëmijëve dhe familjes. Dy prindër të tillë më kanë dhënë modelin e njeriut që punon dhe me punë arrin gjërat. Falë këtij modeli dhe falë këmbënguljes sime për të studiuar në vijimësi është ajo bio që ju keni artikuluar.


Më befasoi sasia e librave që keni shkruar zonja Basha, kam përshtypjen që keni shkruar më shumë se bashkëshorti i juaj i ardhshëm...

Lindita Basha: Unë në fakt e kam pasur pasion të shkruaja. Kjo është arsyeja që unë thashë pak më parë se veçanërisht publicistikën e Edit e kam dashur shumë. Për shkak të impenjimit të tij të madh, unë mendoj që publicistika është një nga gjërat që Edi e ka lënë mënjanë për shkak të impenjimit politik. Unë vetë kam shumë dëshirë të lexoj dhe kam dëshirë të studioj, kam dëshirë të shkruaj. I vlerësoj njerëzit që shkruajnë dhe për këtë arsye sapo kam mbaruar fakultetin e Ekonomisë, pasi kam marrë titullin master, jam dedikuar në studimin e shumë fenomeneve dhe proceseve që ndodhin në tranzicion, jo vetëm në Shqipëri.

Kam qenë shpeshherë pjesë e rrjeteve ku diskutoheshin zhvillimet e mëdha që ndodhnin në Evropën paskomuniste. Kam qenë me fat. Sepse është si shkollë. Jo vetëm shkruan, por në vijimësi ke mundësinë që ke mundësi për shkak të kontakteve me ekspertë dhe qarqe akademike ke mundësi të mësosh dhe është një shkollë e vijueshme. Kështu që, unë rolin e nxënëses së mirë, nuk kam pushuar dhe pushoj as sot së bëri.



Ju keni pasur përkrahjen e një gruaje të fortë, siç është nëna juaj, Aneta. Në shtyp e kemi parë që ajo e ka dhënë bekimin e saj publik për këtë martesë, çfarë do të thotë se e njeh zonjën Basha. Sa dhe si njeh mami juaj zonjën Basha?

Edi Rama: Në fakt nëna ime nuk është se ka dhënë një bekim publik, ajo ka qenë e bombarduar nga kërkesat për të folur, nuk e ka dëshiruar një gjë të tillë, për një arsye shumë të thjeshtë që ka të bëjë me faktin se kjo është jeta jonë private dhe ajo... Megjithatë në një rast, një gazetareje i ka shprehur lumturinë e saj për këtë fakt. Ajo e njeh Lindën dhe e çmon. Pa dyshim ka thënë atë që mendon është goxha e lumtur për këtë ngjarje shumë të jashtëzakonshme në jetën time, në jetën e familjes sonë.


Ju, në mesazhin që shpërndatë orët e fundit linit të kuptohet se sa diskrete kishte qenë kjo ngjarje kur i thoshit edhe vëllait tuaj se ai është një nga mbështetësit tuaj të padukshëm të aktivitetit tuaj publik, megjithëse jeton larg në SHBA. Si e priti ai?

Edi Rama: Olsi nuk çuditet më nga unë. U bë një kohë e gjatë që ai është një mbështetje e jashtëzakonshme morale dhe shpirtërore për mua. Është fat të kesh vëlla Olsin, nuk është e lehtë të më kesh vëlla mua. Ndërkohë që e vërteta e mesazhit lidhet me faktin që ne dëshironim që ky eveniment ishte një eveniment që ne dëshironim të zinte sa më pak vend në media dhe thashethimit urban. Ajo që ndodhi ishte befasuese, sepse, në fakt, ishte një gjë e mbajtur shumë sekret, jo se do të ndodhë ndonjë gjë e madhe, por pikërisht sepse duam të jetë një gjë e thjeshtë. Një moment ku ne dëshirojmë që të trokasim një gotë me miq dhe dashamirës brenda një kuadri festiv mjaft të përmbajtur. Sigurisht që unë kur e mora vesh këtë lajm, përveç befasisë ishte edhe një lloj të ndjeri jo fort mirë në raport me miq dhe të afërm, në raport me vetë familjen. Kështu që, unë me ngut shkrova atë mesazh, i cili u bë thjesht për të ndarë atë lajm, me aq sa mundesha në atë momente, me miq dhe të afërm, në mënyrë që të mos e mësonin këtë gjë nga gazeta. Për fat të keq, Olsi është në Tiranë dhe nuk ka një celular. Kështu që, lajmin për të e lashë në celularin e nënës dhe pastaj bëmë bisedën, që në fakt duhet ta bënim një ditë më parë, por ai ishte i zënë dhe unë isha i zënë. Kështu që, duke qenë i sigurt që kjo s'do të dilte e lamë për të nesërmen. Kjo është historia.

Si e priti djali juaj këtë lajm?

Edi Rama: Gregu është sot shok dhe mbi të gjitha një shok që është edhe një njëri shumë i lirë, shumë komunikues, shumë i hapur, një njeri i cili ka pësuar një transformim të jashtëzakonshëm nga kapërcimi nga adoleshenca në këtë moshë. Mund t'ju them vetëm që e priti me një gëzim të veçantë.

Linda, vajza juaj 20 vjeç si e priti lajmin e raportit tuaj me Edi Ramën dhe martesën?

Lindita Basha: Rea është kuptimi më i madh i jetës sime. Ajo studion për Arkitekturë në Vjenë. Është një fëmijë shumë komunikues. Këtë e ka jo vetëm për shkak të asaj që vijimësisht babai i Reas dhe unë kemi bërë, por veçanërisht për shkak të vëmendjes dhe të një kujdesi të posaçëm që gjyshërit e Reas që e kanë rritur kanë dhënë për të. Ajo është me fat shumë. Ne si prindër sigurisht i kemi dhënë të gjithë kujdesin dhe dashurinë tonë. Meqë është rritur me gjyshërit ajo ka marrë të gjithë kujdesin dhe të gjithë vëmendjen e tyre. Edhe për shkak të faktit se unë dhe babai Reas na duhej të ktheheshim edhe vonë për shkak të angazhimeve që ne kishim.

Rea, cilësia e parë që ajo ka, është e drejtpërdrejtë me të gjithë njerëzit. Mua më pëlqen shumë kjo. Unë kam qenë e drejtpërdrejtë me të dhe ajo ka qenë e drejtpërdrejtë me mua edhe kur e kemi trajtuar këtë bisedë. Unë mendoj që fëmijët janë të gëzuar për këtë lidhje, për nënën dhe babanë. Fëmijët gëzohen kur nëna dhe babai janë të gëzuar. Unë mendoj që Rea e ka pritur fare normal këtë lajm. Ajo është një fëmijë i rritur me një kujdes dhe dashuri të veçantë, me nënën, gjyshërit, bashkë me babanë dhe nënën e vet. I ka të gjitha mundësitë që të jetë një fëmijë i lumtur dhe i gëzuar.


Edi Rama të pëlqen kështu apo me modë ekstravagante të pak viteve më parë?

Lindita Basha: Kjo është një pyetje e vështirë, jo e vështirë për t'iu përgjigjur. Unë mendoj që Edi ekstravagant ishte shumë mirë në atë kohë, por kështu siç është më mirë sot. T'ju them të drejtën kur shoh Edin të veshur ashtu vite më përpara, ndonjëherë më duket sikur politika e ka bërë që... Ajo ishte liri që bënte Edi përpara, më shumë se sa e ka sot. Sikur i ka marrë ato rrobat, ato ngjyrat, i ka vënë në një astar dhe i ka vënë në dollap. Mbase do të vijë një kohë kur do t'i nxjerri përsëri nga dollapi, do të doja të ndodhte kjo në një të ardhme.

Zoti Rama, ka zëra që e përshkruajnë Linditën si këshilltaren tuaj. Sa do t'ju influencojë Lindita në vendimmarrjen tuaj politike?

Edi Rama: Është e sigurt që Linda është gjysma ime më e mirë. Pa dyshim që ne bisedojmë për shumë çështje. Pa dyshim që unë e dëgjoj më vëmendje atë çfarë thotë. Por, po ashtu nuk ka dyshim që Linda është një njeri shumë e dhënë pas punëve të saj, të cilat i ka më shumë me pasion, pas kërkimeve të saj dhe të jetës në universitet. Jam i bindur që duke qenë e distancuar nga arena e betejës së përgjithshme politike, do të jetë një mbështetje shumë e mirë dhe njëkohësisht do të jetë një pikë referimi e domosdoshme për të mbetur në ekuilibrin midis domosdoshmërisë për të marrë vendime të aty për atyshme dhe njëkohësisht për të ruajtur disa vlera dhe disa parime që politika kërcënon vijimësisht që t'i rreshtojë dhe t'i deformojë.

Zonja Basha, do të luani një rol të rëndësishëm në politikë?

Lindita Basha: Absolutisht jo. Sigurisht që unë nuk do të luaj një rol në politikë. Unë mendoj që do të jem një mbështetëse shpirtërore shumë e mirë e Edi Ramës.

Cilin nga modelet do të ndiqje në jetën politike?

Lindita Basha: Unë besoj që të jesh sot një grua që të merresh me politikë është një sakrificë tepër e madhe. Po ashtu unë besoj që të jesh një grua pranë politikës për shkak të bashkëshortit është një detyrë jo e lehtë dhe goxha e vështirë. Unë mendoj që ajo që unë do të bëj është mbështetja shpirtërore e Edi Ramës.

Zonja Basha, a jeni anëtare e ndonjë partie dhe, nëse jo, a do të donit të bëheshit anëtare e Partisë Socialiste?

Lindita Basha: Jo, nuk jam anëtare e ndonjë partie dhe absolutisht nuk do të bëhesha anëtare e ndonjë partie, qoftë edhe e Partisë Socialiste. Unë mendoj që në një familje, një duhet të jetë politikan. Ne në familje kemi Edin politikan.


Mendoni se bashkëshortja e kryetarit të PS-së duhet të jetë socialiste?

Edi Rama: PS-ja nuk ka vetëm anëtare, ka simpatizant, ka edhe mbështetës. Besoj që në familjen tonë ka kush e bën propagandën e partisë, kështu që nuk ma ha mendje që do të shtrohet ndonjëherë ky problem.


Jeni përkrah një personi të kritikuar edhe për karakterin e tij personal dhe jetën e tij private. Si e njihni ju Edi Ramën dhe cili është vlerësimi juaj për Edi Ramën?

Lindita Basha: Edi i pikturuar në të gjitha sulmet që ka pasur në politikë, në të vërtetë nuk ka të ngjajë fare me Edin e vërtetë që unë njoh. Sigurisht që është vështirë të them gjithçka, sepse duket sikur lëvdoj njeriun e dashur timin. Faktin që unë me një bindje të plotë sot jam ulur pranë tij, është e mjaftueshme për të lexuar vlerësimin tim lidhur me këtë. Por, nëse do të përpiqesha, përsëri nxjerr cilësi më të spikatura të Edit. Edi, dy cilësi ka të spikatura shumë, është shumë njerëzor dhe shumë komunikues.

Ana negative e Edi Ramës?

Lindita Basha: Sot nuk është dita që të them ndonjë të metë. Nuk ka njerëz perfekt. Kjo është arsyeja që prindërit na thonë mos e bëj këtë dhe bëj atë. Njeriu duhet të shikojë se kush janë të metat dhe t'i riparojë ato.

Ju keni punuar në një post të rëndësishëm, siç janë edhe privatizimet. Kjo deri në vitin 1998. Kjo do të thotë se në të shkuarën keni votuar për PD-në?

Lindita Basha: Unë gjithmonë kam votuar, sa herë janë bërë zgjedhje në Shqipëri. Votën e respektoj. Unë mendoj që të votosh është një gjë shumë e rëndësishme, është një nga të drejtat që kemi marrë për të votuar siç duam.


Kujt ia ke hedhur votën?

Lindita Basha: Unë kam votuar sa herë që në Shqipëri ka pasur zgjedhje. Nuk besoj se është momenti për të shpjeguar votën time këtu.

Kur nuk e njihnit personalisht Edi Ramën, keni votuar?

Lindita Basha: Unë Edi Ramën nuk e kam votuar se e kam njohur, por e kam njohur se e kam votuar.

Përse e ke votuar?

Lindita Basha: Për të njëjtën arsye që e kanë votuar shumë të tjerë.

Cilat janë çështjet që ju debatoni apo keni kundërshtime me bashkëshortin tuaj të ardhshëm?

Lindita Basha: Me Edin ndaj mendime dhe opinione pothuajse të njëllojta dhe e shohim botën dhe e dëshirojmë botën njëlloj. Sigurisht që temat që ne diskutojmë shumë gjithnjë kanë lidhje me ato tema që diskutojnë familjet shqiptare, shkollimi i fëmijëve, pensionet, kujdesi shëndetësor, punësimi. Meraku që ka çdo prindër sot. Sigurisht që e kemi në të përditshmen që të shkëmbejmë libra dhe të ndajmë mendime lidhur me opinione, lidhur me librat, sigurisht brenda atyre hapësirave që ne na lejon koha për ta bërë këtë.

Zoti Rama, ka pasur një gëzim të madh në bazë. Keni pritur njeriun e duhur që jeni zgajtur kaq shumë?

Edi Rama: Unë e kam ndjerë në numrin e pafundmë të mesazheve të urimeve që ky fakt dhe kjo ngjarje ka krijuar një energji pozitive, një ndjenjë gëzimi, posaçërisht tek miqtë dhe pse jo tek shumë të tjerë që janë njerëz të tjerë, dashamirës që janë edhe të panjohur. Jam shumë i kënaqur për këtë. Për sa i përket kohës kur kjo ndodhi, nuk është një gjë që nuk ka të bëjë me faktin nëse kam pritur apo se jam ngutur, nuk është me të ngutur apo me të pritur, është me të ngjitur. Në rastin konkret jemi në një komplementaritet të plotë.

Ti ke një gjë që nuk bie dakord me të?

Edi Rama: Marrëdhënia jonë është një marrëdhënie që ka një dashuri të veçantë dhe një mirëkuptim të thellë. Sigurisht që ka sfidën e debatit dhe të argumentuarit lidhur me shumëçka. Nuk është absolutisht e vërtetë që midis nesh politika është në qendër të bisedës. Do të thosha që kjo ndodh në raste shumë të veçanta, ku ne bisedojmë për shumëçka tjetër dhe sigurisht në një mënyrë apo në një tjetër ka të bëjë me interesin tim edhe si njeri politik. Do të dëshiroja të më mirëkuptimin të gjithë që edhe fakti që jemi sot në këtë studio është shprehje e respektit për interesimin e shumë njerëzve.

 Kjo nuk është diçka që nuk dëshirojmë të ndodhi shpesh. Unë të dëshiroja ta theksoja se ka një jetë personale të njeriut, e cila sidoqoftë ajo meriton të ruhet dhe të respektohet. Por, në rastin tim, kjo është jashtëzakonisht e vështirë, si në rastin e çdo njeriu publik. Megjithatë, unë dhe Linda do të bëjmë të gjitha përpjekjet që familjen tonë ta mbajmë larg kamerave, larg thashethemit urban, pasi është diçka që do të dëshirojmë ta ndërtojmë për njëri-tjetrin.


Si mendoni që ky profil politik do të ndryshojë pas martesës me zonjën Basha?

Edi Rama: Lidhja jonë ndryshon diçka themelore shpirtërisht, për mua kjo është gjithçka. Sigurisht që politika është pasioni im, por jeta është më e gjerë se politika, në atë pjesën që e bën jetën më të gjerë është edhe kjo vepër e përbashkët.

Ku do të banojë çifti Rama?

Lindita Basha: Në një apartament me qira në Tiranë, fare pranë ish-"Ekspozitës".


Kjo është zgjedhja juaj apo zotit Rama? Më duket sikur është zgjedhja e zotit Rama, ka zgjedhur të qëndrojë afër nënës së tij.

Lindita Basha: Tirana është e vogël, diku këtu jemi.

Keni zgjedhur të jetoni shumë pranë nënës...

Edi Rama: Më kujtohet kënga e para ishte nëna dhe dyta ishte e ti. Në këtë rast unë jam i lumtur që jam mes këtyre dy grave kaq të rëndësishme për jetën time. Midis tyre është me rëndësi që gjeografikisht të jemi më afër.

U thatë që keni shumë të ftuar. Keni gjetur kohën dhe mundësinë për të përfshirë të gjitha emrat. Keni ftuar Ben Blushin?

Edi Rama: Pyetja më duket i vetmi problem në këtë rast, sepse Ben Blushi është një miku im. Pa asnjë dyshim është i fituar.

Zoti Islami?

Edi Rama: Është një bashkëpunëtor dhe është pjesë e njerëzve që unë me shumë dëshirë do ta ftoj dhe s'ka asnjë nevojë për të bërë këto pyetje.


Në fakt, zoti Berisha ju ka uruar për dasmën. Është e tepër t'ju pyes do ta ftonit apo jo...

Edi Rama: Festa është shumë e thjeshtë që ne do të bëjmë, që ka të jashtëzakonshme vetëm masën e të ftuarve është për miq dhe dashamirës.


Linda, kush do t'i paguajë shpenzimet e dasmës ?

Lindita Basha: Festa është e të dyve, nuk i shpëton asnjëri prej nesh. Por, ceremonia është fare e thjeshtë dhe një mundësi që ne të mund të jemi në kontakt me miqtë tanë dhe dashamirësit tanë për të trokitur një gotë.

Do të ketë një muaj mjalti për çiftin Rama?

Lindita Basha: Nuk do të ketë, është më e natyrshme që për shkak të punës që ka Edi të jetë në krye të punës së tij. Ditë për të gëzuar ka plot.

Zonja Basha, ju e ruajtët diskrecionin. A do të ruani dot këtë profil diskret?

Lindita Basha: Kjo javë dhe kjo ditë që jemi sot është një rrethanë shumë e veçantë në jetën e njeriut, kjo ndodh një herë dhe kjo nuk ka ndodhur për shkakun tim. Jo për shkakun tim kamerat janë drejtuar nga unë. Unë do të vazhdoj të ruaj dëshirën që të mos jem në qendër të vëmendjes së publikut. Por, si bashkëshorte e Edi Ramës do të jem pranë tij sa herë të jetë e domosdoshme, asnjëherë nuk do të jetë kur kjo nuk do të jetë e domosdoshme. Sigurisht do të përpiqem të bëj mirë atë të përditshme, të lehtësoj të përditshmen e Edit, ashtu sikurse bën çdo grua për njeriun që do.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama