Greta Dhaskali Lami është një nga 22 pjesëmarrësit e ekspozitës së artit bashkëkohor “Onufri 2011” në Galerinë Kombëtare të Arteve, e quajtur “Piktura e jetës moderne” (22 dhjetor 2011- 5 shkurt 2012). Puna e saj është një triptik që në fokus ka një shfaqje danc teatri. Tubimi i trupave të balerinëve aktorë në gjendje të ngrirë rregulli e harmonie që prishet në foton e tretë e cila ka kapur lëvizjen.
Skena e teatrit është vendi ku ndodh më shumë se kudo tjetër diçka, thotë Greta e cila mohon ndikimin e të shoqit, aktorit Vasjan Lami në dëshirën për të fotografuar teatër. “Fotografia ime është realiste, sepse dëshiroj të kap të vërtetën. E vërteta për mua është gjendje. Unë shoh atë që ju me sy të lirë nuk do ta shihnit. Për t’ia arritur kësaj kam shumë durim.” Unë shoh që ju me sy të lirë ju duket krejt ndryshe realisht. Ky parim i të parit realist të Gretës të sjell ndër mend punën e saj në “Onufrin” e kaluar “Unë jam ARTI-st”, një foto që u bë fytyra e “Onufrit 2010”. Një punë minimaliste: sfondi i bardhë dhe përfund kuadrit një radhë hijesh spektatore.
Sot mësuam se Greta Lami në profesion është inxhiniere dhe lidhjet e saj me fotografinë u trashëguan nga një dashuri e paarritur e të atit, Nestor Dhaskali, me fotografinë.
Prej një dekade ajo është bërë e shtëpisë së fotografëve. Disa herë konkurrente në ekspozitën ndërkombëtare “Marubi” (fituese e çmimit të publikut më 2005 me serinë e fotove “Sa të rënda”) dhe katër pjesëmarrje në “Onufri 2011”.
Zanati juaj është fotografia?
Jo, unë jam inxhiniere mjedisi, bile tani sapo mbarova studimet plus për teknologji mjedisi. Dikur nuk arrita të ndiqja artet, pikturën apo arkitekturën, se ashtu mori jeta. Vazhdova individualisht me fotografinë, pavarësisht se e kam filluar që për së vogli. Kam lindur me një aparat fotografik.
Si ke lindur me një aparat fotografik?
Im atë u kthye nga Rusia, ku kishte studiuar aviacion, me një laborator fotografik dhe një aparat Smena. Një Smena sovjetik që e kam dhe sot e që është funksional. Ndryshe nga planet që kishte, babai e shiti laboratorin, s’mund të ushtronte aktivitet privat. Më ‘62-shin linda unë.
Keni arkiv nga babai?
Po. Ai erdhi dhe me një arkiv nga Moska ku kishte jetuar gjashtë vjet. Në një valixhe të vogël druri, që e solli enkas për këtë punë, ruan ende fotot me shumë fanatizëm. Me teknologjinë e re nuk është mësuar.
Personalisht ruaj arkivën e filmave për kohën kur kam fotografuar me film e për të cilën kam vuajtur pak sepse mezi e gjeje filmin dhe nuk qe lehtë për t’u stampuar, sidomos filmin me ngjyra. Hera e parë kur kam fotografuar me film me ngjyra ishte në ’85-ën, në Vermosh. Im shoq, Vasjani, xhironte “Në pyjet me borë ka jetë” me Rikard Ljarjen. Më kujtohet kthimi në atë rrugë të vështirë me kamionët e sharrave të druve.
Fotot janë të dobëta, sepse janë stampuar në Kinostudio, cilësia e filmit ishte e keqe. Vitet tetëdhjetë ishin vite krize. Kështu që unë duhej të isha shumë e saktë: ajo shkrepje që bëja, ajo duhej të mbetej.
Çfarë ka ndryshuar në mënyrën tuaj të të fotografuarit?
Jeta. Unë nuk kam për qëllim të bëj fotografi të inskenuara. Fotografoj atë që ndjej dhe ajo që bëj e bëj se më pëlqen. Vlera ka shumë edhe Vasjani sepse më mban gjithmonë afër dhe unë jam prezent kudo. Ka shfaqje të tëra që unë i shikoj me një sy, nëpërmjet aparatit. Sepse dua të fotografoj gjëra të vërteta.
E megjithatë ju fotografoni mëse inskenime, teatër, danc teatër.
Por jo të inskenuara enkas për foto. Fotografoj shfaqjet skenike sepse aktorët a balerinët kanë një tjetër gjendje, ata nuk luajnë për mua, luajnë për veten e tyre. Gjendjen që e gjen në skenë nuk e gjen dot në asnjë vend tjetër. Një shfaqje nuk është asnjëherë e njëjta. Ndryshon gjendja e aktorit, sytë. Nëse aktori është në formën e tij më të mirë, e kap perfekt syrin, gjestin, lëvizjen, gjendjen. Ka pasur raste që unë e kam parë një shfaqje katër pesë herë, jo për të arritur foton e mirë që unë dua po për të kapur gjendjen e aktorit.
Ka lidhje me Vasjanin?
Nuk ka lidhje me Vasjanin. Ai është fillesa që unë të fotografoj teatër. Por e vërteta është që pasioni për teatrin më shtyu të takoja rastësisht Vasjanin për një biletë në portën e teatrit.
Çfarë është primare kur fotografon, vendi që zgjedh, subjektet, kushtet ku punon, ndriçimi?
Kushtet janë të rastësishme gjithmonë, asnjëherë të qëllimta. Unë nuk kam një studio timen që të punoj. Teknika? Asnjë lloj gjëje të veçantë nga teknika. Thjesht përdor disa aparate. Ato me film i kam hequr për momentin nga qarkullimi sepse janë të kushtueshëm. Punoj me dixhitalin dhe më ka nderuar. Mendoj se nuk ka shumë rëndësi aparati se sa kryesisht është dëshira dhe durimi. Kam durim shumë të madh kur bëj një foto.
Fotografimi i subjektit në lëvizje, kur është i arritur?
Është e vështirë. Njëra nga fotot që merr pjesë në “Onufri” ka kapur pikërisht këtë.
Unë e llogaris shkrepjen me lëvizjen e trupave. Kam arritur ta fitoj saktësinë gjatë kohës. Ndoshta është dhe kjo puna e durimit, që gjithë shfaqjen ta shoh mbas atij syrit të vogël te aparati.
Më kujtohet që të njëjtën gjë kam bërë fëmijë: para se të flija, natën nga dritarja kur krijohen hijet e rrugës, i shikoja nëpërmjet dorës, duke krijuar një lloj syri të aparatit tim Smena.
Atëherë është një metodë pa metodë kjo e juaja, e lirë?
E lirë. Fotografinë mund ta bësh si të duash. Ose mua më pëlqen kështu, ndër të tjera, pa përdorur përpunimet kompjuterike. Çdo gjë ka ardhur në mënyrë autodidakte. Dua të përmend Piro Naçen, mbështetjen e tij. Kur bleva një aparat me film, portreti i parë ishte i tij. Ia stampova dhe më tha: ti do të arrish të bësh ekspozitë me portrete. Atëhere portreti yt do të jetë atje, i premtova. Ku i dihet, ndoshta, do ta realizoj një ekspozitë me portrete.
Fotografia është e bukur për kohën që kap, ajo të çon menjëherë atje ku ke qenë dhe të kujton historinë që lidhet me atë foto.
Rrotull ka shumë artistë të rinj që fotografojnë, shumë ka dhe në “Onufër”…
“Onufri” më duket i mirë, ka freski, ndërsa të rinjtë janë shumë kreativë. Konceptet e tyre janë të larmishme. Por mua më pëlqen fotografia realiste sepse më pëlqen e vërteta. Të rinjtë janë kërkues, kanë studio, punojnë. Unë e bëj për kënaqësi, për pasion, por shumë njerëz jetojnë me këtë punë.
Vasjanin e keni fotografuar në skenë?
Pa fund. Kur bëj foto nuk e dija pse më ndodhte por e mora vesh në shfaqjen e fundit. Fotografova tre net rresht. Iu bëra portrete aktorëve. Te Vasjani më dilnin keq. E kuptova që unë kisha emocion që ai luante dhe me dridhej dora.