Pankina e Italisë ndodhet ende pa një emër konkret për zëvendësimin e Antonio Kontes në përfundim të Europianit, ndërkohë që një ndër kandidatët e mundshëm të përfolur shumë në media është edhe trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit, Xhani De Biazi.
Sipas shtypit italian, tekniku i kuqezinjve është në krye të listës me 6 emrat që i janë propozuar kreut të federatës, Tavekios.
Ky i fundit ka vendosur që të zgjedhë si supervizor të 'axurrëve' ish-trajnerin, Marçelo Lipi. Ai pritet të jetë në krah të trajnerit të ardhshëm të Italisë, pas largimit të Kontes drejt Çelsit në Premier Ligë.
Ndërkohë, i pyetur më herët se çfarë mendimi kishte për emrat e propozuar për kombëtaren italiane, mes tyre edhe të De Biazit, Lipi ka thënë se kandidaturat janë serioze dhe të denja.
"Emrat që fliten për Kombëtaren italiane janë gjithmonë të rëndësishëm. Të gjithë ata që janë përfolur kanë kredencialet e duhura për të qenë drejtues të Kombëtares italiane. Federata do të zgjedhë emrin e duhur",-ka deklaruar Lipi rreth një muaj më parë për "Sport Mediaset".