UNESCO miraton statusin liqeni Ohër–Prespë, Rezervë Ndërkufitare Biosferë. Lajmi bëhet i ditur nga Ministria e Mjedisit, sipas së cilës, “vendimi është marrë në sesionin e 26-të të Këshillit Ndërkombëtar të Koordinimit “Njeriu dhe Biosfera”, të mbajtur në Jönköping të Suedisë më 11 qershor të këtij viti.
Këshilli Ndërkombëtar i Koordinimit “Njeriu dhe Biosfera” i UNESCO-s ka aprovuar propozimin e Ministrisë të Mjedisit të Shqipërisë për njohjen e ekosistemit Ohër – Prespë, Rezervë Ndërkufitare Biosferë. Liqeni Ohër–Prespa ka tashmë statusin përmes të cilit do të sigurohet një mekanizëm që ruan balancën midis zhvillimit të qëndrueshëm të këtij rajoni me mbrojtjen e resurseve natyrore, duke ndihmuar në përmirësimin e menaxhimit, forcimin e bashkëpunimit ndërkufitar, planifikimin e integruar dhe forcimin e zbatimit ligjit për zonat e mbrojtura. Në të njëjtën kohë Ohër–Prespa prezantohen me status në interes për të gjithë komunitetin e donatorëve.
Zona Rezervë Ndërkufitare Biosferë përfshin pjesën shqiptare dhe maqedonase të basenit të Ohrit dhe pjesën e Prespës së Madhe Shqipëri – Maqedoni si dhe pjesën shqiptare të Prespës së Vogël përfshirë edhe zonën malore si kontribuues të furnizimit me ujë të liqenit. Sipërfaqja nën statusin e UNESCO-s, Ohër – Prespë Rezerve Ndërkufitare Biosfere përfshin një sipërfaqe prej 446,224.52 ha ose 4,462.24 km2 .
Liqenet e Ohrit dhe Prespës janë konsideruar si thesaret biologjike të Ballkanit pasi të dy liqenet janë njohur si pika të nxehta të diversitetit biologjik për shkak të specieve endemike që gjenden vetëm në këto ekosisteme.