Liqeni i Shkodres drejt kthimit ne kenete

Liqeni i Shkodres drejt kthimit ne kenete
Liqeni i Shkodrës po shkon drejt kënetizimit. Kjo është ajo që u theksua në një takim të zhvilluar në Shkodër disa ditë më parë, ndërsa ata që ngrenë zërin për këtë problem janë figura të njohura. Me gjithë projektet e shumta, ku shumat kolosale të parave nuk kanë munguar, liqeni të ofron një pamje vërtet të trishtë ndërsa bimësia ka filluar të mbizotërojë sipërfaqe të mëdha, duke të krijuar më tepër idenë e një kënete brigjeve të tij. Sipas specialistëve, situata aktuale është më e rënda në ekzistencën e Liqenit të Shkodrës, ndërsa fajtorë për këtë situatë mund të konsiderohen të dy vendet që lagen nga ky liqen, si Shqipëria, ashtu edhe Mali i Zi.

Pala shqiptare

Prof. dr. Mahir Hoti, specialist i gjeografisë fizike dhe mjedisit, shprehet se shoqëria civile duhet të reagojë në bashkëpunim me qeverisjen vendore dhe strukturat e tjera si dhe komunitetin rreth liqenit. “Duhet një ndërgjegjësim i madh që të ndalet dora e atyre veprimeve të paligjshme që në një mënyrë apo një tjetër janë të pranishme”, thotë specialisti. Ndërkohë, lidhur me faktin që bimësa ka dalë në sipërfaqe, Hoti shprehet se “cektëzimi i liqenit lidhet jo vetëm me thatësirën 4-mujore, por dhe me shumë faktorë të tjerë”. Ndërsa shpjegon se përrenjtë e alpeve e mbushin liqenin për shkak të pjerrësisë që kanë, specialisti Hoti nuk harron të theksojë se një faktor për cektëzimin e liqenit janë mbetjet ndërtimore e urbane.

“Duhet t’i thuhet ndal atyre”, shprehet ai. Nga ana tjetër, një dëmtim i madh që i bëhet liqenit, e sidomos peshkut të tij është ndotja kimike prej kombinatit të aluminit në Mal të Zi. “Përsëri dhe sot ai derdh ujëra me mbetje të metaleve të rënda, – thotë Hoti. – Projekti i Bankës Botërore, gjysma që i përket palës malazeze ka si qëllim që tërë shuma të shkojë në bërjen të padëmshme të materialeve që dalin nga mbetjet teknologjike të procesit të prodhimit të aluminit në Mal të Zi”, përmbyll specialisti.

Pala malaziase

Jelena Morojeviq, e shoqatës “Green Home” në Mal të Zi shprehet se “Liqeni i Shkodrës është zonë e mbrojtur nga dy vendet, nga Mali i Zi dhe Shqipëria, por që nuk ka atë nivel të mbrojtjes që duhet të ketë, të paktën në letër, pasi ka faktorë të ndryshëm që ndikojnë në ndotjen e liqenit, qofshin nga Mali i Zi, qofshin dhe nga Shqipëria”. Morojeviq thotë se në Mal të Zi qëndron problemi i theksuar i ndotjes që vjen nga kombinati i aluminit në Podgoricë dhe kimikatet nga ky kombinat lëshohen në lumin e Moraçës dhe më pas shkojnë në liqen, duke dëmtuar kështu sistemin ujor.

“Sa herë që ndodhin raste të tilla, komisioni i mbrojtjes së ambjentit del në terren dhe verifikon shkallën e ndotjes. Por problemi ekziston dhe pala malazeze është e vetëdijshme për këtë. Shpresojmë që qeveria të marrë masa shtesë për eliminimin e kësaj ndotjeje nga kombinati i aluminit, sepse ky problem duhet të marrë zgjidhje afatgjatë dhe pa një zgjidhje të tillë, liqeni mbetet i kërcënuar”, thotë Morojeviq. Ajo vëren se edhe ujërat e zeza në të dy vendet janë një tjetër problem, ndërsa përmbyll se të dy shtetet duhet të punojnë në këtë drejtim.

E megjithatë, pavarësisht projekteve të shumta, takimeve, konventave dhe marrëveshjeve dypalëshe mes Shqipërisë dhe Malit të Zi lidhur me Liqenin e Shkodrës, ku në shumë raste ndërmjetësues e financues kanë qenë organizma ndërkombëtarë, ky liqen aktualisht ndodhet në një situatë shumë të rëndë, për të mos thënë në situatën më të rëndë të historisë së vet. Tashmë një udhëtim nëpër Shirokë apo edhe drejt Malit të Zi dhe anasjelltas të sjell para syve më tepër se një pasuri kombëtare, një liqen-kënetë që nuk të ofron asgjë të bukur.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama