Mes të kërkuarve, ish-shefi i Shtabit Luan Hoxha dhe krerë të piramidave. Policia kërkon edhe ish-shefin e Gardës në ‘97, Xhahit Xhaferi. Dy persona në kërkim, mes të cilëve një i dënuar për vrasje, janë arrestuar dje nga Policia e Shtetit, vetëm një ditë pas publikimit të listës së 742 të kërkuarve të dënuar me mbi 5 vjet burg. Drejtoria e Policisë së Vlorës njoftoi arrestimin e një 47-vjeçari të dënuar me 25 vjet burg për një vrasje të ndodhur në mes të qytetit. Aleks (Aljosha) Gjonaj, 47 vjeç, banues në fshatin Levan të Fierit, u arrestua dje pas një aksioni të Policisë së Vlorës.
Mësohet se lokalizimi i vendndodhjes së tij është bërë mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative, ndërsa kjo gjë ka ndodhur një ditë pas publikimit të listës së të kërkuarve, ku ndodhet edhe emri i 47-vjeçarit dhe një foto e vjetër e tij. Strukturat Kundër Krimeve të Rënda të Drejtorisë së Policisë Vlorë bashkë me Policinë e Fierit, ditën e djeshme, rreth orës 17:00, kanë arritur të ndalojnë shtetasin Aleks Gjonaj, i shpallur në kërkim për “vrasje me paramendim” dhe “armëmbajtje pa leje”.
Sipas Policisë, këtë shtetas, Gjykata e Vlorës, me vendimin e datës 22 tetor 2003 e ka dënuar me 25 vjet burg. Ai ishte akuzuar se më 5 nëntor të vitit 2002, në bashkëpunim me një person tjetër (i arrestuar nga policia menjëherë pas kryerjes së krimit), në lagjen “Isa Boletini” të Vlorës, për motive të dobëta ka vrarë me armë zjarri shtetasin Shkëlqim Halili. Prej asaj kohe, për 11 vjet Aleks Gjonaj ka qenë i lirë, ndërsa dje ra në pranga. Po kështu, nga Policia e Shkodrës në bashkëpunim me forcat e rendit në Tiranë, është vënë në pranga shtetasi në kërkim Gjovalin Toma, 42 vjeç, i cili ndodhet në listën e të kërkuarve, të bërë publike nga policia. Për këtë person, Gjykata e Tiranës, më datë 18 shkurt 2013, ka vendosur dënimin me 10 vjet heqje lirie, ndërsa në aplikim të gjykimit të shkurtuar dënimi ka zbritur në 6 vjet e 8 (tetë) muaj heqje lirie, për veprën penale të “mashtrimit”.
PERSONAZHET
Në listën e më të kërkuarve është edhe Luan Hoxha, ishshefi i Shtabit të Ushtrisë shqiptare, i dënuar në mungesë për tragjedinë e Gërdecit. “Luan Ramiz Hoxha, datëlindja 28 mars 1960, në Shkodër, i dënuar me 5 vjet burg për akuzën ’shpërdorim detyre kryer nga kuadri komandues’”, janë të dhënat në listën e të kërkuarve për Luan Hoxhën.
Të kërkuar të tjerë që kanë dënime dhe akuza të rënda janë edhe dy djemtë e Rrapush Xhaferrit, ish-drejtuesit të skemës piramidale që u akuzua për vjedhje me anë të mashtrimit në dëm të qytetarëve deri në vitin 1997. Pëllumb Rrapush Xhaferri, lindur më 3 prill 1964 në Lushnjë, i dënuar me 10 vjet burg për akuzën e mashtrimit në bashkëpunim, dhe Përparim Rrapush Xhaferri, lindur më 5 shkurt 1962 në Lushnjë, i dënuar me 10 vjet burg për akuzën e mashtrimit në bashkëpunim”, janë të dhënat e tyre në listën e më të kërkuarve nga Policia shqiptare. Një tjetër personazh është Bashkim Driza, i cili rezulton në listën e personave në kërkim nga policia.
Ish-drejtuesi i skemës piramidale rezulton në kërkim me të dhënat: Bashkim Driza, datëlindja 3 shkurt 1958, i dënuar me 16 vjet burgim për akuzën e mashtrimit në bashkëpunim. Personazhe të tjerë në listë janë edhe ish-komandanti i Gardës së Republikës në vitin 1997, Xhahit Xhaferri, ish-shef operativ i dënuar nga gjykata për rebelim, dezertim i kuadrit komandues.