Ashtu siç ndodh prej vitesh në politikën shqiptare, lista e kandidatëve për zgjedhjet e 21 qershorit kryesohet nga biznesmenët. Janë plot 14 kandidatë, që vijnë nga kjo fushë. Mes tyre prijnë Safet Gjici, kandidati i PS-së për Kamzën, që është një biznesmen i njohur dhe njëkohësisht president i klubit të Kukësit, por dhe Keti Bazhdari.
Të tjerë emra të rëndësishëm janë Beqir Nuredini (PDIU) për Rrogozhinën apo Genci Deromema (PD) për Vlorën, ndërsa edhe kryebashkiakët aktualë të Durrësit dhe Kavajës, që rikandidojnë, kanë ardhur nga fusha e biznesit.
Ndërkohë, pas biznesmenëve vijnë mjekët. Janë 11 kandidatë, shkruan Panorama, që vijnë nga kjo fushë. Dy më kryesorët janë Halim Kosova në Tiranë nga PD dhe Dritan Leli në Vlorë nga PS. Edhe Igli Kokalari, kandidat i PD-së, vjen po nga fusha e mjekësisë. Ndërkohë, në listat e kandidatëve ka shumë pak jurist. Ajo që bie në sy, është fakti se një pjesë e kandidatëve, kanë mbaruar shkollën për agronomi apo veterinari.