Sulmuesi francez Biksent Lizarazu tregohet më i sinqertë sesa duhet. Ai zgjedh Gjermaninë si ekipin më të fortë të këtij kompeticioni dhe parashikon një ndeshje spektakolare në gjysmëfinale.
Ish-sulmuesi bavarez mbështet trajnerin Lëv për ndryshimin taktik që bëri ndaj Italisë, ndërsa thotë se Franca nuk ka pasur asnjë provë të fortë.
Sipas tij, ndeshja me Islandën nuk është një tregues i vërtetë edhe pse Franca arriti të shënonte 5 gola. Në një intervistë për mediat gjermane, ai vlerëson maksimalisht "pancerat".
Franca kundër Gjermanisë. Lizarazu, çfarë mendoni për këtë përballje dhe mbi të gjitha për ekipin e Lëvit?
Pres një ndeshje të bukur dhe spektakolare. Gjermania arriti të eliminonte Italinë, një ekip të fortë dhe shumë të vështirë. Ju mund të qeshni, por më lejoni të tregoj diçka.
Çfarë?
Gjermanët luajtën shumë si italianë. U treguan të zgjuar taktikisht, të orientuar në mbrojtje duke mos marrë përsipër shumë rrezik. Zakonisht Gjermania luan në mënyrë agresive, por Lëv bëri mirë që ndryshoi skemë. Për fatin e Gjermanisë, Italia nuk ishte ajo që mundi Spanjën.
Mehmet Sholl e kritikoi shumë trajnerin Lëv.
Sigurisht që edhe unë nuk e pëlqej futbollin mbrojtës, por kur duhet fituar një ndeshje, atëherë trajneri ka të drejtë të bëjë gjithçka. Ndonjëherë mund të fitosh edhe duke luajtur në mënyrë të shëmtuar.
A ju ka bindur Gjermania deri tani?
Është një ekip me potencial. Ka lojtarë të shkëlqyer dhe mund të zëvendësojë edhe mungesat e shumta. Mustafi, Hëvedes, Shyrle, Gëce dhe të tjerët janë gati. Edhe Kimish më pëlqen shumë. Është një futbollist me të ardhme.
A ka shanse Franca për ta fituar këtë sfidë?
Duhet ta marrim me qetësi dhe besim. Sigurisht Franca duhet të kënaqet me faktin që është ende në kampionatin europian. Shumë skuadra të tjera kanë marrë valixhet. Fitorja 5-2 ndaj Islandës ishte e bukur, por gënjeshtare.
Çfarë nënkuptoni me këtë?
Islanda ishte një ekip i fortë dhe i organizuar, por sigurisht që ka edhe probleme në mbrojtje. Franca duhet të jetë më e përgatitur për ndeshjen ndaj Gjermanisë. Gjermanët për momentin duken më të fortë.
A është Grizman ylli i vërtetë i Francës?
E nisi Europianin disi i lodhur për shkak të sezonit të gjatë me ekipin e tij, por tani është duke treguar vlerat e tij. Grizman është një futbollist i talentuar dhe ka fituar shumë eksperiencë me skuadrën e tij. Shpresoj që të ndihmohet edhe nga të tjerët.
Përgatiti: GENTJAN ALINANI