Llalla Shume zyrtare shqiptare nen hetim

Llalla: Shume zyrtare shqiptare nen hetim

Kryeprokurori Adriatik Llalla gjatë fjalës së tij në konferencën “Mbi korrupsionin e Shoqërinë” në Bukuresht, deklaroi se një numër i madh zyrtarësh shqiptarë janë nën hetim për korrupsion.

Ndër të tjera, Llalla theksoi se Shqipëria ka bërë dhe hapa të mëdhenj në drejtësi.

“Mjaft zyrtarë të nivelit të lartë po hetohen për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Ligji ynë e konsideron korrupsionin, krim të rëndë, ndaj ai hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Është i nevojshëm shtimi i kapaciteteve njerëzore”, u shpreh Llalla.

Gjithashtu Llalla theksoi se është rritur numri i hetimeve për korrupsion në nivele të larta dhe lufta kundër korrupsionit është një prioritet kombëtar.

“Kam rreth dy vjet në pozicionin e Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë dhe konstatohet se po konsolidohet ndjeshëm komunikimi ndërmjet institucioneve ligjzbatuese. Shqipëria tashmë ka marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësimin në Bashkimin Europian dhe lufta kundër korrupsionit konsiderohet prioritet kombëtar”, u shpreh Prokurori i Përgjithshëm.

Për sa i përket krimit të organizuar, kryeprokurori deklaroi se po bashkëpunohet ngushtë edhe me vendet e tjera, pasi shkëmbimi i informacioneve rrit luftën kundër krimit.

“Në bashkëpunim me vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria po punon për krijimin e Ekipeve të Përbashkëta Hetimore. Këto struktura janë një mënyrë efikase e komunikimit dhe shkëmbimit të informacionit ndërmjet shteteve të ndryshme për luftën kundër trafiqeve dhe krimit ndërkufitar”, sqaroi Llalla.

Konferenca e Bukureshtit u organizua në kuadër të 25-vjetorit të rënies së Murit të Berlinit, nga Komisioni Parlamentar i Rumanisë për Aksesin në Zonën Shengen, në bashkëpunim me Institutin Aspen të Rumanisë, Lëvizjen Noastra në Rumani, Shoqërinë Akademike, Fondacionin për Zhvillim Partneriteti, si dhe me mbështetjen e qeverisë së Rumanisë, Ministrisë së Drejtësisë, Komisionit Europian në Bukuresht, Ambasadës Italiane në Bukuresht si dhe Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Rumani.

Kjo konferencë kishte në fokus transparencën dhe antiKorrupsionin në vendet postkomuniste të Europës Qendrore dhe Lindore.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama