Kreu i qeverisë Edi Rama ka zgjedhur të flasë para grupit të tij parlamentar për të paralajmëruar një fortunë të drejtësisë shqiptare, fortunë që pritet (duke iu referuar deklaratave të tij) të prekë dhe politikanët.
Rama ka lajmëruar reformë në drejtësi, në mënyrë që drejtësia të mos ndalet para kostumeve politike. “Reforma në drejtësi do të bëjë që dora e drejtësisë të mos ndalet para askujt, as përpara të veshurve me kostumin e politikës dhe as para të veshurve me petkun e drejtësisë”, deklaroi Rama sot.
Deklarata e tij vjen disa ditë pasi kryeprokurori Adriatik Llalla tha se së shpejti do të kishte dosje hetimi që do të trondisnin të ardhmen e vendit.
Kreu i qeverisë u fokusua në fjalën e tij tek marrja e statusit kandidat, për të cilin ai tha se vendi ishte më pranë se kurrë, dhe tek akuzuat e opozitës që i cilësoi si efekti i “dehjes” nga humbja e 23 qershorit.
“Kemi arsye të forta të besojmë se kurrë s’kemi qenë më pranë këtij objektivi strategjik. E pamundur dukej para shtatorit nxjerrja e Shqipërisë nga një izolim faktik ndërkombëtar. Sot Shqipëria ka rifilluar të shihet ndryshe dhe të dëgjohet gjithnjë e më me shumë respekt, falë qeverisë së re dhe falë rezultateve tona të para që janë në përputhje të plotë me pritshmëritë e partnerëve ndërkombëtarë”.
Një pjesë të mirë të fjalës së tij e zuri opozita dhe akuzat që ajo ka bërë në adresë të tij pas kapjes së avionit trasportues të drogës.
“Gënjeshtra, shpifje fabrikime dizinformim frontal dhe gjuhë e trashur që e vetëdiskretitojnë PD, konkretisht një grup pushtetarësh të bërë tapë nga humbja e 23 qershorit që lanë që Shqipërinë të mbillte kanabis si kurrë më parë, që i kanë dhënë statusin vetes të shpëtojnë Shqipërinë nga zjarri i drogës. Por, problemi i vendit tonë sot në raport me botën e vecanërisht me Europën e bashkuar nuk është se e besojnë këtë histeri, por si ta bindim familjen evropiane që Shqipëria nuk ka vetëm faje, por ka dhe fajtorë”.
Rama theksoi se po shihet si shumë e afërt vizita e tij si kryetar qeveri ne një vend si Holanda, që gjithmonë është treguar skeptik për marrjen e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë. “Po lexoj edhe ftesën nga kryeministri holandez për një vizitë të afërt në Holandë, një takim që më parë dukej i pamundur”, u shpreh Rama.