Llalla kritika per Byrone e Hetimit dhe varesine e Policise nga Tahiri

Llalla, kritika per Byrone e Hetimit dhe varesine e Policise nga Tahiri

Prokurori i Përgjithshëm e cilëson në kundërshtim me Kushtetutën të drejtën e policisë për të kryer filmime ambientale apo përgjime, pa marrë më parë miratimin në Prokurori. Zbardhen vërejtjet e Prokurorisë së Përgjithshme për ligjin e Policisë së Shtetit, ku parashikohet ngritja e Byrosë Kombëtare të Hetimit. “Kjo strukturë duhet të varet jo vetëm nga ministri, por edhe nga Prokurori i Përgjithshëm. Formulimi krijon përplasje me kuadrin ligjor në fuqi”

Që në fillim të fjalës së tij, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri u tha deputetëve në komisionin parlamentar të Ligjeve se ndihej krenar për projektligjin e ri ”Për Policinë e Shtetit”. Po aq optimist ai u tregua edhe kur tha se projektligji në fjalë ishte draftuar së bashku me asistencën e misioneve partnere që asistojnë Policinë e Shtetit dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, të tilla si OSBE, PAMECA dhe ICITAP. Por fjala e tij me gjithë risitë që sipas tij sillte ky projektligj, u zbeh jo pak teksa nënkryetari i komisionit të Ligjeve, Oerd Bylykbashi, në pyetjet drejtuar ministrit i bëri me dije një bllok vërejtjesh që kishte dërguar Prokuroria e Përgjithshme për draftin në fjalë. Disa problematika i bëri me dije edhe deputetja e PS-së, Ermonela Felaj. Kjo e fundit, bazuar në raportin e dërguar nga Prokuroria e Përgjithshme, u fokusua ndër të tjera tek rreziku i mbivendosjes së kompetencave të Byrosë Kombëtare të Hetimit, e parashikuar për herë të parë si strukturë në draftin për policinë. “…Si do të kujdesemi ne që ky organ të mos krijojë dualitet në lidhje me organin e Prokurorisë dhe veçanërisht me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, sepse kjo prokurori ka pak a shumë të njëjtin fokus të hetimit që do të ketë edhe Byroja Kombëtare e Hetimit dhe ne duhet të kujdesimi që asnjëra të mos i mbivendoset tjetrës dhe njëkohësisht të mos tejkalojmë parashikimet kushtetuese që drejtimin dhe kontrollin e hetimeve e ka prokurori…”, – tha Felaj. Të njëjtin shqetësim paraqiti edhe deputeti Bylykbashi, bazuar edhe ai në raportin e Prokurorisë. Kush është arsyeja që ju i jepni Byrosë së Hetimit kompetenca që qartazi shkojnë dhe dhunojnë dispozita që janë eprore karshi këtij ligji duke i dhënë të drejtë policisë së shtetit që të ndërhyjë edhe aty ku e ka të ndaluar sot?,- pyeti Bylykbashi, duke cituar më pas vërejtje nga organi i akuzës. “Unë di që grupi i punës ka pasur një sërë prokurorësh pjesëmarrës në hartimin e këtij projektligji. Në përfundim kemi bërë edhe një konsultë finale. Prokurori i Përgjithshëm ka paraqitur edhe mendimet e veta finale të cilat ne i kemi reflektuar në projektligj në përmasën që kemi menduar”, – u përgjigj Tahiri. Vetë Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla në shkresën e depozituar thekson se, formulimi në draft për këtë strukturë, “krijon përplasje me kuadrin ligjor në fuqi dhe paqartësi që mund të keqinterpretohen në shkelje të parashikimeve të cituara në Kodin e Procedurës Penale dhe ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e policisë gjyqësore”.

 

Një tjetër shqetësim serioz i Prokurorisë së Përgjithshme lidhet edhe me varësinë e policisë nga ministri që sipas organit të akuzës “bie në kundërshtim edhe me parimin e paanësisë politike në të cilën bazohet veprimtaria e policisë” . “…Policia e shtetit varet nga ligji dhe jo nga ministri dhe as nga ministria… Ligji bën një hap deciziv për ndarjen e Policisë së Shtetit nga çdo lloj autoriteti politik”, – ishte reagimi i Tahirit. Gjithashtu, në shkresën pesëfaqëshe të Prokurorisë së Përgjithshme vërehet ndër radhë se disa pika të projektligjit dalin edhe mbi Kodin e Procedurës Penale. “… Mënyra e kërkimit, marrjes dhe administrimit të provave në procesin penal nga subjektet e procedimit përfshi këtu edhe policinë gjyqësore të Policisë së Shtetit si dhe detyrimet e organeve shtetërore dhe personave juridik apo shtetasve janë të parashikuara aktualisht në Kodin e Procedurës Penale dhe nuk mund të rregullohen me një ligj të Policisë së Shtetit siç parashikon neni 34/2”, thuhet në shkresën e Prokurorisë. Shqetësime të kësaj natyre deri diku paraqiti edhe deputetja e PS-së, Ermonela Felaj. “…Është zgjeruar numri i rasteve që policia do të ketë të drejtë që të shoqërojë persona në ambientet e Policisë. Duhet të bëhet kujdes sepse disa nga ato raste rregullohen shprehimisht në Kodin e Procedurës Penale sepse ky Kod është parësor në raport me këtë ligj që është një ligj i thjeshtë”, – tha ajo. Ndërkohë, vërejtjet e  Prokurorisë së Përgjithshme shkojnë edhe më tej deri në pika që shkelin Kushtetutën: “Në nenin 123 të projektit “Mbledhja dhe përpunimi i të dhënave personale” ku ndër të tjera thuhet se, ‘policia mund të përdorë edhe bashkëpunimin e fshehtë me individë, regjistrimin me kamera në mjedise publike dhe private, vëzhgimin në mënyrë të fshehte të personave dhe  mjediseve, si dhe pajisjet gjurmuese të vendndodhjes’ bie ndesh me nenin 37 të Kushtetutës dhe nenin 221 të Kodit të Procedurës Penale pasi regjistrimi me kamera në ambiente private nuk mund të kryhet pa autorizim/vendim gjyqësor apo në rastet e flagrancës pa autorizim të Prokurorit”. Prokurori i Përgjithshëm shkruan edhe për përplasje me Kodin e Procedurës Penale.

 

“Pika 4 e nenit 130 ku thuhet se, ‘kur në vende të veçanta kryhen në mënyrë të përsëritur përgjime ambientale procedurale, me autorizim të prokurorit të Përgjithshëm, strukturat e Policisë ndërtojnë impiante stacionare të përgjimit ambiental’ normojnë përplasje si me nenin 13 të ligjit për ‘Përgjimin e Komunikimeve elektronike’ edhe me Kodin e Procedurës Penale ndaj sugjerojmë që kjo pikë të rishikohet”, thuhet në shkresë. Në anën tjetër, ministri Tahiri këmbënguljes së deputetëve që i referoheshin kryesisht shqetësimit të organit të akuzës iu përgjigj:  “…Jemi të gatshëm dhe të hapur të marrim parasysh çdo gjë racionale që sjell jo vetëm Prokurori i Përgjithshëm…”. Në fund të diskutimit prej më shumë se dy orësh, projektligji për policinë u votua në parim nga deputetët e PS-së dhe LSI-së ndërsa u kundërshtua me votë nga deputetët demokratë.

 

Vërejtjet e Prokurorisë së Përgjithshme

Neni 2 i projektligjit

Policia e shtetit është institucion i administratës shtetërore, person juridik në varësi të ministrit përgjegjës për çështjet e rendit dhe sigurisë publike…

    

Ky ndryshim në projektligj është pasqyruar edhe në relacionin shoqërues të tij, por nuk është qartësuar qëllimi i tij, arsyeja standardi apo modeli nga është huazuar ajo, arsye për të cilën sugjerojmë që është i nevojshëm rivlerësimi dhe qartësimi i këtij neni, si dhe për ligjbërësit ashtu edhe për grupet e interesit. Për më tepër varësia e policisë nga ministri bie në kundërshtim edhe me parimin e paanësisë politike në të cilën bazohet veprimtaria e policisë sipas nenit 5 të projektligjit

“Kontrolli dhe llogaridhënia” e panoramuar në projektligj, parim të cilën e çmojmë të domosdoshëm për tu parashikuar në të, veçanërisht gjatë ushtrimit të atributeve të policisë gjyqësore

    

    

    Në nenin 7 të projektligjit “Ministri” pika 2, është parashikuar që ministri mbikëqyr menaxhimin e buxhetit të Policisë së Shtetit sipas legjislacionit në fuqi, ndërsa sipas pikës 9 të ligjit në fuqi buxheti i policisë është një zë më vete në buxhetin e ministrisë, miratuar nga Kuvendi dhe auditimi i tij kryhet nga organet e parashikuara me ligj, pra nuk mbikëqyret nga ministri. Në relacionin shoqërues të projektligjit nuk është sqaruar, as lidhur me synimin ose efektet pozitive apo negative që mund të sjellë dhe as lidhur me modelin apo standardin nga është huazuar, arsye për të cilën sugjerojmë se është i nevojshëm rivlerësimi dhe qartësimi i këtij ndryshimi, si për ligjbërësit ashtu edhe për grupet e interesit

    

    

    Në nenin 16 “Detyrat” të projektit, në pikën 2 parashikon se “punonjësve të strukturave të tjera të zbatimit të ligjit u kërkohet të vihen  në shërbim të Policisë së Shtetit gjatë ushtrimit të atributeve në funksion të detyrave institucionale të njohura nga ligji”, mendojmë dhe sugjerojmë të hiqet nga ky ligj ose të riformulohet për arsye se funksionet kushtetuese dhe ligjore që kanë strukturat e tjera të zbatimit të ligjit në raport me policinë e shtetit janë të normuara me akte normative (kode e ligje) në hierarki normative më të lartë se Ligji për Policinë e Shtetit

    

    Në nenin 26 “Byroja Kombëtare e Hetimit” parashikon ndër të tjera se, “kjo strukturë kryen veprimtari gjurmuese dhe hetimore, në përputhje me  legjislacionin penal dhe procedural penal, për veprat penale në fushën e korrupsionit dhe veprimtarinë kriminale të lidhur me të.  Kjo strukturë ushtron kompetencat në gjithë territorin e vendit dhe për  veprimtarinë gjurmuese përgjigjet para drejtorit të Policisë së Shtetit,  ndërsa për veprimtarinë hetimore procedurale përgjigjet edhe para prokurorit” mendojmë dhe sugjerojmë se duhet të hiqet lidhësja “edhe” e cila nënkupton se struktura e Byrosë Kombëtare të Hetimit përgjigjet edhe përpara emërtesave të tjera në Policinë e Shtetit. Ligjbërësi në Kodin e Procedurës Penale dhe në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e policisë gjyqësore” ka shprehur vullnetin duke normuar se policia gjyqësore ushtron funksionet nën vartësinë e Prokurorit përgjigjet para tij dhe drejtohet e kontrollohet para tij. Ndërsa formulimi në këtë ligj krijon përplasje me kuadrin ligjor në fuqi dhe paqartësi që mund të keqinterpretohen në shkelje të parashikimeve të cituara në Kodin dhe ligjin sa më sipër. Në vijim sa më sipër referuar nenit 17 të ligjit për “Policinë Gjyqësore” mendojmë dhe sugjerojmë që edhe pika 4 e këtij neni të projektit është e nevojshme të riformulohet dhe parashikohet se organizimi dhe funksionimi i policisë gjyqësore në Byronë Kombëtare të Hetimit përcaktohen me urdhër të përbashkët të ministrit dhe Prokurorit të Përgjithshëm

    

Në nenin 33 të projektit ku thuhet se, “punonjësi i Byrosë përfiton shtesë page në masën 100% të pagës referuese” mendojmë se është e pamotivuar ligjërisht. Kjo shtesë page do të dëmtojë marrëdhëniet me strukturat e tjera të Policisë dhe me institucione të tjera hierarkike. Ata do të jenë në përbërje të seksionit të policisë gjyqësore pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda bashkë me oficerë të policisë gjyqësore të Prokurorisë, të cilët në të njëjtën çështje mund të punojnë se bashku dhe të përballojnë të njëjtat vështirësi në kryerjen e hetimeve ndërsa motivimi për oficerin e policisë gjyqësore të asaj prokurorie do të jetë më i ulët, pra diskriminues.

    

… Mënyra e kërkimit, marrjes dhe administrimit të provave në procesin penal nga subjektet e procedimit përfshi këtu edhe policinë gjyqësore të Policisë së Shtetit si dhe detyrimet e organeve shtetërore dhe personave juridik apo shtetasve janë të parashikuara aktualisht në Kodin e Procedurës Penale dhe nuk mund të rregullohen me një ligj të Policisë së Shtetit siç parashikon neni 34/2

Në nenin 123 të projektit “Mbledhja dhe përpunimi i të dhënave personale” ku ndër të tjera thuhet se, “policia mund të përdorë edhe bashkëpunimin e fshehtë me individë, regjistrimin me kamera në mjedise publike dhe private, vëzhgimin në mënyrë të fshehtë të personave dhe mjediseve, si dhe pajisjet gjurmuese të vendndodhjes” bie ndesh me nenin 37 të Kushtetutës dhe nenin 221 të Kodit të Procedurës Penale, pasi regjistrimi me kamera në ambiente private nuk mund të kryhet pa autorizim/vendim gjyqësor apo në rastet e flagrancës pa autorizim të Prokurorit

Pika 4 e nenit 130 ku thuhet se, “kur në vende të veçanta kryhen në mënyrë të përsëritur përgjime ambientale procedurale, me autorizim të prokurorit të Përgjithshëm,

strukturat e Policisë ndërtojnë impiante stacionare të përgjimit ambiental” normojnë përplasje si me nenin 13 të ligjit për “Përgjimin e Komunikimeve elektronike” edhe me Kodin e Procedurës Penale ndaj sugjerojmë që kjo pikë të rishikohet.

Neni 26

Byroja e Kombëtare e Hetimit

 1. Byroja Kombëtare e Hetimit është strukturë e veçantë e Policisë së

Shtetit.

2. Kjo strukturë kryen veprimtari gjurmuese dhe hetimore, në përputhje me

legjislacionin penal dhe procedural penal, për veprat penale në fushën e

korrupsionit dhe veprimtarinë kriminale të lidhur me të.

 3. Kjo strukturë ushtron kompetencat në gjithë territorin e vendit dhe për

veprimtarinë gjurmuese përgjigjet para drejtorit të Policisë së Shtetit,

ndërsa për veprimtarinë hetimore procedurale përgjigjet edhe para

prokurorit.

 4. Organizimi dhe funksionimi i Byrosë Kombëtare të Hetimit përcaktohet

me urdhër të ministrit.

 Në nenin 28 “Kriteret e emërimit të Drejtuesit të Byrosë Kombëtare të Hetimit” të projektit në gërmën “a” mendojmë dhe sugjerojmë se duhet të parashikohet që drejtuesi i kësaj strukture që ka arsimin policor, duhet të ketë edhe arsimin juridik për të përmbushur detyrat e tij…


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama