Llalla paralajmeron arrestime te bujshme

Llalla paralajmeron arrestime te bujshme

Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla paralajmëron se shumë shpejt do të ketë rezultate edhe në hetimet që po kryhen tek personat me pushtet politik, hetime të cilat sipas tij do të ndikojnë në fatet e integrimit të Shqipërisë. Nga tryeza e përbashkët me ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri për bashkëpunimin ndërinstitucional Polici-Prokurori, kryeprokurori tha se, organi i akuzës ka në proces hetimi dosje mjaft të rëndësishme.

"Kemi në proces hetimi mjaft raste të rëndësishme, të cilat nëse do të rezultojnë të suksesshme mund të kenë ndikim të rëndësishmë në ardhmen europiane të vendit. Janë vendosur përballë përgjegjësisë ligjore zyrtarë të niveleve të ndryshme, prokurorë, gjyqtarë, grupe apo struktura të ndryshme kriminale”, tha Llalla.

Ndërsa i pyetur se nëse personat nën hetim janë jashtë apo brenda parlamentit, Llalla shprehet se shumë shpejt do ketë rezultate, por hetimet e ndalojnë të publikojë emrat. Për sa i përket Gjykatave, të cilat së fundi janë akuzuar nga qeveria se me disa vendime të jashtëligjshme kanë liruar kriminelë, Llalla la të nënkuptuar se faktet për rastet e paraqitura nga Prokuroria dhe Policia e Shtetit kanë qenë të plota për të bindur gjykatat në vendimmarrjet e tyre.

Ndërsa, Tahiri në fjalën e tij tha se, “konfirmoj gatishmërinë e plotë të Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme për të kontribuar me të gjitha kapacitetet tona profesionale, me të gjitha veprimet hetimore të nevojshme për të hapur dhe çuar përpara deri në dënimet penale nga gjykatat, të gjitha çështjet e mbetura pezull, por që janë mjaft sensitive për rendin ligjor dhe shtetin e së drejtës, veçanërisht ato më të rëndësishmet për të cilat drejtësia e qytetarëve presin përgjigje që ne nuk mund të lejojmë të kthehen në simbol të padrejtësisë, pabarazisë dhe pandëshkueshmërisë, si Gërdecin , 21 Janarin, evazionin fiskal të mashtrimeve të tatimeve në rendin e milionave eurove, zyrtarë të lartë ndoshta në nivelet më të larta të kallëzuar për shpërdorim detyre e korrupsion”.

Ministri i Brendshëm duke bërë të ditur se deri tani Policia e Shteti ka procedua mbi 180 punonjës të saj në të gjitha nivelet bëri thirrje për “pastrimin” e agjencive ligjzbtuese nga persona abuzues.

 “Kam bindjen se e njëjta gjë duhet të ndodhë edhe me agjencitë e tjera ligjzbatuese, sepse pastrimi i tyre nga abuzuesit me detyrën e të korruptuarit ndaj atyre që bëjnë detyrën ndaj politikës dhe krimit më së pari dhe jo ndaj ligjit dhe drejtësisë qoftë në Polici, Prokurori apo Gjykatë, është detyrimi ynë ligjor për garanci dhe standarde të larta në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit elitar”, tha Tahiri.

Tryeza “Bashkëpunimi ndërinstitucional Polici - Prokurori”, u organizua nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria e Përgjithshme, ku të pranishëm ishin edhe drejtues të lartë të Prokurorisë dhe Policisë në qendër dhe qarqe. Të ftuar në aktivitet ishin shefat e misioneve PAMECA dhe ICITAP.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama