Loja mitike e njeriut dhe e ujkut

Loja mitike e njeriut dhe e ujkut

Në Bjello Polje (Mali i Zi), veprimtaria e përvitshme letrare “Mbrëmjet e poezisë së Ratkoviçit” iu kushtua autorit shqiptar, Ridvan Dibra. Me këtë rast u bë edhe prezantimi i romanit të tij “Stina e ujkut” përkthyer para pak kohësh në gjuhën malaziase nga Nikollë Berishaj. Një nga diskutimet rreth librit ishte edhe ai i shkrimtares dhe studiueses Bllaga Zhuriq (Blaga Žurić). “Gjithçka që kam kuptuar ndonjëherë, e kam kuptuar sepse kam dashur”, shkruante Tolstoj, i cili nuk i donte kritikët e letërsisë. Kur e pyetën për një kritik të shkruar mbi një vepër të tij, ai u përgjigj me humor se kritikët e dinë më mirë çfarë ka shkruar ai, kurse ai vetë nuk e dinte përse ka shkruar ashtu. Në frymën e kësaj thënieje të Tolstojit është edhe ky vështrim mbi romanin e Dibrës, pra më shumë nga këndi i lexuesit sesa ai i kritikut. Profesor universitar, shkrimtar i njohur, romancier, autor dramash, poet, tregimtar, eseist... Është i përfaqësuar në antologji në vendin e tij, i përkthyer në disa gjuhë të huaja. Fitues i çmimeve letrare prestigjioze vendore dhe rajonale, njëri nga autorët e shquar të letërsisë bashkëkohore shqiptare. Në gjuhën malazeze (në Mal të Zi) romani “Stina e ujkut” botohet në përkthimin e Nikollë Berishajt, pesëmbëdhjetë vjet pas daljes në gjuhën shqipe.

Vepra përbëhet nga tri pjesë: Pranimi (16 nëntituj), Bashkëjetesa (20 nëntituj) , Përrallat (20 nëntituj). Ka kompozicion dhe strukturë interesante. Pjesa e parë hapet me lutjen “Mos kërkoni ta vrisni bishën”. Duke u kthyer në muzg në strofullën e tij, ujku e gjeti aty njeriun me pushkë në dorë, pranë zjarrit. Me atë takim fillon loja me fjalë dhe lufta e brendshme e njeriut dhe bishës. Zhvillohet dialogu, një agon (garim me fjalë) i stërlashtë. Në fakt ndodh një debat fiksional që do t’ia kishin lakmi edhe oratorët e vjetër romakë.

“Asgjë nuk na bashkon. Gjithçka na ndan”, tha Njeriu.                                                                                                 

“Shumëçka na bashkon. Pak gjë na ndan”, tha Ujku.                                                                                                             

“Je bishë fodulle dhe egoiste”.                                                                                                                                              

 “ Kurse ti je qenie plot paragjykime dhe e lodhur nga ekzistenca”.                                                                           

“ E di kë ka njeriu mikun më të mirë?”                                                                                                                         

“Veten e tij”.                                                                                                                                                                       

“Po armikun më të madh?”                                                                                                                                                       

“Përsëri veten e tij”.

Dialogu është i pazakonshëm për vetë faktin se ndodh ndërmjet njeriut dhe ujkut. Ata janë aktorët e romanit. Përfaqësues të kopeve të veta, emërues të specieve dhe natyrave të veta. Bartin simboliken. Shenjën e vet. Frikën e vet, trimërinë dhe kodin e vet (sepse nëse nuk ke frikë nuk do të thotë se je guximtar). Është një ballafaqim i dy natyrave diametralisht të kundërta.

Prej fjalëve të ujkut del se njeriu po largohet nga vetja dhe qenësia e vet. Në njërën anë është një natyrë burimore, e përçarë, personale, dhe në tjetrën ajo e civilizimit, e zbutur, mbi të cilën ka ndodhur destruksioni njerëzor. Bashkëjetesa e dy qenieve që ishin armiq të hidhur, ujku në hyrjen e strofullit të vet, njeriu i dëbuar që ka hyrë në hapësirën e ujkut me pushkë në dorë. I ndante vetëm zjarri.

“Ishin krijuar të jetonin së bashku. Njeriu me bishën. Dhe bisha me njeriun. Nuk dihet se kush i ndau. Nuk dihet se pse i ndanë. Dihet se ribashkimi do të jetë i vështirë. Dhe i dhimbshëm”.

Të bashkuar nga qëllimi i njëjtë, mbijetesa, bisedojnë në strofull, si te Sheherezadja, si netëve të gjata me borë të dimrit, kur njerëzit rrinin bashkë dhe bisedonin. Dhjetë rrëfime të njeriut dhe dhjetë ujkut. Dëshmojnë se ata të dy jetojnë në harmoni, në miqësi, në çaste të rënda dhe në rrethana të njëjta.

Tri pjesët e romanit përfaqësojnë tri periudha të ndryshme në jetën e heronjve të autorit, me një vendosje krejtësisht të ndryshme skenike. Me imazhe të dukshme.

Me elemente të legjendës, përrallës, mitit apo fabulës, Dibra ndërton një rrëfim romanesk me një intrigë jo të zakonshme dhe një ngjarje të mundshme (kujtojmë Radjard Kiplingun dhe Moglin e tij. Dhëmbin e bardhë” të Xhek Londonit, mitin për ujkonjën që është kujdesur për Romulin dhe Remin, Ujkonjën e mbarsur të Jevrem Bërkoviqit ).

Ekzistojnë fije të padukshme të cilat e lidhin njeriun dhe ujkun. Mirëpo, ujku është ai që nuk mashtron dhe nuk tradhton, sepse pati mundësinë që ta hante njeriun. Ai nuk është i vetëdijshëm për këtë gjë, është njeriu ai të cilin e cilëson tradhtia. Ai vepron me vetëdije. Njeriu mban përgjegjësinë për mëkate. ujku jo, sepse udhëhiqet nga instinkti, megjithëse edhe atë autori në këtë roman e “qerasë” me vetëdije dhe ndërgjegje. I afroi fatkeqësia.

“Stina e ujkut” është roman me formë të veçantë, që dëshmon për një artist, i cili e shfrytëzon simboliken dhe në një rrafsh të lartë estetik i qaset përpunimit të temës së ujkut dhe njeriut , asaj hapësire intriguese dhe të gjerë të mitit tek të gjithë popujt. Në një mënyrë shumë origjinale autori e fut lexuesin në përmbajtje. Duke lexuar romanin që fascinon me “Hapjen” e vet (ashtu titullohet pjesa hyrëse) vërehen fjali të rrumbullakuara, gnomike (si te nobelisti portugez Zhoze Saramago), që shkrihen në njëra-tjetrën dhe prodhojnë domethënie polivalente, tonike dhe manifestime shqisore. Shkaktojnë emocione, ndikojnë te njeriu, duke sjellë frikë katarzike, pasiguri dhe trembje që përhapen në të dy anët e zjarrit në strofull (në shpellë). Një çelës që hap thelbin e romanit është perceptimi i erës së bishës te njeriu dhe të njeriut te bisha.

Dialogu në prozë, nga i cili emanon lirika, rrjedh qetë megjithëse në çdo fjalë ndjehet frika dhe nuk na lë indiferentë. Fantazma e urisë i tundon edhe njërin edhe tjetrin. Cila është porosia (morali) i kësaj proze jo të rëndomtë? Ky është një roman për vetë ne, për ne që shpesh nuk e njohim vetveten, e lëre më të tjerët rreth nesh, siç thotë autori: “Nuk kuptojmë, shtiremi”, se kuptojmë.

“Stina e ujkut” është roman-alegori dhe i përket letërsisë që gjurmon kuptimin dhe si e tillë bën pjesë në ato eksperimente të rralla krijuese, origjinale si për zhanrin, ashtu edhe për tematikën. Është shkruar me një diskurs mbresëlënës që e zhvesh shpirtin e njeriut dhe të bishës, në mënyrë filozofike, por të qartë, duke folur më tepër për ngjashmëritë sesa për dallimet, që e ndajnë qenien njerëzore nga bisha. Autori zhvesh paragjykimet me takimin e befasishëm të njeriut dhe ujkut, krijon një bashkësi jo të natyrshme, e cila me kohë shndërrohet në bashkëjetesë.

Njeriu në shpellë, ujku në prag, zjarri në mes

Dimë se ujku i trembet zjarrit, por Dibra e shpërblen edhe me këtë cilësi prandaj nuk trembet.

Romani në disa segmente mund të krahasohet me përrallën autoriale bashkëkohore. Dua t’i theksoj disa motive të romanit që i takojnë këtij zhanri: aftësia e të folurit që i jepet ujkut, vendi jo i përcaktuar i ngjarjes, papërcaktueshmëria e kohës, pengesat e brendshme dhe të jashtme që personazhet kapërcejnë për të arritur cakun etj. Kur ujku i zi nga ëndrra e njeriut kërkon që atij t’i flijohen “njëqind vasha të reja t’ia sjellim para natës” është po ashtu një motiv i këtij zhanri që e gjejmë në të gjitha kontinentet. Ky dhe shumë motive të tjera që mund të hasen në këtë roman dëshmojnë për vlerën e tij estetike, për gjithëkohësinë dhe përkatësinë këtyre hapësirave. Universalitetin e tij.

Të rrëfyerit sugjestionues dëshmon erudicionin e autorit me të cilin te lexuesi provokon sensin e besueshmërisë dhe të vërtetësisë. Madhësisë së tij i shkon për shtat pasioni për të lexuar që është zhvilluar në fëmijërinë e hershme (në moshën gjashtëvjeçare lexon “Manastirin kartezian të Parmës” të Stendalit). Ridvan Dibra si Mocarti, si Lermontovi... Natyrisht që një njohje e tillë e zhanreve letrare ka kushtëzuar edhe përcaktimin e tillë të motiveve dhe ndërlikueshmërinë e mendimeve. Mirëpo, pavarësisht nga faktet e përmendura, magjepsin zgjedhjet që ai bën gjatë të shkruarit, sidomos përshkrimin e hollësive gjatë prezantimit të personazheve dhe lëkundjeve të tyre të brendshme në luftën për mbijetesë dhe vetëdëshmim brenda llojit të vet.

Në fund të romanit, njeriu padijshëm, si edhe në jetë, siç thotë autori: “për shkaqe që nuk i kishte aspak të qarta”, mbeti pa mikun e vet, ujkun, dhe strehohet në qytet. Njeriu erdhi nga maja në rrëzë të malit “duke harruar që vende të tilla të populluara ishin strofulla ideale për njerëzit”.

Nga aspekti psikologjik, janë tepër interesantë titujt në pjesën e dytë, secili ka simbolikën e vet. Për nga specifika e vet veçohet nocioni i “ëndrrës”. Njeriu ëndërron: nga deti del ujku i zi, ulërin dhe i hap vetes plagën në gjoks. Ujku si simbol është i pranishëm tek të gjithë popujt. Zakonisht ka konotacion negativ, por jo te Ridvan Dibra, dhe jo te popujt e Ballkanit, e veçanërisht jo tek ata të cilët i ndajnë dhe i bashkojnë Bjeshkët e Namuna. Simbolikë të veçantë bart nocioni i ujkut të zi, i cili të shpie te miti për ujkun e kaltër te mongolët dhe te popujt e tjerë. “Ky ujk i kaltër ose ujk qiellor është kratofania e dritës uranike, vetëtimës; ai është shok i drenushës së bardhë ose të egër, e cila përfaqëson tokën, në hierofaninë tokë-qiell, nga e cila kanë rrjedhur shumë trima dhe prijës fisesh, mes tyre edhe Xhingis-kani. Në Kinë, po ashtu ekziston Ujku qiellor (ylli Sirius), i cili është rojës i Pallatit Qiellor (Ariu i Madh).

I tërë romani është me simbole. Që nga titulli deri te fjalia përfundimtare. Por, lidhur me këtë temë, një herë tjetër. Stina e ujkut është gjithmonë pranë nesh. Prandaj, për ta kuptuar, le ta lexojmë romanin “Stina e ujkut” të Ridvan Dibrës dhe do ta kuptojmë se: Çdokush që i shkakton dhembje tjetrit, i bën keq vetvetes. Çdokush që ndihmon tjetrin, i ndihmon vetvetes”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama