Për çdo kompjuter apo makineri slot që ka funksionuar në kundërvajtje me ligjet e shtetit shqiptar në pikat e lojërave të fatit janë dhënë mesatarisht 5 milionë dollarë ryshfete në muaj. Shifra e frikshme, (po të mendosh që ka shkuar në xhepin e “shërbyesve” të shtetit) është bërë e qartë nga burime të brendshme në Njësinë e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit ku ende po vijon puna për t’i dhënë fund marrëzisë. Sipas këtyre zërave deklarohet se pronarët e një kompjuteri, (slot machine) i jepte “nën dorë” inspektorit të kësaj njësie për të vazhduar punën i qetë thuajse muaj për muaj nga 10 000- 15 000 lekë.
Ryshfete marramendëse
Njësia e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit po përpiqet të kopsitë të gjithë dosjen që ka të bëjë me megaoperacionin që u krye në të gjithë vendin, “Fundi i Marrëzisë”. Mijëra makineri dhe kompjuterë në funksion u sekuestruan, ndërsa pati dhe mjaft procedime penale për pronarët e këtyre pikave të lojërave të fatit. Ndërsa në dritë kanë filluar të dalin faktet e para për instalimin në vend të një rrjeti abuzimesh dhe ryshfetesh, shifrat janë tronditëse. Çdo muaj jepeshin nga pronarët e këtyre bizneseve që shkonin vetëm për xhepat personalë të inspektorëve apo dhe më lartë të NJMLF-së rreth 5 milionë dollarë. Sipas përllogaritjeve dhe fakteve të marrë nga terreni, sot burime brenda këtij institucioni thonë se për një makineri të tillë paguhej deri në 15 mijë lekë që të mos konfiskohej. Çdo muaj ishte gati “paga” e majme për inspektorët, të cilët përpos kësaj paguheshin nga taksapaguesit shqiptarë, të cilët shuma të tilla nuk i marrin për vite e vite punë të ndershme. Hetimet për këtë çështje vazhdojnë ndërsa duket se përditë nxirren fakte të reja për korrupsionin gjigant që ushqehej në zyrat e shtetit. Burime brenda kësaj njësie shprehen se pritet të ketë dhe kallëzime, pasi manovrat korruptive nuk kanë të sosur. Kjo shumë e përllogaritur vlen vetëm për makineritë dhe kompjuterët, pa llogaritur “artilerinë e rëndë” të kazinove.
Antikorrupsioni
Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, në Konferencën Kombëtare Antikorrupsion deklaroi se: Vetëm përgjatë aksionit “Fundi i Marrëzisë”, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe DPT-në, u bllokuan 536 subjekte (230 vetëm në Tiranë). U sekuestruan mbi 2508 makineri lojërash fati dhe rreth 116 persona po procedohen penalisht. Ky treg operonte në rreth 75% të tij në mënyrë informale. Sipas tij kjo tregon qartazi për shpërdorim detyre, korrupsion dhe shkelje të ligjit nga zyrtarë dhe biznese të caktuara. Cani ka deklaruar gjithashtu në këtë konferencë se po kërkohet të ndryshohet në thelbin e vet edhe mënyra apo metodologjia e punës në sektorin që ai drejton. Po kështu dhe vetë Kryeministri Edi Rama u shpreh se tregu i kazinove dhe i gjithë lojërave të fatit është një treg 500-700 milionë dollarësh, ku korrupsioni dhe evazioni fiskal i kanë shkaktuar shtetit shqiptar miliona lekë dëme. Ndërsa operacioni pati jehonë të gjerë dhe mjaft mbështetje nga publiku nuk është se u përshëndet nga opozita e sotshme, madje eksponentë mjaft të rëndësishëm të partisë që ishte në pushtet i cilësuan si goditje ndaj biznesit, gjobat, sekuestrimet dhe mbylljet e aktiviteteve. B. Spaho
Ndërhyrje majtas dhe djathtas
Aksioni “Fund i Marrëzisë” pati dhe ndërhyrje nga politika, si majtas ashtu dhe djathtas. Si një biznes shumë fitimprurës, mjaft prej pronarëve kishin mbështetje të fuqishme nga politika. Pak kohë më parë u ndalua nga policia një funksionar i lartë i Ministrisë së Drejtësisë pasi tentoi të bllokonte ndërhyrjen e policisë në një pikë loje fati. Po kështu, në Kavajë përplasje pati dhe mes familjarit të një deputeti të PS-së dhe policisë, pasi ai refuzonte të mbyllte aktivitetin e tij të cilin e zhvillonte në mënyrë të jashtëligjshme. Por sinjali për të mos toleruar asnjë ndërhyrje apo tentativë ngërçi të operacionit u dha qëkur Ministria e Brendshme penalizoi me pezullime dhe largime disa punonjës policie, të cilët u përpoqën të informonin apo mbronin disa pronarë lojërash fati.