Më mirë një lojë e thjeshtë që ju zgjon dhe ju bën të qeshni, sesa lojëra të gatshme si “playstation”, apo makinat. Mund të qëndrosh në ajër të pastër, ose në shtëpi, por e rëndësishme është të ndash eksperiencat me fëmijët e tjerë, ose me mamanë dhe babanë. Loja të mëson dhe favorizon lidhjet shoqërore, të krijon një raport të mirë me të tjerët, si dhe të shkëmbesh idetë.
Të arrish t’u marrësh të vegjëlve një nga ato të qeshurat me gjithë shpirt, që duket sikur dalin nga shpirti, apo t’i shohësh tepër të gëzuar me sytë që u shkëlqejnë si xixa nga kënaqësia e lojës, tani është e pamundur, të paktën për prindërit britanikë. Te shumë është krijuar bindja se prindërit nuk dinë më të luajnë me fëmijët. “Sepse shpeshherë mendojnë se janë “të mbytur” nga përgjegjësitë. E kuptojnë se duhet të qëndrojnë me fëmijët, por nuk kanë mundësi, mungon koha e nevojshme, mundësia për t’u kujdesur për të vegjlit ndërsa ata luajnë vetëm.
Për të gjithë këtë e ka fajin shoqëria, e cila duhet t’i ndihmojë më shumë të vegjlit. Të komunikosh përmes lojës është e vështirë dhe natyrisht nuk mund të shtiresh sikur po kënaqesh shumë. Fëmijët e kuptojnë menjëherë dhe përfundimi do të ishte katastrofik. E vetmja zgjidhje është të ndahen përgjegjësitë me shoqërinë, jo përmes shumë mundësive me pagesë që kanë lindur në këtë fushë, por duke u kthyer fëmijëve hapësirat e nevojshme për lojërat dhe mundësinë për të zgjedhur në mënyrë autonome se si të organizojnë një lojë që është shumë e rëndësishme për rritjen e tyre”, thonë ekspertët.
Një studim i bërë nga ministria për familjet angleze, ka nxjerrë në dritë vështirësitë e baballarëve dhe nënave, të cilët janë gjithmonë të zënë me problemet e punës dhe nuk gjejnë më kohën e nevojshme për të qëndruar dhe për të komunikuar me fëmijët e tyre. Studimi i titulluar “Si luhet sot. Le t’i rikthehemi të kaluarës”, është zhvilluar te 2000 prindër dhe 2000 fëmijë nga mosha 5 deri në 15 vjeç në Britaninë e Madhe. Ai ka treguar një situatë të ngjashme për të gjithë shoqërinë bashkëkohore të Perëndimit, ku shumë nëna e baballarë të zënë me punë, nuk kanë kohë të merren me fëmijët.
Tania Brown, një psikologe e njohur në Britaninë e Madhe, si për këshillat e saj ndaj qeverisë (para disa viteve është kujdesur për efektet e dëmshme të videolojërave dhe internetit te fëmijët), ashtu edhe për bashkëpunimet me shumë programe popullore televizive për të vegjlit, pasi i ka hedhur një sy studimit, thekson veçanërisht se edhe atëherë kur prindërit e gjejnë kohën për të qëndruar me fëmijët e tyre, nuk dinë se me çfarë të luajnë.
Duke u gjendur në këtë situatë, detyrohen të ulen para videolojërave (një në tre prindër), të humbasin durimin (33 për qind) dhe në fund ta pranojnë faktin se kanë harruar se si luhet (një në pesë prindër). Të gjithë prindërit mburren se dinë të luajnë me fëmijët, por vetëm këta të fundit ua “çjerrin vërtet maskat”. Duke qenë se prindërit janë të stresuar dhe nuk u kushtojnë vëmendjen e duhur të vegjëlve, 9 në 10 fëmijë preferojnë të luajnë vetëm me videolojëra, ndërkohë që 1 në 10 fëmijë e kupton bezdinë që i shkakton prindit.
Pjesa më e madhe e fëmijëve duan të luajnë me mamanë ose babanë në ajër të pastër (75 për qind), ose nëse duhet të qëndrojnë medoemos në shtëpi, të luajnë duke u fshehur.
Preferencat e fëmijëve janë më të kuptueshme nëse sheh me kujdes pikat ku është mbështetur psikologia Tania Brown. Një lojë, për të qenë stimuluese dhe argëtuese, duhet të ketë katër pika mbështetjeje shumë të rëndësishme, pra të favorizojë të mësuarin, të nxisë fantazinë, të ketë integrim dhe të lehtësojë komunikimin. Nëse prindërit nuk arrijnë të kthehen te këto karakteristika të rëndësishme, të cilat mund të vërehen qartë te lojërat mes fëmijëve, ndodh sepse nuk e kujtojnë më si është të jesh i vogël, nuk arrijnë të çlirohen nga pengesat e tyre, janë tepër të stresuar dhe të përqendruar në punën e tyre.
Edhe një herë të vegjlit i perceptojnë këto ndjesi dhe 3 në 10 fëmijë e shpjegojnë këtë situatë si paaftësi të prindërve për t’u marrë me ta, të luajnë dhe të dëfrehen, sepse gjatë gjithë kohës e kanë mendjen te puna apo gjetkë. Shumë herë prindërit nxjerrin si justifikim stresin (50 për qind e prindërve), 30 për qind ua delegojnë përgjegjësitë fëmijëve, dhe nëse fëmijët janë më shumë se një, atëherë thonë se rivaliteti mes vëllezërve dhe motrave krijon tension në lojëra.
Një grup tjetër studiuesish, duke u mbështetur te rezultatet e studimit britanik, thekson se ky realitet është i njëjtë për shumë shtete perëndimore. Stresi dhe ngarkesa e prindërve në punë i ka spostuar fëmijët nga angazhimet e tyre. Sot prindërit dhe fëmijët janë të prirur të mendojnë që për të luajtur nevojiten lodra moderne, si për shembull “playstation”, ndërkohë që psikologët dhe pedagogët e ndryshëm theksojnë se përgatitja e lojërave, apo fantazia për zhvillimin e tyre janë elemente shumë të rëndësishme për t’u dëfryer dhe për t’u rritur. “T’u kthesh lodrat fëmijëve”, ky është qëllimi i studiuesve, sepse askush më mirë se ata nuk e di se si luhet.