Lojrat e Fatit - Cfare ndryshimi!

Lojrat e Fatit - Cfare ndryshimi!

Pas 14 vjetësh ligjvënësit do të duhet të miratojnë një ligj tjetër për lojrat e fatit. Ministria e Financave është duke “testuar” aktorët e interesit: Flisni tani çfarë kundërshtoni, në të kundërt…”! Ja çfarë ka ndryshuar.

Nuk ka më “ha Muço, pi Muço” në biznesin fitimprurës dhe mjaft të përhapur të lojrave të fatit. Ndryshon gjithçka, përmirësohet çdo gjë, rregullohet ligjërisht çdo “qoshe” e errët e ligjit ekzistues. Gjithçka gati në prill të vitit që vjen, apo mbase dhe në qershor të vitit 2016.


Qeveria ka vendosur të mos tolerojë më tërë atë histori “të zezë” të lojrave pa “rregulla loje”, të abuzimeve e shmangieve, të evazionit e mashtrimit tatimor. Ligji i ri është në tavolinën e aktorëve të tregut dhe për të është koha që tani, pikërisht tani, të flasin të gjithë ata që duan të punojnë në këtë sektor të ekonomisë, që kanë investuar në këtë biznes fitimprurës, që janë pasionantë të të gjithë lojrave që…. Sepse m’u kujtua tani një shprehje e lexuar diku, e thënë nga krijuesi spanjoll i lojrave të fatit, që, i pyetur se kush fiton më shumë nga këto lojra, dha përgjigjen lakonike: “Fitoj unë dhe ai…që nuk shkon kurrë të luajë”.


Gjithsesi ato janë një realitet, disa herë i dhimbshëm në Shqipëri dhe për të cilat në ditët e para të qeverisë së re u zhvilluar “Fundi i marrëzisë”, një operacion që rezultoi të rregjistrojë qindra kompani fantazmë lojrash fati e që organizonin në mënyrë të paligjshme veprimtari biznesi, qindra persona nën hetim e të penalizuar, mijëra pajisje të bllokuara dhe të asgjesuara…
Tani “Stop”! Nuk mund të tolerohet më! Por ligji është aty, në pritje për t’u diskutuar, debatuar, përmirësuar e përsosur. Le të flasin tani aktorët e tregut, në të kundërt, do të jetë vonë…
 
Çfarë ka ndryshuar…

Jo të gjitha lojrat e fatit që njeh bota, do të zhvillohen në Shqipëri. Ligji jep definicione: Ja cfarë mund të luash; Baste sportive; Baste për gara në pistë; Kazino; Kazino elektronike; Kazinotë elektronike në distancë; Lotari kombëtare; Bingo tradicionale; Bingo televizive.


Je 18 vjeç? Organizatorit të lojërave të fatit, nuk mund të punësojë dhe të lejojë të futen apo të luajnë në mjediset e lojërave të fatit, persona nën moshën 18 vjeç. Duhet të kesh në dorë kartën e identitetit, passaportën dhe madje do të rregjistrosh dokumentin tënd të identifikimit, nëse dëshiron të hush në sallën e lojrave të fatit. Nuk mund të jetë ndryshe! Organizatori e rregjistron emrin tuaj dhe është i detyruar ta mbajë këtë rreegjistër për tre vjet. Por nëse një nga pjesëtarët e familjes nuk dëshiron që tit ë luash lojrat e fatit? Eshtë zgjidhur: një kërkesë me shkrim, prej të paktën nga një prej familjarëve, nëpërmjet të cilës kërkohet moslejimi i këtij personi të hyjë në mjediset e lojërave të fatit dhe depozito kërkesën pranë AMLF (Agjencia e Mbikqyrjes së Lojrave të Fatit). Zgjidhet kështu njëherë e mirë ai kalvar vuajtjesh të pafunde të gruas që burri nuk i sillte asnjë lek në shtëpi, se i luante në kazino, që djali nuk i sillte asnjëherë pagën e plotë se i luante në baste sportive etj.


Çfarë tjetër ka ndryshuar? Ndalohet publiciteti për lojëra fati, në një mënyrë që shfaqet veçanërisht për të miturit, ose që i paraqet lojërat e fatit si zgjidhje të problemeve financiare. Ndalohet publiciteti në median e shkruar, elektronike dhe audiovizive, me përjashtim të buletineve informative të vetë organizatorit të lojës! Kjo është mbrojtja për ata që nuk e dinë çfarë të sjell pjesëmarrja në lojrat e fatit- një mundësi të mos tërhiqesh nga parajsa e shpejtë! Bën përjashtim vetëm Llotaria Kombëtare, por edhe ajo e kontrolluar nga Këshilli i Ministrave dhe Ministria e Financave.
 
A është një biznes ndjellës, pas këtyre kontureve?


Ligji i ri e ofron këtë biznes në standardet e biznesve të ngjashme në çdo shtet perëndimor. Ai nuk prek nismën private, por e rregullon atë, e standardizon, e bën të jetë kompetitive, por jo abuzuese. Por sanksionet janë ato që sjellin rregull. Cilat janë? Si kudo, së pari detyrimi ligjor për të derdhur në arkën e shtetit shumën e caktuar nga ligji: 3 % të të ardhurave bruto! Por para se të shkosh deri këtu ka ca detyrime të tjera, të njohura edhe nga ligji aktual i vitit 2000. Licensimi bëhet nëpërmjet garës, e cila kufizon pjesëmarrjen e atyre që nuk kanë pasur “CV” të pastër, nëse kanë zhvilluar më parë këtë veprimtari biznesi. Edhe kur merr licensën, nuk mund të hapësh pika të lojrave të fatit sa të duash dhe ku të duash! Dhe licensa është vetëm për pesë vjet!Nëse dëshiron të hapësh një kazino? OK! Por do të jetë Këshilli Kombëtar i Territorit që do të caktojë zonën. Por: Kazinotë, kanë të drejtë të hapin vetëm 1 (një) sallë për ushtrim aktiviteti. Kazinotë elektronike kanë të drejtë të hapin në total deri në 5 (pesë) salla për ushtrim aktiviteti; Bastet sportive dhe bastet për garat në pistë deri në 300 (treqind)NUIS-e Sekondare; B ingot tradicionale kanë të drejtë të hapin deri në 10 (dhjetë) NUIS-e Sekondare në total. Nuk ka më si deri dje? Normal! Përndryshe nuk do të gjendeshin rreht 500 kompani fantazmë nga operacioni policor “Fundi i Marrëzisë”!
 
Kush fiton e sa fiton nga lojrat e fatit!


Kjo ka qënë një pyetje që askush nuk ka mundur t’i japë një përgjigje të saktë. Edhe fituesit e gëzuar, kanë marrë aq sa u kanë dhënë dhe nuk e kanë ditur asnjëherë se sa duhet të merrnin. Edhe fiskalët kanë marrë aq sa iu kanë raportuar, por asnjëherë nuk kanë arritur të masin xhiron reale të këtij biznesi dhe të tatojnë atë mbi bazën e kësaj xhiroje. Tashmë ligji “flet”! Ja se si: Luan në Bingo Tradicionale apo Televizive? 80 % të të gjithë shumës së vënë në lojë, duhet ta marrë fituesi! Luan në kazino elektronike, llotari kombëtare apo kazino të zakonshme? Po fitove do të marrësh serish 80 % të shumës së vënë në lojë! Luan në kazino elektronike në distancë? Do të marrësh 90 % të kësaj shume! Përndryshe ç’kuptim ka, kur je fitues dhe nuk ke fitim?
 
Ana tjetër. Sa do të paguash që të jesh biznes i lojrave të fatit!


Ja tekstualisht çfarë thotë ligji: “Tarifat e Licencimit për Bastet sportive, bastet për garat në pistë për të gjithë periudhën e licencimit është 100.000.000 (njëqind milion) Lekë. Në këtë tarifë është përfshirë e drejta për të hapur deri në 300NIUS-e sekondare ne total.


Tarifat e Licencimit për kazinotë elektronike dhe kazinote elektronike në distancë për të gjithë periudhën e licencimit është 25.000.000 (njëzetë e pesë milion) Lekë. Në këtë tarifë është përfshirë e drejta për të hapur vetem 5 NIUS-e sekondare (për kazinotë elektronike).


 Tarifat e Licencimit për bingot tradicionale për të gjithë periudhën e licencimit është 5.000.000 (pesë milion) Lekë. Në këtë tarifë është përfshirë e drejta për të hapur 10 NIUS-e sekondare.
Tarifat e Licencimit për bingot televizive për të gjithë periudhën e licencimit është 25.000.000 (njëzetë e pesë milion) Lekë;


Afati i Licencimit për Kazino jepet për një periudhë 10 vjeçare. Tarifa e licensimit për të gjithë periudhën e licencimit është 1.000.000.000 (një miliard) Lekë. Në këtë tarifë është përfshirë e drejta për të hapur vetëm 1 sallë në total.


Afati i licensimit për lotarinë kombëtare jepet për një periudhë 10 vjeçare. Tarifa e licencimit për të gjithë periudhën e licencimit, është 1.000.000.000 (një miliard lekë). Dhe nuk mund të licensohesh nëse shoqëria/kompania nuk ka kapitalin themeltar më të vogël se 20.000.000 (njëzet milionë) lekë.
 
Disa të dhëna të fundit, për momentin…


Ligjvënësi është kujdesur mjaft në këtë projektligj rreth 60 faqesh të “kopsisë” të gjithë ato ngërçe që kishte lënë “përjashta” ligji i vjetër i vitit 2000. Ligji i ri zgjidh organizimin e basteve, në servera, të çertifikuar, të miratuar dhe të monitorueshëm nga AMLF. Ligji i ri siguron mundësinë për ruajtjen e biletave të basteve të vendosura nga lojtarët dhe pagesave nga fitimi, duke siguruar një sistem kontrolli të veprimeve të Organizatorit; ky i fundit do të bëjë të mundur që AMLF të lidhet në sistemin e IT-së së tij, në kohë reale, me qëllim vërtetimin dhe sigurimin e kontrollit të pandërprerë dhe të drejtpërdrejtë, i konsideruar si “kontroll i plotë”.


Zgjidhet edhe problem i Llotarisë Kombëtare, të cilën sipërmarrësi nuk mund ta ushtrojë më shumë se 10 vjet, por as mund ta quajë të miratuar vetëm nga Qeveria, pa e “certifikuar” atë Kuvendi i Shqipërisë! Kjo licenscë është një e vetme dhe i jepet aplikantit, i cili përzgjidhet i pari në proçesin e konkurimit!


Çdo të bëhet me ata që kanë licensa aktualisht? Ja përcaktimet ligjore (që mbeten për t’u diskutuar me aktorët e interesit):


1. Organizatorët e Lojërave të fatit Kazino, Lotari kombëtare dhe Bingo televizive, të licensuar përpara hyrjes në fuqi të ketij ligji, ushtrojne aktivitetin në përputhje me afatin  e licensimit të parashikuar në liçensën përkatëse;


2. Organizatorët e kazinove elektronike të cilët janë licensuar përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, kanë të drejtë të ushtrojnë aktivitetin vetëm në pikat që janë hapur në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, deri me daten 30 Qershor 2016. Pas këtij afati, të gjithë subjektet duhet te aplikojne për liçensim për këtë kategori.


3. Organizatorët e Basteve Sportive, bastet për garat në pistë, dhe bingot tradicionale me hyrjen në fuqi të këtij ligji, u fillon afati i vlefshmërisë së licencës sipas kategorisë përkatëse dhe janë të detyruar të përshtasin organizimin dhe funksionimin e tyre, dhe të paguajnë tarifën përkatëse të licensimit sipas dispozitave të këtij ligji, brenda 3 muajve pas hyrjes së tij në fuqi.


4. Licensa e organizatorit, i cili nuk përshtatet me dispozitat e këtij ligji, sipas pikës 1, 2 dhe 3 të këtij neni, konsiderohet e pavlefshme.


5. Opsioni I: Dispozitat e këtij ligji janë të aplikueshme deri në masën që nuk bien ndesh me licencat e subjekteve që disponojnë licencë për Llotari Kombëtare dhe Kazinonë.


Opsioni II: Dispozitat e këtij ligji janë të aplikueshme deri në masën që nuk bien ndesh me licencat e subjekteve, kontratat e të cilëve janë miratuar me ligj të veçantë.


Fjalët e tepërta nuk ndihin në këtë rast. Bëhet me dije se ku draft do të mund të eleminojë të gjithë handikapin e ligjit ekzistues, marrëzitë e kumarit pa rregulla të deritanishëm, por do të ndihmojë edhe në fuqizimin e arkës së shtetit, që më pas të përdoret për të gjithë ata që kanë nevojë. Ligji është ne tavolinë, si në një tapet loje force; ndeshen ligjvënësit dhe sipërmarrësit (por edhe lojtarët)! Eshtë koha për të vendosur rregulla. Atop o vendosen pak nga pak!
         


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama