Londer Mire se erdhet ne rrugen e miliardereve

Londer: Mire se erdhet ne rrugen e miliardereve
Në Londër e quajnë kështu, sepse “Kensington Palace Gardens” është rruga me numrin më të madh të miliarderëve në kryeqytetin më të pasur të Europës. Nga Roman Abramovich tek sulltani i Bruneit, ja kush ka zgjedhur të blejë shtëpi këtu. Miliona kilometra larg nga lagjet ku në gusht shpërtheu revolta e të varfërve...

Kuptohet menjëherë që nuk është një rrugë si të tjerat. Një portë e madhe prej hekuri pengon hyrjen e makinave dhe dy policë vendosin se cilat vetura do lënë të hyjnë, madje kontrollojnë edhe këmbësorët. Edhe për gazetarët, hyrja nuk është e lejuar. Duhet marrë një leje e shkruar më parë. Policët, sipas informacioneve i përkasin “Diplomatic Protection Group”, njësisë speciale të Scotland Yard, dedikuar mbrojtjes së trupit të huaj diplomatik. Ambasada të ndryshme, dy prej të cilave të konsideruara në rrezik për shkak të atentateve, ajo e Izraelit dhe Rusisë, figurojnë mes ndërtesave. “Kensington Palace Gardens”, është ky emri i rrugës së mbyllur për trafikun. Policët janë aty për të mbrojtur ambasadorët, por edhe banorët e tjerë të kësaj zone, pjesa më e madhe e të cilëve kanë më shumë se dy truproja personale. “Kensington Palace Gardens” është ana tjetër e medaljes: vendi ekonomikisht më i largët nga Hackney dhe nga periferitë e tjera të Londrës, ku muajin e kaluar shpërthyen protestat, dhuna dhe plaçkitjet që tronditën kombin. Trazirat që i vunë flakën vendit tregojnë më së mirë se deri ku ka arritur hendeku mes të pasurve dhe të varfërve në metropolin më të madh të Europës. Secila prej rezidencave luksoze që “zbukuron” “Billionaires’ Roë,”, “luginën e miliarderëve”, siç e kanë cilësuar gazetat dhe televizionet, kushton mesatarisht 24 milionë euro.

Shumë prej njerëzve më të pasur të botës kanë zgjedhur të banojnë aty. Si për shembull, Lakshmi Mittal, mbreti indian i çelikut, i pari në klasifikimin vjetor të “Times” mbi një mijë më të pasurit e Britanisë së Madhe, që në vitin 2004 bleu një nga këto shtëpi nga Bernie Ecclestone për rreth 65 milionë euro. Por, dy vjet më vonë Mittal bleu po në këtë rrugë një tjetër vilë, për 134 milionë euro nga Noam Gottesman, një tjetër pasanik londinez. Mes fqinjëve të tij është Jon Hunt, themelues i “Foxtons”, një nga agjencitë imobiliare më të mira të kryeqytetit britanik. Në një tjetër cep të lagjes banon miliarderi rus i naftës, Leonid Blavatnik, që është duke ndërtuar një strukturë nëntokësore me pishinë, palestër dhe kinema private. I ardhuri i fundit në këtë rrugë është Roman Abramovich, që disa javë më parë bleu një vilë të  mrekullueshme për rreth 100 milionë euro. Jo rastësisht, në versionin anglez të monopolit, rruga me vlerën më të lartë ka qenë “Mayfair”, ndërsa tani është “Kensington Palace Gardens”.  Këtë e certifikon dhe një raport i një agjencie imobiliare, që sapo e ka zgjedhur si “rruga më e shtrenjtë e Mbretërisë së Bashkuar”.

Shtëpitë e saj vlejnë mesatarisht 100 herë më shumë se banesat mesatare britanike. Mes rezidentëve të saj, ka edhe nga ata me gjak blu. Bëhet fjalë për sulltanin e Bruneit. Një tjetër mbret i ardhshëm është edhe princi Ëilliam, që ka zgjedhur “Kensington Palace”, pallati ku u rrit me nënën e tij, Diana, si rezidencën londineze për vete dhe gruan e tij Kate, në periudhën ku çifti nuk do të qëndrojë në banesën modeste të Uellsit, afër bazës së “Air Force” ku ai kryen shërbimin. Nëse 20 milionë sterlina për një shtëpi ju duken shumë, gjithçka është relative:  një garsoniere në “Hyde Park One”, kompleksi më i kushtueshëm në botë, i inauguruar në janar në krah të parkut londinez me të njëjtin emër, kushton rreth 4 milionë sterlina dhe secili prej katër apartamenteve në katin e fundit u shit për 150 milionë. Të pasurit në Londër nuk kanë munguar kurrë, por tashmë ajo është bërë atdheu i super të pasurve, kryeqyteti i “Rich-stan”, sulltanati i pasurisë, siç shkruhet në një libër. Nga 81 mijë persona të shpërndarë mes Europës, Azisë dhe Amerikës, me një pasuri mbi 50 milionë euro, për 3 mijë prej tyre ajo shkon në 500 milionë euro dhe për rreth një mijë, në një miliardë apo më shumë.

Nga këta një mijë, më shumë se 500 jetojnë në Londër dhe shumë të tjerë në qytetet përreth. “Pjesëtarë të një super elite, të një komuniteti ndërkombëtar që jeton në një realitet të ndarë, në një botë të ndryshme, të paimagjinueshme nga njerëzit e zakonshëm”, - shkruan Chrystia Freeland, editorialiste e “Financial Times”, në  “Plutocrats”, një libër që ka investiguar me detaje këtë super-klasë. Por si e kanë bërë një pasuri të tillë? Pjesa më e madhe, rreth 47 për qind, e kanë vënë vet pasurinë, duke përfituar nga globalizmi dhe nga revolucioni informatik, dhe vetëm 16 për qind e ka trashëguar atë.

Përqindje që 60 vjet më parë ishin e kundërta: atëherë pjesa më e madhe e kishin pasurinë të trashëguar, dhe pjesa më e vogël e kishte ndërtuar vetë. Por një tjetër element karakterizon këta super pasanikë të rinj: ligjet dhe ndryshimet politike që i favorizojnë, apo ulja e taksave për investimet. Kjo është teza kryesore që përshkruan librin “Take-All Politics”, i cili flet për fenomenin e super të pasurve, ku shkruhet: “Një shoqëri e sëmurë, nën ciklonin e një pabarazie të paparë ndonjëherë që nga koha e ‘Depresionit të madh’ në vitet ‘30. Të vish në ‘Kensington Palace Gardens’ për t’i hedhur një sy ‘luginës së miliarderëve’, nuk do ishte keq. Por, me shpresën se policët do ju lënë të hyni”.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama