Loro Borici/ Detajet e stadiumit te ri te Vllaznise dhe Kombetares

Loro Boriçi/ Detajet e stadiumit të ri të Vllaznisë dhe Kombëtares

Kushdo që vjen në Shkodër nuk mund të shmangë një xhiro për të parë stadiumin e ri "Loro Boriçi", një aset jo vetëm sportiv, por edhe kulturor që ndjek traditën e pasur të këtij qyteti.

Pamja nga fusha e stadiumit "Loro Boriçi"

Pamja nga fusha e stadiumit "Loro Boriçi"

Tashmë Shkodra nuk mund të krenohet vetëm me muzeun "Marubi" (u inaugurua para pak kohësh), rrugicat e dyert e vjetra, kalanë, liqenin, lumenjtë apo detin, por edhe me një vepër madhore siç është stadiumi "Loro Boriçi".

Impianti modern që është drejt fundit vjen si një investim i qeverisë shqiptare, në bashkëpunim me FSHF-në dhe UEFA-n. Shtëpia e re e Vllaznisë dhe po ashtu Kombëtares është pothuajse gati dhe pak gjëra kanë mbetur.

Sektori VIP i tribunës qendrore dhe dy katet e tjera, teksa ai i fundit i është dedikuar tërësisht mediave.

Sektori VIP i tribunës qendrore dhe dy katet e tjera, teksa ai i fundit i është dedikuar tërësisht mediave.

"Panorama Sport" do t'ju sjellë një rrugëtim në mjediset e stadiumit të ri, për të parë se çfarë ka ndodhur e si është transformuar edhe me ambiente që deri pak ditë më parë nuk diheshin.

Çfarë ka mbetur

Në pamje të parë, përreth stadiumit apo edhe kur futesh në brendësi të tij, duket sikur çdo gjë ka përfunduar. Në fakt, perceptimi është i drejtë sepse pjesa më e madhe e punimeve kryesore kanë marrë fund. Gjithsesi, impianti në total ende nuk është gati përfundimisht për të bërë hapjen zyrtare të tij.

Një prej pesë tribunave anësore, me kapacitet 360 vende secila

Një prej pesë tribunave anësore, me kapacitet 360 vende secila

Ndonëse volumi i madh i punës ka mbaruar, në disa pjesë të stadiumit "Loro Boriçi" po punohet për t'i dhënë fund kalvarit të rikonstruksionit të tij.

Ajo që bie në sy është se forcat punëtore pothuajse kanë lënë të boshatisura mjediset e brendshme, ku deri më tani ishte një kantier i vërtetë dhe janë përqendruar në mjediset e jashtme.

Ditët e fundit, në ambientet që rrethojnë stadiumin, ka një ritëm të lartë pune dhe një numër të madh punëtorësh që duket se janë shtuar me idenë për t'u dhënë fund sa më parë punimeve.

Hapësira në korridorin e dhomave të zhveshjes

Hapësira në korridorin e dhomave të zhveshjes

Në dy skajet e ndryshme, nga pjesa e pallatit të sportit, që është njëra prej rrugëve hyrëse apo edhe në anën tjetër nga tregu i fruta-perimeve në "Zdrale", rrugët janë bllokuar totalisht dhe makinat nuk mund të qarkullojnë më, të paktën deri kur të përfundojnë punimet. E gjithë pjesa e jashtme është e rrethuar, duke mos shqetësuar punëtorët e shumtë që janë në punë e sipër. Fokusi është te disa pllaka, të cilat janë vendosur në tokë.

Kjo pjesë është menduar si një lloj arredimi fin dhe që të ketë kuptim me ngjyrat dhe konstruksionin e tribunave dhe pamjen e jashtme të tyre.

13516427_10154435014844789_4647914907442560478_n

Pllakat prej guri nuk janë të vetme sepse është menduar edhe për zbukurime apo aksesorë të tjerë siç janë punime të ndryshme guri apo edhe saksia ku mund të mbillen lule apo bimë të tjera duke i dhënë një gjallërim të natyrshëm edhe përmes bimësisë.

Po ashtu, disa shtylla ndriçimi të vogla dhe estetike marrin kuptim me të gjithë këto pjesë të tjera duke qenë në unison. Ndriçuesit, përveçse aksesorë zbukurues të përzgjedhur, do të shërbejnë edhe gjatë natës për tifozët që do të jenë të pranishëm. Te shkallët e reja, që janë ndërtuar për t'u futur te tribuna përballë, hekurat e dyerve ndodhen aty, por ajo që mbetet për t'u vendosur është pjesa elektronike "check-in", sepse vetëm në këtë mënyrë do të kenë mundësi të futen tifozët në stadium.

Tabela elektronike është vendosur në një prej tribunave anësore.

Tabela elektronike është vendosur në një prej tribunave anësore.

Në ecje e sipër nuk kërkohet shumë që të gjendesh te dera kryesore, e cila është nën mbikëqyrjen e rreptë të rojeve private. Hapi i parë që bën është një pamje krejtësisht tjetër me imazhet e pjesës rrethuese.

Stadiumi i ngritur në këmbë të jep një frymëzim dhe vjen si një thirrje kumbuese që të fton brenda duke qenë në një botë krejtësisht tjetër.

Rreth 20 mijë vendet që presin tifozët në atë hapësirë të madhe të kujtojnë vitin e artë 1998 kur Vllaznia shpallej kampion, vitin 2001 kur kuqeblutë përsërisnin suksesin duke fituar trofeun. Por edhe vitin 2004, kur kombëtarja shqiptare fitonte 3-1 me Rusinë në atë ndeshje të madhe.

Duke lënë pas nostalgjinë që të krijon pamja e parë, sheh punëtorët të cilët me makineri presin barin që është rritur ndjeshëm. Natyrisht që në këtë pjesë bëhet një kujdes sepse ka rregulla për shkak të tapetit të ri. Tribunat kanë përfunduar, teksa diku në një cep është montuar tabela elektronike që do të shërbejë për një sërë gjërash.

Impianti i ndriçimit

Impianti i ndriçimit

Problemi i pistës

Sapo mbaron fusha e blertë, duhet të jetë pista e tartanit, por ende ajo pjesë ka mbetur mbrapa. Fondi për pistën e tartanit mungon dhe me shumë gjasa momentalisht nuk do të vendoset. Pak më tutje është asfalti që është shtruar dhe tashmë stafi dhe punëtorët nuk lëvizin më mes baltës, por në asfaltin e shtruar.

Lidhja elektrike për krejt impiantin e stadiumit të ri "Loro Boriçi" ende nuk është mundësuar dhe pritet që në ditët në vijim të përfundojë. Po ashtu edhe mobilimi në zyrat dhe dhomat e brendshme akoma s'ka përfunduar.

Të gjithë aksesorët janë porositur, por mbetet vetëm ardhja dhe më pas montimi.

Çfarë është bërë

Teksa disa punime të lartpërmendura duhen kryer për t'i dhënë fund stadiumit të ri "Loro Boriçi", pjesa më e madhe e tyre kanë përfunduar dhe stadiumi ka marrë formën dhe pamjen e re sipas projektit që ka qenë në letër. Duke nisur nga pjesa e jashtme, ndonëse punohet për pllakat, me dhjetëra dyqane poshtë shkallëve të stadiumit që do të përdoren për të sjellë të ardhura për Bashkinë Shkodër, por edhe FSHF në rastin e ndeshjeve ndërkombëtare, janë gati dhe presin të hapen dhe të nisë puna kur stadiumi të jetë gati.

Në katër cepat e stadiumit janë vendosur shtyllat e larta për ndriçimin gjatë ndeshjeve që do të luhen natën. Po ashtu, disa prej palestrave të ekipeve të Vllaznisë janë pothuajse gati dhe pritet vetëm zhvendosja e skuadrave në ato mjedise.

Palestra e boksit të Vllaznisë është gati dhe boksierët janë edhe ata në shtëpinë e re me një mjedis më të mirë se më përpara. Edhe aksesorë të tjerë, siç janë pllakat metalike që rrethojnë në lartësi tribunën për ta zbukuruar atë dhe për t'i dhënë një pamje ndryshe, kanë përfunduar.

Duke ecur, ndodhesh përballë shkallëve apo hyrjes së re të tifozëve që shpërndahen më pas te tribuna me hark apo tek ajo përballë. Edhe aty ndërtimi dhe konstruksioni ka përfunduar dhe mbetet vetëm vendosja e "check-in" për tifozët. Një hapësirë tjetër e madhe ndodhet ende pa shkuar te dera kryesore e stadiumit që është një faqatë e lartë muri, punimet e së cilës edhe aty kanë marrë fund.

Duke hyrë brenda stadiumit, stoike në këmbë ngrihen tribunat e saj, ajo qendrore, tribuna me hark, ajo përballë si dhe në fund ka pjesë ndarëse me minitribuna që është menduar të përdoren për tifozëritë mike duke mos pasur mundësi komunikimi me pjesët e tjera të tribunave, kjo për të shmangur përplasjet fizike si në rastin e ndeshjes Vllaznia- Tirana sezonin e kaluar.

Edhe stolat bashkë me lyerjen dhe punime të tjera në tribuna kanë përfunduar duke qenë të gatshme. Ajo që mbetet është vendosja e pjesëve metalike ku mund të vendosen reklama përreth fushës së blertë, ndërsa edhe magazinat që janë poshtë tribunave janë të gatshme dhe do të përdoren për të vendosur materiale të ndryshme që shërbejnë për stadiumin.

Në pak metra përballesh me një prej mjediseve më të rëndësishme, vendi i daljes së futbollistëve. Është menduar që dalja e ekipeve të jetë pikërisht përballë me pjesën qendrore të tribunës, aty ku shpeshherë qëndrojnë tifozët më të zjarrtë të Vllaznisë. Natyrisht që të qenit përballë krijon më shumë emocion për tifozërinë e po ashtu edhe më shumë atmosferë të ndezur sportive. Kati i parë natyrisht që është i përbërë me dhoma për sportistët dhe ekipet. Dhoma e mjekëve, arbitrave, dhomat e zhveshjes apo edhe mjedise të tjera të nevojshme.

Dhomat e zhveshjes kanë një hapësirë të madhe dhe të bollshme për lojtarët, por edhe për stafin teknik duke i dhënë mundësi që të veprojnë lirshëm.

Një kat më poshtë, një tjetër hapësirë që deri tani nuk dihej se ekzistonte është dhoma e nxehmjes së lojtarëve. Në rast se jashtë ka ndodhur diçka, ka një problem të papritur apo edhe reshje të dendura shiu, atëherë futbollistët kanë mundësi që nxehmjen përpara nisjes së ndeshjes mos ta bëjnë në fushën e lojës, si zakonisht, por në këtë hapësirë të projektuar.

Në këto dhoma, gjithçka është gati dhe pritet vetëm mobilimi dhe lidhja përfundimtare e kabllove elektrikë dhe elektronikë. Edhe kati i dytë është i gatshëm, dhomat janë gati dhe pritet vetëm mobilimi i tyre.

Pjesa më interesante dhe mbase edhe e vlefshme është kati i fundit. Në një lartësi të madhe, aty do të qëndrojnë mediat, gazetarët dhe fotoreporterët.

E mbushur me dhoma transmetimi për televizionet, depozitim kamerash e po ashtu edhe me një gjatësi të madhe e një ballkon i gjerë ku stadiumin e ke në pëllëmbën e dorës dhe sheh çdo gjë, do të jetë në dispozicion të gazetarëve, medias vizive, online dhe asaj të shkruar.

Një pamje magjepsëse e stadiumit "Loro Boriçi" që do të shërbejë për të përcjellë emocionet dhe gjithçka çfarë ndodh për të gjithë ata që në ndeshje të ndryshme nuk do të kenë mundësi të jenë në shkallët e stadiumit.

Nga SENAD NIKSHIQI



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama