Lotaria Amerikane dita e pare nis me abuzime

Lotaria Amerikane, dita e pare nis me abuzime
Ka kaluar vetëm 1 ditë nga nisja e aplikimit për Lotarinë Amerikane, dhe në Tiranë ka lulëzuar biznesi i mashtrimit. Njerëz të pajisur me një kompjuter dhe një aparat mund të ndihmojnë të t’i kryejnë procedurat në vend. Por, si çdo shërbim tjetër edhe kjo e ka një kosto. Kështu, nëse nuk aplikon dot vetë, atëherë detyrohesh të shkosh në këto pika aplikimi dhe të paguash 1 mijë lekë të reja: 500 lekë të reja për plotësimin e formularit dhe 500 lekë të reja për foton. Ky fenomen është bërë i zakonshëm për disa fotostudio, ku është dhe mundësia më e mirë për të aplikuar. Aty mund të bësh foton me përmasat e duhura, pastërtinë e duhur dhe të gjitha parametrat e tjerë dhe kështu ke përfunduar pjesën e fotos. Por në këto studio ofrohet edhe pjesa e plotësimit të shërbimit të formularit. Po kështu, vendi i përvitshëm ku aplikohet për Lotarinë Amerikanë është edhe “tregu i zi”, në qendër të kryeqytetit, pranë “Tregut Çam”. Ndërkohë që në rregullat për Lotarinë Amerikane thuhet që formulari duhet plotësuar nga vetë personi dhe me të dhëna korrekte. “Nuk ka pagesa apo kosto për regjistrimin në Programin e Lotaris? (DV-së)”,- kështu thuhet në faqen zyrtare të Departamentit të Shtetit, në gjuhën shqipe. Gjithashtu sqarohet se : “Pasi regjistrimi të jetë kryer me sukses, juve do t'ju paraqitet një faqe konfirmimi që përmban emrin tuaj dhe një numër unik konfirmimi. Ju duhet ta printoni këtë faqe konfirmimi p?r dokumentimin tuaj dhe sigurohuni që ta ruani numrin tuaj të konfirmimit”.

Vëzhgimi ynë

Për të vërtetuar të gjitha këto veprime, gazeta “Shekulli”, mori përsipër të shkojë dhe t’i shoh më nga afër këto gjëra. Ne drejtohemi në këto pika dhe pyesim nëse aplikohet për lotarinë amerikane dhe përgjigja e punonjësit të studios është se: “Po aplikohet, por pas orës 18.00 kur është njoftuar të nisin procedurat. Mund të vini kur të doni sepse ka afat deri në datën 3 nëntor, në të njëjtën orë. Bëni mirë që aplikoni që në fillim se po i latë për javën e fundit, ndoshta do të ketë probleme”. Madje, përveç kësaj na sugjerohet që të kemi flokët lëshuar dhe të hapim pjesën e fytyrës, në mënyrë që të jetë sa më e dukshme. Po kështu, në plotësimin e formularit duhet të mendohemi mirë për të gjitha të dhënat, sepse do të skualifikohemi direkt.

Situata

Kur i pyesim nëse ka kërkesa nga njerëz të tjerë, punonjësi na përgjigjet se kërkesa për plotësimin e formularit ka pasur gjatë gjithë muajve. Aty marrin vesh se njerëzit ngaqë nuk dëshirojnë të humbasin mundësinë për aplikim, kalojnë dhe pyesin vazhdimisht në studio. Kjo, sepse shumica e njerëzve ose nuk dinë ta plotësojnë formularin ose nuk kanë besim tek vetja, por shkojnë tek dikush më i kualifikuar për këtë punë. Punonjësi na vë në dijeni se nuk do të na digjet mundësia për shkak të gabimeve, sepse ka tre vjet që merret me këtë punë. Duke u gjendur në këto kushte mund të themi fare mirë se kjo është një formë abuzimi me aplikimin për Lotarinë.

Pikat ku duhet treguar kujdes

Nuk duhet që aplikantët të bien pre e mashtrimeve nga faqe të tjera që mund të qarkullojnë në internet për Lotarinë Amerikane. Të gjitha faqet që nuk mbarojnë me “gov”, janë faqe të pa autorizuara. Nëse aplikantët bien pre e këtyre mashtrimeve, atëherë ata nuk mund të shpallen fitues. Nëse plotësimi i formularit kryhet i saktë, duke filluar nga data 1 maj 2013, ju do të keni mundësi të kontrolloni statusin e DV-2014 të aplikimit tuaj në internet, në http://ëëë.dvlottery.state.gov tek Kontrolli i Statusit t? Regjistrimit (Entrant Status Check). Por, kujdes duhet pasur që në hapat e para, për shembull, nëse në momentin e intervistës në seksionin konsullor rezulton se aplikanti kryesor është regjistruar më shumë se një herë (brenda një viti) ose nuk ka përfshirë një person nën varësinë e tij, aplikanti do të skualifikohet, edhe nëse ai është përzgjedhur për lotarinë dhe/ose ka paguar tarifën e intervistës. Nga ana tjetër duhet pasur kujdes edhe në përmasat e fotografisë, të cilat janë të cilësuara në format. Duhet pasur parasysh se asnjë nga të dhënat e kërkuara nuk duhet lënë bosh, sepse automatikisht skualifikohesh.

Si të mos bini pre e mashtrimeve:

Adresat e internetit të faqeve zyrtare të Qeverisë Amerikane mbarojnë me .gov

Qytetarët duhet të kenë kujdes të mos mashtrohen nga faqe interneti apo e-maile, që reklamojnë Lotarinë Amerikane dhe që kërkojnë pagesë për këtë shërbim.

Seksioni konsullor i SHBA-s? nuk ka asnjë rol në procesin e përzgjedhjes për Lotarinë Amerikane. Përzgjedhja e aplikantëve nga e gjithë bota bëhet në mënyrë të rastësishme nga një kompjuter në Qendrën Konsullore të Kentucky-t në SHBA.

Shqipëria, në vendet e para të pranimit për numër popullsie

Shqipëria është kualifikuar ndër vendet e para në botë për frymë popullsie, që përzgjedh fitues për Lotarinë Amerikane. Kjo del nga rezultatet e bëra çdo vit, ku numri i shqiptarëve që fitojnë lotarinë, në krahasim me vendet e tjera është ndër të parët për numër popullsie. Kjo i bën qytetarët shqiptarë që të vazhdojnë të aplikojnë për Lotarinë Amerikane edhe nëse nuk fitojnë me herën e parë, ata aplikojnë sërish vitin e ardhshëm. Në vitet e kaluara numri i personave që kanë fituar lotarinë në të gjithë botën ka qenë 50 mijë. Në momentin që të gjitha 50 mijë vizat lëshohen, programi mbyllet. Kjo do të thotë që mund të ketë nga ata aplikantë që nuk do të arrijnë të marrin një vizë. Prandaj do të ishte mirë që aplikantët të përgatiten saktësisht ditën e intervistës.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama