Të gjithë aplikantët e lotarisë së Vizave të Shumëllojshmërisë (DV) këshillohen të shqyrtojnë udhëzimet mbi kriteret e kualifikimit të arsimimit dhe punësimit para se të aplikojnë. Aplikanti kryesor (ai që është përzgjedhur në bazë të numrit të aplikimit) duhet të ketë arsimim apo punësim të kualifikueshëm me qëllim që të kualifikohet për një vizë të programit të lotarisë së DV-së.
Arsimimi: Aplikantët duhet të kenë mbaruar arsimin e mesëm me kohë të plotë që është ekivalent me arsimimin në të paktën një shkollë të mesme amerikane (4 vjeçare, me kohë të plotë, arsim i përgjithshëm).
Jo të gjitha diplomat e shkollës së mesme në Shqipëri kualifikohen për programin. Diplomat e shkollës së mesme me kohë të pjesshme – pa shkëputje nga puna, shkollat e natës ose ato me korrespondencë, përfshirë programet pesë vjeçare ose programet e gjata (me kohë të pjesshme, pa shkëputje nga puna, shkollat e natës ose me korrespondencë) nuk kualifikohen për programin e lotarisë. Për më tepër, diplomat e shkollave të mesme profesionale rrallëherë kualifikohen për lotarinë. Edhe nëse ju keni mbaruar një pjesë të shkollës së mesme në sistemin me shkëputje nga puna dhe pjesën tjetër në sistemin me kohë të plotë, kjo diplomë nuk kualifikohet për programin e lotarisë.
Diplomat universitare kualifikohen për programin e lotarisë së DV-së.