Ëndrra amerikane vazhdon. Lotaria e ”Green Card” ka rritur numrin e përfituesve nga Kosova. Në vitin 2012 numri i të përzgjedhurve ishte 137 persona, në vitin 2013 numri u rrit në 183, ndërsa vitin e fundit nga ky program kanë përfituar 257 persona.
Programi i vizave emigruese në shumë vende të botës u jep përfituesve të drejtën për emigrim dhe banim të përhershëm në SHBA.
Program i lotarisë ka filluar para 24 vitesh dhe ka për qëllim të krijojë një diversitet të emigrantëve që shkojnë në SHBA, duke përzgjedhur 55 mijë aplikacione nga miliona që aplikojnë.
Sipas të dhënave të emigracionit nga Kosova gjatë këtyre viteve kanë konkurruar mijëra persona, ndërsa nga Shqipëria kanë konkurruar dhjetë herë më shumë ose rreth 56 mijë vetëm në vitin 2011.
Më 2013 nga Shqipëria vizën emigruese për në SHBA e kanë fituar 1 520 veta, ndërsa në vitin 2014 ky numër është dyfishuar 3.289, që i bën shqiptarët ndër përfituesit më të mëdhenj të programit të lotarisë nga e gjithë bota.
Në lotarinë e vitit 2013 për 55 mijë vizat emigruese janë bërë rreth 8 milionë aplikacione. Përmes lotarisë vijnë emigrantë edhe nga vende perëndimore, si Gjermania dhe vende të tjera evropiane, por disa vende janë përjashtuar nga pjesëmarrja për shkak të ardhjes së shumë emigrantëve prej atje, si Kanadaja, Kina, Polonia, Britania Madhe dhe shumë vende të Amerikës Latine.
Në debatin që po zhvillohet në Kongres lidhur me reformën në politikën e emigracionit, një ndër propozimet ka qenë edhe eliminimi i lotarisë emigruese si kompensim i legalizimit të miliona personave që qëndrojnë ilegalisht në SHBA.